E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinën s’e tremb as Drita

Drita dhe Prishtina do të përballen të dielën në Gjilan, në derbin e xhiros së pestë. Ky takim konsiderohet si testi më serioz për prishtinasit, të cilët deri më tash nuk kanë lënë përballje pa e fituar. Madje, kampionët aktualë besojnë se triumfues do të dalin edhe në Gjilan, pavarësisht mobilizimit të madh të Dritës për t’ua ndalur hovin.

Kampionin aktual të Kosovës, Prishtinën, të dielën e pret një sfidë e vështirë. Bardhekaltrit do të udhëtojnë drejt Gjilanit, ku do të përballen me rivalin e vjetër të tyre, Dritën – në derbin e xhiros së pestë të Superligës.

Të dyja këto skuadra e kanë nisur shumë mirë këtë edicion, posaçërisht Prishtina, e cila në katër ndeshjet e para, i ka fituar të gjitha ato. Por, këtë hov të prishtinasve synon ta ndalë ekipi gjilanas, i cili po befason, ngase deri më tash i ka fituar tri duele, derisa e ka pësuar vetëm një humbje.

“Jemi duke punuar për mrekulli, me këta djelmosha të shkëlqyeshëm. Ata janë shumë të përkushtuar në punë dhe jashtëzakonisht të disiplinuar. Ne në çdo ndeshje hyjmë për të aplikuar lojë të mirë. Edhe ndaj Prishtinës synojmë që nëpërmjet një loje të bukur, ta nxjerrim një rezultat sa më pozitiv. I ftoj tifozët tanë që në numër të madh të na përkrahin dhe në fund shpresoj të festojmë së bashku”, tha për Express, trajneri i Dritës, Arbnor Morina, i cili është më meritori që ia riktheu shkëlqimin kësaj skuadre, pas një krize që e kishte gjatë gjithë verës.

Mirëpo, kryeqytetasit janë shumë të qetë para kësaj sfide, pavarësisht mobilizimit të gjilanasve për t’i mposhtur ata.

Trajneri i prishtinasve, Ejup Mehmeti – Kapiti është i bindur se djelmoshat e tij përballë Dritës do ta regjistrojnë fitoren e pestë rresht.

“Jemi optimistë se do të vazhdojmë të shkëlqejmë edhe në Gjilan. Në këtë ndeshje, ne hyjmë për fitore dhe unë e kam një besim të madh se djelmoshat e ekipit tim mund ta arrijnë këtë qëllim”, tha Kapiti, i cili me Prishtinën e ka nisur një aventurë tepër të mirë, gjë që pakkush e ka pritur.

Superliga – xhiroja V

E diel

Drita – Prishtina

Besa – Ferronikeli

Hysi – Hajvalia

E hënë

Drenica – Vëllaznimi

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›