Shqipëria shtet i ryshfetit

Sipas sondazhit të publikuar së fundi nga kompania e mirënjohur GALLUP dhe Lëvizja Evropiane në Shqipëri, 49 për qind e shqiptarëve japin ryshfet në shërbimet publike.
Në biseda të përditshme të qytetarëve janë të zakonshme pyetjet dhe përgjigjet lidhur me ryshfetin, që ata dhanë në spital, gjykatë, universitet apo tek zyrat e tatimeve.
Sondazhi në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse shpreh me gjuhën e saktë të shifrave praktikën e ryshfetit, të kthyer për fat të keq në një tipar të shoqërisë së sotme në Shqipëri.
Gledis Gjipali, drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, partnere e GALLUP-it, në sondazhin rajonal për përhapjen e dukurisë së ryshfetit thotë se 49 për qind e qytetarëve të intervistuar në Shqipëri thanë se japin ryshfet për të marrë shërbime në sektorin publik.
Kjo shifër është pothuajse dy herë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit: “ Sipas sondazhit niveli i dhënies së ryshfetit në B-H është 18 për qind, në Maqedoni 13 për qind, në Mali të Zi dhe në Serbia 12 për qind, në Kroaci 10 për qind dhe në Kosovë 9 për qind”, tha Gjipali.