Pritet të shpërndahet sot parlamenti në Maqedoni
Ligjvënësit pritet që të votojnë për shpërndarjen e parlamentit gjatë ditës së sotme, bëri të ditur të hënën Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanoski. Një ditë më pas, ai do të nënshkruajë një vendim për të thirrur zgjedhje të menjëhershme më 5 qershor. 15 prilli pritet të jetë edhe data kur do të firmoset vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Këto vendime u shpalosën pas një takimi të shefave të grupeve parlamentare, por pa pjesëmarrjen e opozitës maqedonase të kryesuar nga LSDM, ku u vendos për shpërndarjen e Parlamentit. Ky i fundit ftoi opozitën që të marrë pjesë në aktin e shpërndarjes së Kuvendit.
Maqedonia shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare si pasojë e krizës politike, që rezultoi me braktisjen e Kuvendit nga ana e Lidhjes Socialdemokrate, për shkak ndërhyrjes së pushtetit në punën e disa mediave që konsiderohen të afërta me opozitën.
Deri tani disa nga partitë maqedonase të kryesuara nga LSDM kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancat parlamentare të kësaj përbërje parlamentare. Ndërsa dy partitë opozitare, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Demokracia e Re (DR) do të marrin pjesë në seancën plenare të Parlamentit të Maqedonisë në të cilën do të shpërndahet Parlamenti.
“Ne kemi thënë se do të marrim pjesë në seancën e të enjtes në të cilën do të shpërbëhet Kuvendi, pasi jemi të interesuar që sa më shpejtë të jetë e mundur, kjo elitë që udhëheq me pushtetin të marrë dënimin e merituar nga ana e popullit”, ka deklaruar deputetja e DR-së, Flora Kadriu.