E Diel, 1 Nëntor 2026

Priti për më shumë se 10 vite kthimin e nipërve e mbesave nga Siria, ndahet nga jeta 90-vjeçari Dylber Shuli

Dylber Shuli nga Zagorçani i Pogradecit ndërroi jetë sot pa arritur të shohë nipërit dhe mbesat e tij, për kthimin e të cilëve kishte shpresuar dhe luftuar për më shumë se një dekadë. 90-vjeçari e kaloi jetën e tij të fundit mes pritjes, lutjeve dhe shpresës se pesë fëmijët e familjes do të ktheheshin një ditë në Shqipëri.

Djali i tij, Krenar Shuli, ishte larguar drejt Sirisë në vitin 2013 së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Pas vdekjes së prindërve, fëmijët mbetën në kampet e Sirisë. Vajza e madhe, Elona, u martua atje kur ishte ende e mitur dhe solli në jetë edhe një fëmijë.

Për vite me radhë, Dylberi iu drejtua publikisht autoriteteve shqiptare, duke kërkuar që fëmijët të riatdhesoheshin. “Kam shpresë deri sa të vdes”, ishte shprehur ai në një nga intervistat e tij. Sa herë që njoftohej për operacione të kthimit të shqiptarëve nga Siria, ai priste me ankth të dëgjonte emrat e nipërve dhe mbesave të tij.

Shqipëria ka zhvilluar ndër vite disa operacione për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga kampet e Sirisë. Në vitin 2020 u kthyen pesë persona, mes tyre katër fëmijë, ndërsa në vitin 2022 u riatdhesuan 13 persona, nëntë prej tyre të mitur. Megjithatë, në këto lista nuk ishin fëmijët që Dylber Shuli priste prej vitesh.

Edhe kthimi i Eva Dumanit në shkurt të këtij viti i kishte rikthyer shpresën 90-vjeçarit. Deri pak muaj më parë, ai tregonte se ndiqte çdo zhvillim nga Siria dhe besonte se një ditë do të mund të përqafonte pesë nipërit dhe mbesat e tij.

Sot, Dylber Shuli nuk është më. Ai u largua nga kjo botë pa e parë ëndrrën e tij të bëhej realitet. Për vite me radhë priti në oborrin e shtëpisë një telefonatë, një lajm apo makinën që do të sillte fëmijët e tij në shtëpi. Por ajo ditë nuk erdhi kurrë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›