E Diel, 1 Nëntor 2026

Priten lehtësi në marrjen e shtetësisë për të huajt që investojnë në Shqipëri

08-01-2012 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, gjatë analizës së 2011-s si dhe pritshmërive për vitin që nisëm, thekson se “lëvizja e lirë e qytetarëve është një histori suksesi”, ndërkohë që paralajmërohen ndërhyrje në “Ligjin për të Huajt”, si dhe në “Ligjin për Nënshtetësinë”

“Histori suksesi”, kështu e ka cilësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve Shqiptare në hapësirën Europiane, ministri i Brendshëm Bujar Nishani  gjatë  pritjes se organizuar dje për përfaqësuesit e medias, në Vilën Qeveritare Nr. 31 në Tiranë, me rastin e Vitit te Ri.
Ministri Nishani, duke folur për këtë proces, tha se, “vetëm brenda një viti të implementimit dhe zbatimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptare kanë qenë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë që kanë lëvizur për herë të parë jashtë Shqipërisë sepse kishin një pasaporte biometrike dhe nuk ishte e domosdoshme të merrnin një vizë. Kjo do të thotë se këta 500 mijë qytetarë shqiptare e kanë pasur të pamundur më parë për shkak të kushteve që kishin për të marrë një vize për të shkuar për arsye te ndryshme qoftë dhe për të vizituar të afërmit e tyre, theksoi ai. 
Për ministrin e Brendshëm, me lëvizjen e lirë për qytetarët shqiptare dhe rajonit, Komisioni Europian realizoi objektivin e tij, një objektiv shumë human, i përmasave të funksionimit të një hapësire të demokracisë,  me ndikimin në procesin e integrimit,  ku hapi kryesor, sikurse u shpreh ai, “është integrimi kulturor, integrimi i mentaliteteve. Nuk do të kishte hap më të rëndësishëm sesa lëvizja e lire”, theksoi Nishani.
Kreu i Ministrisë se Brendshme, Nishani, shprehu gjithashtu angazhimin e dikasterit të tij për të evidentuar dhe goditur në kohë fenomenet abuzuese me procesin e lëvizjes së lirë, kryesisht kërkesat e qytetarëve për azil.
“Do vijojmë sqarimin e qytetarëve për kriteret që duhet të respektojmë, ndërsa do të marrim masa për te goditur fenomene abuzuese. Koha e azilit në Europë”, shtoi ministri Nishani.
Ministri i Brendshëm, evidentoi më tej edhe faktin se “u menaxhua në mënyrë profesionale fluksi më i madh i ardhur ndonjëherë në Shqipëri  për pushime në sezonin veror, duke ofruar lehtësirat maksimale në pikat e kalimit kufitar si dhe sigurisë së rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë këtij sezoni. Po i njëjti fluks i madh hyrje-daljesh u menaxhua gjithashtu në mënyrë profesionale gjatë festave të fundvitit.
Ka vijuar puna e suksesshme në bashkëpunim me koncensionarin për aplikimin, prodhimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike”.
“Viti 2011 ishte një vit me dinamikë shumë të madhe për Ministrinë e Brendshme dhe agjencitë e saj të varësisë”, u shpreh më tej, ministri i Brendshëm Bujar Nishani.
Sipas tij, gjatë atij viti u përmbushën në mënyrë dinjitoze dhe me performancë të lartë profesionale detyrimet e kësaj ministrie në përballjen e sfidave të rëndësishme për qytetarët dhe vendin. U përballua dhe menaxhua me sukses situata  e vështirë e përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës dhe Lezhës gjatë dimrit të kaluar. Me gjithë rrezikun e nivelit shumë të lartë nuk patëm asnjë humbje të jetës së qytetarëve tanë në ato zona. Gjithashtu një menaxhim profesional iu bë të gjitha situatave të zjarreve gjatë periudhës së verës së shkuar duke angazhuar në ato operacione jo vetëm të gjitha kapacitetet tona, por edhe një sërë mjetesh të rëndësishme  të luftës së zjarreve nga ajri të ardhura nga Italia, Greqia, Turqia, Mali i Zi. Në interes të përballimit të këtyre situatave, vitin e shkuar përfundoi ngritja e sallës operacionale të parashikimit, paralajmërimit , koordinimit dhe menaxhimit të emergjencave civile në rang kombëtar.
Duke u ndalur te infrastruktura zgjedhore, Ministri Nishani u shpreh se, “u ofrua një infrastrukturë elektorale nga më të mirat të arritura ndonjëherë në zgjedhjet lokale, në aspektin e ofrimit të një prej burimeve më të sigurta dhe korrekte për administratat e komunave dhe bashkive në hartimin e listave të zgjedhësve si  dhe një ambient maksimal sigurie në fushatën elektorale, ditën e zgjedhjeve dhe periudhën pas zgjedhore deri në daljen e rezultateve përfundimtare në çdo komunë e bashki të vendit”.
