E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritje deri në tri orë në dalje nga Kosova në drejtim të Serbisë

PRISHTINË, 25 tetor/ATSH/ Në disa pika të kalimit kufitar në Kosovë janë regjistruar pritje të gjata për automjetet, veçanërisht në dalje nga vendi në drejtim të Serbisë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme referuar të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata janë në Jarinje për të dalë nga Kosova, ku qytetarët presin deri në 180 minuta, ndërsa kolona e automjeteve arrin në 3 kilometra.

Përveç kësaj pike, kolona të gjata të automjeteve ka edhe në Merdarë, deri në dy orë për të dalë nga Kosova.

Ndërkaq, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pritjet në dalje arrijnë po ashtu nga 60 deri në 80 minuta, ndërsa kolona është rreth një kilometër.

Edhe në Bërnjak, qytetarët presin 30 deri në 50 minuta për të dalë nga vendi, me kolonë prej rreth 200 metrash.

Ndërsa, në pikat e tjera kufitare, qarkullimi është më i lehtë, me pritje kryesisht nga 3 deri në 5 minuta.

Të dhënat janë përditësuar nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në orën 09:24.

Me autobus e vetura, sot në orët e para të mëngjesit, disa qytetarë serbë të komunës së Zubin Potokut raportohet se janë nisur drejt Ribariqit, fshati në Komunën e Tutinit në Serbi, për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen në shtetin fqinj.

Mësohet nga mediat lokale në Zubin Potok, se autobusi i parë me qytetarë serbë nga Zubin Potoku është nisur drejt Ribariqit, ndërsa udhëtimi i tyre po bëhet autobus. /kosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›