E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahaj për ATSH: Zbulimi i hershëm rrit mundësitë e shërimit nga kanceri i gjirit

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Kanceri i gjirit mbetet një nga sëmundjet malinje më të shpeshta te gratë, ndërsa zbulimi i hershëm, kontrollet periodike dhe trajtimi i personalizuar janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në suksesin e trajtimit.

Mjekja onkologe-radioterapeute në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Borjana Jahaj, në një intervistë për ATSH-në, thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje, duke nënvizuar se ajo mund të shfaqet edhe te gratë e reja, përfshirë ato nën moshën 40 vjeç.

“Kanceri i gjirit është ndër sëmundjet malinje më të shpeshta te femrat, duke mbetur një nga sfidat më të rëndësishme të shëndetit publik në Shqipëri”, shprehet Jahaj.

Duke folur për faktorët e rrezikut, Jahaj përmend moshën, historinë familjare, mutacionet gjenetike, si dhe historinë e mëparshme të sëmundjeve të gjirit. Në këtë grup përfshihen edhe ekspozimi hormonal gjatë jetës, densiteti i lartë i gjirit, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumi i alkoolit.

“Vitet e fundit vëmendja dhe ndërgjegjësimi janë më të mëdha, dhe metodat diagnostikuese janë përmirësuar ndjeshëm. Megjithatë, për të përcaktuar nëse numri i rasteve është rritur realisht, duhet të analizohen të dhënat e regjistrave kombëtarë të kancerit, për të parë nëse trendi i rritjes së diagnostikimeve shoqërohet me një rritje reale të rasteve. Ne shohim një rritje të lehtë të rasteve të reja nga viti në vit, duke përfshirë edhe moshat e reja. Femrat në moshë të re mund të preken, dhe ndonjëherë sëmundja në këto raste mund të ketë karakteristika biologjike më agresive. Te kjo mosha, edhe diagnostikimi është më sfidues për shkak të densitetit më të lartë të indit të gjirit”, tha ajo.

Mjekja Jahaj shprehet se “zbulimi i hershëm është një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në suksesin e trajtimit të kancerit të gjirit..

Në këtë drejtim, mamografia sipas mjekes mbetet një ekzaminim thelbësor, pasi mund të evidentojë ndryshime shumë të vogla përpara shfaqjes së simptomave ose krijimit të një mase të prekshme.

“Mamografia është një ekzaminim thelbësor për depistimin e kancerit të gjirit, sepse mund të zbulojë ndryshime shumë të vogla përpara se të shfaqen simptomat apo përpara se masa të bëhet e prekshme. Rëndësia e saj qëndron pikërisht në mundësinë e diagnostikimit të sëmundjes sa më herët. Përcaktimi i rrezikut individual ka shumë rëndësi për frekuencën e saj. Për gratë me rrezik mesatar, mamografia periodike është veçanërisht e rëndësishme në moshën 40–50 vjeç. Për gratë me rrezik të lartë, kontrollet mund të fillojnë më herët, duke u plotësuar me eko gjiri apo rezonancë magnetike sipas specifikave, por pa e zëvendësuar mamografinë”, vijon ajo.

Një rol të rëndësishëm ka edhe njohja e gjirit nga vetë gratë, për të dalluar ndryshime të reja, si shfaqja e një mase, ndryshimet e lëkurës, skuqjet apo rrjedhjet nga thithi. Megjithatë, Jahaj sqaron se vetëkontrolli nuk zëvendëson mamografinë dhe metodat e tjera diagnostikuese.

“Vetëkontrolli, apo ajo që quajmë më saktë “njohja e gjirit të vet”, është një mënyrë e thjeshtë për të kuptuar gjendjen normale dhe për të dalluar ndryshimet nëse ato ndodhin. Duhet të kemi vëmendje të shtuar ndaj shfaqjes së një mase të re, ndryshimeve në lëkurë, skuqjeve apo rrjedhjeve nga thithi. Megjithatë, duhet të theksojmë se jo çdo masë në gji është kancer dhe vetëkontrolli nuk e zëvendëson mamografinë apo metodat e tjera diagnostikuese”, vijon ajo.

Jahaj shprehet se trajtimi i kancerit të gjirit mbështetet në bashkëpunimin e një ekipi multidisiplinar, ku përfshihen kirurgu onkolog, onkologu klinik, radioterapeuti, radiologu dhe anatomopatologu.

“Trajtimi i kancerit të gjirit ka përparuar jashtëzakonisht shumë vitet e fundit. Sot nuk flasim më për trajtim të njëjtë, por për një trajtim të personalizuar dhe individual, bazuar në specifikat e secilës paciente”, thekson ajo.

Sipas mjekes, kirurgjia mbetet një nga shtyllat kryesore të trajtimit. Në varësi të karakteristikave biologjike të tumorit, madhësisë, moshës së pacientes dhe përhapjes së sëmundjes, mund të zgjidhet ruajtja e gjirit ose mastektomia, e shoqëruar në raste të përshtatshme me rindërtimin e tij.

“Vitet e fundit onkologjia e gjirit ka ecur me ritme shumë të shpejta në Shqipëri. Janë futur në aplikim terapitë e shënjestruara anti-HER2, si dhe kombinimet e terapive hormonale me inhibitorët CDK4/6 apo imunoterapia në tumoret trefish negative (triple-negative), të cilat e kanë rritur ndjeshëm mbijetesën. Sfida jonë nuk është vetëm të kemi njohuritë e duhura, por edhe të sigurojmë që pacientët të kenë akses në këto mjekime në kohën e duhur”, thekon Jahaj.

Në përfundim, Jahaj u bën thirrje grave që të mos e shtyjnë kontrollin për shkak të frikës nga diagnoza.

“Jepini prioritet shëndetit tuaj. Frika nuk duhet të jetë një arsye për të shmangur kontrollin. Kontrolli në kohë shpëton jetë”, apelon mjekja onkologe-radioterapeute.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›