Prishtina të përcaktojë vijat e kuqe në dialog

Pas takimit të fundit të zhvilluar midis kryeministrit Thaçi dhe Daçiq, në Bruksel, është paralajmëruar që në nëntor të fillojë raunid i ri i dialogut politik midis Kosovës dhe Serbisë. Valon Murtezaj, profesori i diplomacisë dhe negocimit në Paris, thotë se Kosova duhet në caktojë një vijë të kuqe, për temat me të cilat do të negocioj me Serbinë.
“Kosova në këtë rast duhet të ketë qartë të përcaktuar vijat e kuqe për çka nuk do të duhet të dialogoj me Serbinë, për cilat tema. Kosova ka qenë konstruktive edhe në bisedimet teknike me Serbinë. Prandaj, gjithçka që del jashtë Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisaarit do ta rrezikonte shtetësinë e Kosovës”, thotë Myrtezaj.
Murtezaj thotë se duhet angazhim gjithëpërfshirës i institucioneve kosovare, para se të shkohet në dialog me Serbinë. Ndërkaq, lidhur me përfshirjen e veriut të vendit në këto bisedime, Murtezaj thotë se kjo nuk duhet të nënkuptojë shkeljen e integritet territorial të Kosovës:
“Veriu, sigurisht, do të jetë pjesë e këtij dialogu, por Veriu nuk do të duhet të nënkuptonte aspektin e integritetit territorial të Kosovës. Mirëpo, çështjet problematike në Veri që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, pa dallime etnike me siguri që të do të jenë pjesë e diskutimeve”.
Profesor Valon Murtezaj thotë se me gjithë tendencat e Serbisë, që të dialogojë edhe statusin dhe integritetin territorial të Kosovës, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, sepse, tanimë, kjo është bërë e qartë edhe nga faktori ndërkombëtarë.