Prishtinë, protestuesit granata para Qeverisë, policia me gaz lotsjellës
PRISHTINË - Forcat e policisë së Kosovës dhe të KFOR-it, kanë bllokuar të gjitha kalimet përreth ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit. Zëdhënësi i policisë , Besim Hoti tha se, shkak i këtij bllokimi dhe evakuimit të personelit ishte një mjet i paidentifikuar shpërthyes në oborrin e Qeverisë. Ekspertët ndërkohë kanë larguar granatat. Vesel Aruqi, anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, e pranon se kanë hedhur mjete eksplozive. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Sipas Aruqit, ky grup protestuesish kanë vendosur që të mos dalin më në rrugë, por të përdorin forma tjera të cilat për momentin nuk do t'i zbulojnë.
"Nuk do shtrihemi më në rrugë për të protestuar, por do t'i përdorim format tona, të cilat janë sekrete për momentin", tha ai, duke shtuar se edhe vendndodhja e këtij grupi mbetet sekret.
Ai u shpreh se e kupton seriozitetin e kërcënimit që po bën ndaj Qeverisë, por shtoi se bashkë me luftëtarët e tjerë "nuk i frikësohen burgut, as vdekjes". Ai tha se nuk do tç heqin dorë deri në përmbushjen e kërkesave.
Policia e Kosovës është duke pritur urdhërin nga prokurorët vendorë dhe ndërkombëtarë për arrestimin e të dyshuarve për hedhjen e bombave në oborrin e Qeverisë së Kosovës, pasi pothuajse gjithçka është filmuar dhe ekzistojnë dëshmi të bollshme për të vërtetuar autorët e hedhjes së granatave.
Policia: Granatat janë larguar
Policia njofton se dy granatat janë marrë nga njësitë e specializuara të KFOR-it dhe janë larguar nga oborri i Qeverisë.
Zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti ka njoftuar se hetimet janë duke vazhduar dhe se në bashkëpunim me prokurorët vendorë dhe ndërkombëtarë janë duke e hetuar rastin.
I pyetur për mundësinë e arrestimit të të dyshuarve kryesor për hedhjen e granatave, Hoti ka thënë se hetimet janë duke shkuar në drejtim të identifikimit të personave që kanë hedhur mjetet shpërthyese.
"Ne do të shfrytëzojmë të gjitha xhirimet dhe dëshmitë për të gjetur të dyshuarit për hedhjen e mjeteve eksplozive në oborr të Qeverisë. Në konsultim me prokurorët vendorë dhe ndërkombëtarë ne edhe do t`i arrestojmë të dyshuarit", ka thënë zëdhënësi Hoti.
Përshkallëzimi i protestës
Protesta e veteranëve të UÇK-së, nisi të ashpërsohej rreth orës 12.00, kur veteranet hodhën shishe të mbushura me benzinë në oborrin e Qeverisë së Kosovës, dhe kur u dëgjua edhe një e shtënë, për të cilën nuk dihej çka është dhe nga erdhi, njoftoi Kosovapress.
Protestuesit, po ashtu paralajmëruan se nëse nuk mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Qeverisë së Kosovës dhe të ndërmerret diçka në favor të veteranëve do të ndërmarrin masa edhe më radikale. Hedhjen e shisheve me benzinë në oborrin e Qeverisë së Kosovës e paralajmëroi njëri ndër organizatorët, Vesel Aruqi, duke thënë se nuk i lëmë në rrugë pjesëtarët e UÇK-së si të ishin lypsa. "Do të shkojmë drejt e në kryeministri me shishe të benzinës edhe me i gjuajt kerret, me i kall kerret e kryeministrisë. Ashtu e kemi vendosur, ma kthim mbrapa nuk ka, hapi i parë është ky. Më pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i lëmë në rrugë kështu në formën e lypësit, që do me thënë me shti edhe popullin në gjynah, tash e mbas duhet me tregu kush është veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", tha Aruqi dhe shtoi se ata duan t'i kenë të drejtat e veteranit sikur në çdo shtet të botës.
Protesta e veteranëve të UÇK-së ka filluar dje pasdite, pasi marrëveshja mes Këshillit Grevist dhe Qeverisë, e arritur muaj më parë nuk është realizuar.