E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtoria e fotografisë në Bukuresht

Në kryeqytetin e Rumanisë, me datën 21 mars 2011, do të fillojë punëtoria “Masterclass” e organizuar nga Noor Images, agjensioni i fotografisë dokumentare nga Holanda dhe Nikon Europe. Në këtë punëtori, në mesin e 15 fotografëve nga shtatë shtete të ndryshme është përzgjedhur edhe fotografi nga Kosova Jetmir Idrizi. Nga Albana S. Muja më 13 mars 2011 në ora 16:05

Java e ardhshme fotografin nga Kosova Jetmir Idrizi do ta gjejë në mesin e 15 fotografëve nga shtatë shtete të ndryshme të Evropës Lindore. Idrizi atje do të mësojë më shumë nga përvoja shumëvjeçare e tre fotografëve profesionalë të agjensionit të mirënjohur ndërkombëtarisht “Noor Images” nga Holanda. Tre fotografët të cilët do ta udhëheqin këtë punëtori, emra të njohur në fushën e fotografisë dokumentare, janë: Philip Blenkinsop, Pep Bonet dhe Stanley Greene. Ekipi i këtyre tre fotografëve do të mbështetet nga Lars Pettersson nga Nikon dhe Claudia Hinterseer, drejtoresha menaxhuese e “Noor Images”.

Për fotografin Jetmir Idrizi, kjo punëtori do të jetë një eksperiencë e veçantë, e cila atij do t’i ndihmojë që të mësojë se si duhet të zgjidhet një temë për t’u marrë më gjerësisht me tema sociale dhe dokumentuese.

“Për mua kjo është një mundësi e mirë që më është ofruar dhe jam shumë i kënaqur që do të mësoj nga tre fotografë të “Noor..”, të cilët merren me vite me konflikte në shtete të ndryshme të botës”, theksoi Idrizi.

Kjo punëtori ka për synim, që këta fotografë të përzgjedhur nga “Noor..” t’i ndajnë mes njëri tjetrit përvojat e tyre, të mësojnë se si bëhet editimi i një storie fotografike, të prezantojnë punën e tyre dhe do të mësojnë se si të zgjedhin një temë për t’u marrë në një kohë të caktuar me të.

Idrizi thekson se kjo punëtori do të jetë një mundësi më shumë për ta zgjeruar dijen mbi fushën e fotografisë dokumentare.

Në këtë punëtori përveç Jetmir Idrizit, pjesëmarrës do të jenë edhe këta fotografë: Alexandra Dinca (Romania), Alexandru Tomazatos (Romania), Arthur Bondar (Ukraine), Bogdan Chesaru (Romania), Bogdan Dinca (Romania), Boryana Katsarova (Bulgaria), Dorin Goian (Moldova), Eugenia Maximova (Bulgaria), Ioana Moldovan (Romania), Marko Risovic (Serbia), Maxim Dondyuk (Ukraine), Oksana Yushko (Russia), Sanja Knezevic (Serbia), Tudor Vintiloiu (Romania). Kjo “Masterclass” do të fillojë më 21-25 mars të këtij viti.
Idrizi atje do të prezantojë punën e tij personale disa vjeçare që e ka realizuar në Kosovë, duke punuar si fotograf në Gazetën Express.

Ky projekt realizohet në Rumani në bashkëpunim me fondacionin Eidos Foundation dhe Skin Media SRL.

Për Jetmir Idrizin, kjo do të jetë punëtoria e dytë në të cilën do të prezantohet puna e tij si fotograf i ri.

Vitin e kaluar, ai ishte pjesëmarrës në punëtorinë e organizuar nga World Press Photo në Berlin, e cila u organizua në bashkëpunim me Robert Bosch Stiftung, për të cilët ai punoi një projekt në Shqipëri dhe është ende duke e realizuar projektin e dytë në Kosovë. Idrizi gjithashtu ka qenë pjesë e disa ekspozitave kolektive në vend dhe jashtë vendit.

Agjencitë e fotografisë dokumentare Noor dhe Nikon Europe mbështesin fotografë profesional nga shtete të ndryshme të botës, të cilat janë në zhvillim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›