Prishtina vazhdon përpara
Xhiroja e 19’të e Superligës nuk ka sjellë ndonjë befasi. Dy konkurrentët për titull, Prishtina dhe Hysi kanë shënuar fitore përballë Trepçës ’89, respektivisht KEK’ut. Ndeshja e fundit e kësaj xhiroje do të zhvillohet të hënën (sot), ndërmjet Vëllaznimit dhe Ferizajt.
Hysi – KEK-u 3:2
Hysi ka arritur fitore të vështirë, por të rëndësishme ndaj KEK’ut. Edhe pse e panë veten në disavantazh, llapjanët janë këndellur dhe e kanë gjetur trepikëshin e parë në pranverë.
Kastriotasit kanë shënuar në minutën e tetë përmes Bërbatovcit. Ndërsa, vendësit e barazuan rezultatin menjëherë me anë të Enis Zabërxhës.
Kurse, Përparim Osmani, në minutën e 24-t, ia doli ta kalojë në avantazh ekipin e Genc Hoxhës. Mysafirët nuk hoqën dorë, duke e barazuar rezultatin në minutën e 39-të përmes Kodraliut. Ndërkaq, për fitoren e Hysit u përkujdes Berat Hyseni, i cili në minutën e 73-të e vulosi fatin e këtij takimi.
Besa – Trepça 2:2
Kampioni në fuqi, Trepça, e nxori një pikë në Pejë përballë Besës. Pejanët kanë kaluar në epërsi të parët me kapitenin Haxhi Zeka (12’), por më pas janë kundërpërgjigjur mitrovicasit, duke shënuar dy gola me Elvis Osmanin (29’) e Enis Fetahun, dy minuta më vonë.
Gjashtë minuta pa përfunduar pjesa e parë, pejanët e kanë barazuar rezultatin me anë të Fitim Halitin, i cili e mposhti portierin Prtinac. Gjysmën e pjesës së dytë, Besa e ka luajtur me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Besnik Hysenlekajt, pas një ndërhyrjeje të ashpër. Besa luajti më mirë, por pika e nxjerrë nga ana e Trepçës nuk mund të konsiderohet si befasi.
Prishtina – Trepça ’89 1:0
Prishtina e ka ruajtur distancën prej 9 pikësh ndaj Hysit, pasi e mposhti Trepçën 89’ me rezultat minimal. Bardh e kaltrit patën disa raste në pjesën e parë, duke e goditur shtyllën me anë të Ahmetit.
Mirëpo, goli i tyre arriti vetëm në pjesën e dytë, respektivisht në minutën e 60-të, kur mbrojtësi Berisha me kokë e mposhti portierin Manxholli.
E hënë
Vëllaznimi – Ferizaj
Tabela
1. Prishtina-45
2. Hysi-36
3. Besa-30
4. Liria-29
5. Trepça-28
6. Trepça ’89-25
7. KEK-u-25
8. Drenica-22
9. Flamurtari-20
10. Ballkani-19
11. Vëllaznimi-19
12. Ferizaj-13