E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të humburit e Pranverës Arabe

Pakënaqësia e popullatës në Algjeri është e madhe. Të enjten atje u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Të parat pas revolucioneve në veri të Afrikës dhe, të parat pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

Në zgjedhjet parlamentare Partia Islamike (FIS), për shkak të së cilës pushteti algjerian edhe kishte futur gjendjen e jashtëzakonshme në fillim të viteve të 90’a të shekullit të kaluar, nuk mori pjesë.

Në fakt, FIS ka kohë është pezulluar zyrtarisht, kështu që janë fraksionet e saj ato që kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë kandidimin. Përkundër kësaj, sipas analistëve, ngjashëm si në Egjipt dhe në Tunizinë fqinje, partitë me ngjyrime islamike pritet të luajnë një rol me rëndësi. Tash për tash askush nuk beson se koalicioni i sapoformuar i islamistëve të moderuar islamik ‘Unioni për Algjerinë e Gjelbër’ do të mund të triumfojë, e as që t’i shkaktojë ndonjë kokëdhembje të madhe pushtetit.

Përkundrazi, zgjedhjet aktuale duken si njëlloj “ventili lëshues”, me të cilin presidenti Bouteflika dëshiron të pengojë zhvillimet e ngjashme me ato që ndodhën nëpër vendet tjera arabe.

"Zgjedhjet po organizohen vetëm për shkak që të parandalohet një ‘Pranverë Arabe’ në Algjeri", shprehet Rachid Ouaissa, drejtor i Qendrës për Studime Veri-Afrikane në Universitetin e Marburgut. Sipas tij, nëse vërtet dëshirohet të bëhet një ndryshim demokratik, pushteti do të duhej t’i kthehej reformimit themelor të drejtësisë dhe të forcave të armatosura.

"Por, Algjeria është ende larg kësaj gjëje”, thotë Ouiassa.

Frika nga trazirat

Meqë ushtria ende mbetet një prej garancive kryesore të pushtetit, vështirë që presidenti aktual do të heqë dorë nga mbështetja e saj. Veç kësaj, konfliktet e përgjakshme shumëvjeçare të islamistëve dhe pushtetit sikur ia ka shuar dëshirën popullatës për dalje në rrugë, dhe për nisjen e një beteje për ndryshime politike.

"Shtetasit algjerianë s’janë shumë të interesuar për ndryshime drastike”, vlerëson Isabel Schäfer, nga Universiteti Humboldt në Berlin.

Por, një vit më parë edhe në Algjeria kishte filluar të zihej. Asokohe, nëpërmjet masave populliste, siç ishte ulja e shpejtë e çmimeve të prodhimeve bazike ushqimore, pushteti arrit të ulte emocionet.

Megjithatë, sot situata nuk është përmirësuar fare për njeriun e zakonshëm. Algjerianët ende luftojnë me rritjen e përditshme të çmimeve dhe mezi e mbyllin muajin. Andaj, edhe nuk duhet të habitë që pakkush mendon për politikën dhe zgjedhjet. Zyrtarisht, shkalla e papunësisë është 20 përqind, e jozyrtarisht mbi 45 përqind. Në një situatë të tillë shumëkush mundohet të ikë në Perëndim.

Sociologu, Nacer Djabi, mendon se për mosinteresimin për politikë më meritorët janë politikanët, të cilët mendojnë vetëm si të mbesin në pushtet. Megjithëse, nuk ka as ndonjë alternativë tjetër jashtëparlamentare.

"Qytetarët nuk dalin në rrugë, kështu që s’ka ndryshime, sepse ato s’ka kush i organizon. Algjeria është bllokuar, por askush s’po ofron asnjë zgjidhje”, thotë Djabi.

"Rrëzimin e dhunshëm të pushtetit, sikurse në Libi, e refuzojnë shumica e algjerianëve”, pohon analisti Ouiassa.

Zgjedhjet me rrezik të përllogaritur

Presidenti 75-vjeçar, Bouteflika, lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve mundohet ta ‘shes’ si pjesë të reformave shoqërore. Por, meqë parlamenti në Algjeri nuk luan ndonjë rol të madh në pushtetin ekzekutiv, presidenti plak duket se nuk rrezikon fort me zgjedhje, pavarësisht rezultatit të tyre përfundimtar – madje, qoftë edhe nëse fitojnë islamikët e urryer. Në këtë rast, do të krijohej një situatë si në Maroko, ku në zgjedhjet e lira fituan forcat e moderuara islamike, por pushteti ende mbetet në duar të mbretit.

Natyrisht, kjo s’do të thotë se të gjithë algjerianët e pranojnë pa fjalë gjendjen ekzistuese në vend. Mijëra të rinj kanë paralajmëruar përmes Facebook’ut se do t’i bojkotojnë zgjedhjet. Ata, para së gjithash, shprehin brengat e tyre për mospjesëmarrje “në ndarjen e pasurive të vendit”. Kjo, për shkakun se, në fakt, Algjeria do të mund të jetonte goxha mirë nga burimet e saj të naftës dhe gazit. Prandaj, shumica e të rinjve që tani dyshojnë në rezultatet e zgjedhjeve, të cilat janë paralajmëruar si një censurë e madhe demokratike.

"Lëvizjet reformuese kozmetike” nuk do të ndryshojnë gjendjen në këtë vend për një afat të gjatë, konsideron Isabel Schäfer. /DW/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›