Për ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, fokusi kryesor ka qenë në bashkëpunimin me qeverisjen lokale në zbatimin e axhendës decentralizuese, për transferimin e funksioneve sipas prioriteteve të caktuara në programin e qeverisë për decentralizimin e qeverisjes vendore.
“Është  ndjekur në mënyrë sistematike realizimi i investimeve  për njësitë e qeverisjes vendore  nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Për vitin 2011, fondi total për projektet në infrastrukturë vendore i vënë në dispozicion të njësive vendore ishte 2.9 miliard lekë. Ky fond është alokuar për 12 Qarqet e Shqipërisë dhe kanë përfituar 94 njësi vendore. Numri total i projekteve të financuara nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve është 196, nga këto janë financuar 101 projekte të reja”, evidentoi më tej ministri i Brendshëm.
“Pa dyshim që një nga prioritetet kryesore dhe angazhimet ka qenë lufta ndaj kriminalitetit dhe rritja e nivelit të sigurisë dhe rendit publik. Treguesit statistikor tregojnë për një rritje të nivelit të goditjes së kriminalitetit, rritje të konsiderueshme e zbulueshmerisë së veprave kriminale si dhe rritje të besueshmërisë së publikut ndaj Policisë së Shtetit. Gjate vitit të shkuar niveli i zbulueshmërisë së krimit të vrasjes u rrit në 84 për qind dhe Shqipëria vazhdon të mbetet ndër vendet me nivelin e mesatares së vendeve të BE për sa i takon krimit të rëndë që është ai i vrasjes. Gjatë vitit të shkuar i është dhënë një prioritet maksimal zbulimit të ngjarjeve të vjetra. Kështu është bërë i mundur zbulimi i 298 veprave të ndryshme kriminale të vjetra e të pazbuluara më parë, nga të cilat mund të përmend ; 7 vrasje, 4 tentativa për vrasje, 31 vjedhje me dhunë dhe me armë, 49 vjedhje të banesave, 66 vjedhje lokalesh, 29 vjedhje automjetesh etj. Gjatë vitit të shkuar u shënuan 15 000 telefonata më shumë se një vit me parë, adresuar policisë nga qytetarët”, shtoi Nishani.
Ministri i brendshëm Bujar Nishani e sheh me optimizëm vitin 2012, i cili sipas tij do të jetë viti i sfidave dhe angazhimeve të mëdha nga ana e MB dhe agjencive të saj të varësisë.
“Prioriteti dhe udhërrëfyesi do te jenë rekomandimet e Komisionit Europian në kuadër të procesit të integrimit europian, në ato drejtime për të cilat ka detyrime Ministria e Brendshme. Do të vijojë konsolidimi i mëtejshëm i procesit të decentralizimit të kompetencave dhe transferimi i aseteve ekonomike drejt qeverive vendore. Rritja e mëtejshme e nivelit të sigurisë publike dhe lufta ndaj veprave të ndryshme kriminale mbetet prioritet i prioriteteve. Në këtë kontekst, krahas shumë projekteve që do ndihmojnë në rritjen e performancës në fushën e sigurisë do të përmendja zbatimin e të gjitha fazave për vendosjen e një sistemi kontrolli me kamera në kryeqytet,  fillimi i aplikimit të vendosjes së gjobave dhe kontrollit të automjeteve përmes sistemit elektronik dhe fotografik SCOUT, konsolidimi i sistemit të komunikimit TETRA përgjatë vijës kufitare si dhe vijimi i një komunikimi të vazhdueshëm me publikun për respektimin e kritereve të lëvizjes së lirë pa viza. Rritja e kapaciteteve të shërbimeve që mund të ofrojë RKGJC do jetë ndër angazhimet kryesore duke përmendur këtu krijimin e një Ndërfaqeje Universale me bazë aplikimesh, si dhe disa shërbime të reja. Në fushën e legjislacionit do ketë padyshim një angazhim shumë të madh, por do të veçoja këtu, përmirësimin e “Ligjit për të Huajt”, si dhe “Ligjit për Nënshtetësinë”, duke krijuar lehtësi për dhënien e nënshtetësisë shqiptare të huajve që do të investojnë në biznese të rëndësishme në Shqipëri. Komunikimi me median, e përmes saj me publikun do të jetë padyshim një nga detyrimet dhe angazhimet tona të vijueshme”, përfundoi ministri i brendshëm Bujar Nishani.

Pasaporta Biometrike
Aplikuar total                      2 158 000
Dokumentit e Identitetit
Aplikuar total                    2 941 000

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›