Komisioni i Ligjeve miraton Irma Barakun si Komisionere për mbrojtjen nga diskriminimi Gjatë punimeve në Komisionin e Ligjeve

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u njoh sot me kandidaturën e Komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi, zonjën Irma Baraku dhe zhvilloi me të një seancë dëgjimore. Ligji "Për mbrojtjen nga diskriminimi“ sanksionon ngritjen e një strukture të posaçme për mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të dallimit gjinor, fetar, race, ngjyre seksual etj, që do të drejtohet nga Komisioneri. Baraku para deputetëve bëri një prezantim të cv-së së saj akademike dhe profesionale. Kandidatura e Irma Barakut vjen nga bota universitare dhe e specializuar në fushën e të drejtave të njeriut. Deputetët i drejtuan zonjës Baraku pyetje të ndryshme që kishin të bënin me vizionin e saj ligjor dhe teknik për antidiskriminimin. Ajo tha se ka një eksperiencë të gjerë praktike në programet dhe aktivitetet në fushën e barazisë gjinore dhe të të drejtave njerëzore, në tërësi. Gjithashtu Baraku shpjegoi se ligji për antidiskriminimin përbën një bazë të rëndësishme dhe ndihmuese për ngritjen e institucionit të Komisionerit, që do të sjellë shërbime me standarde evropiane në fushën e mbrojtjes së të drejtave. Kandidatura e Irma Barakut pas miratimit në komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut i kalon për votim seancës plenare.