E Diel, 1 Nëntor 2026

Priten protesta në Maqedoni, partitë politike thirrje për maturi

Në prag të protestave të paralajmëruara në Shkup, si nga nga shqiptarët, ashtu edhe nga maqedonasit, partitë politike në Maqedoni kanë bërë thirje për qetësi dhe maturi.  Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka bërë një thirrje për qetësi.
 

BDI deklaron se është parti politike e cila është e përcaktuar që të mbrojë parimet e demokracisë, përfshirë edhe të drejtën për protesta demokratike, të qeta dhe paqësore.  BDI fton qytetarët që të kenë durim dhe të lejojnë institucionet e vendit ta bëjnë punën e tyre në zbardhjen e rastit të vrasjes së pesëfishtë.
 

Edhe Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi apeloi që shqiptarët të mos dalin sot në protesta. Sipas tij, këto protesta nuk duhet mbështetur pasi nuk ka probleme ndërfetare.
 

Ndërkohë në Maqedoni janë paralajmëruar protesta të organizuara të ndara nga shqiptarët dhe në anën tjetër nga maqedonasit. Lajmi bëhet i ditur nga mediat në Maqedoni të cilat theksojnë se protestat janë organizuar përmes rrjeteve sociale.Mësohet se sot do të mbahen protesta nga shqiptarët në të gjitha qytetet e Maqedonisë Veriperëndimore me moton “Stop Rasteve të Montuara”.

Protestat që thirren përmes njoftimeve sidomos nga facebook, tashmë kanë marrë jehonën e tyre dhe se janë publikuar edhe oraret e mbajtjes së tyre në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Strugë, Dibër, Kërçovë, etj.

Ndërkohë, thirrje për protesta janë bërë edhe nga rrjete sociale maqedonase. Në një nga thirrjet që ka marrë mbështetje masive është ajo e një grupi të ashtuquajtur “Protesta para qeverisë”, ku thirren qytetarët për të protestuar të shtunën para godinës së qeverisë. Sipas mesazheve të bëra ky organizim do të jetë në formën e kundërprotestës kundër shqiptarëve.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska deklaroi se po ndjekë të gjitha lajmërimet në internet lidhur me organizimin e protestave të paralajmëruara. “MPB po ndjek këto lajmërime dhe gjuha që përdoret në ato portale është e pahijshme. Si institucione përgjegjëse do të ndërmarrin të gjitha masat për të mbrojtur sundimin e së drejtës. Do të reagojmë ndaj çdokujt që do të shkelë rendin dhe ligjin”, ka theksuar ministrja Jankullovska. Protestat deri tani nuk janë mbështetur nga asnjë parti politike në Maqedoni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›