E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritje e ngrohtë për kombëtaren argjentinase

Më shumë se 15 mijë persona kanë dalë në aeroportin Ezeiza të Buenos Airesit, për të pritur Diego Maradonan dhe futbollistët tjerë të kombëtares argjentinase, pavarësisht zhgënjimit të madh në Afrikën e Jugut, pas eliminimit në çerekfinale.
Fillimisht kishte spekulime dhe ekzistonte frika në shtabin argjentinas se ata do të shihnin tifozë të hidhëruar me parulla kundër kombëtares, me Maradonan që u kishte premtuar lojtarëve mbrojtje në rast se tifozët sulmojnë ndonjërin prej tyre.
Megjithatë, ajo që u prit nuk ndodhi. Me tu ulur aeroplani mijëra tifozë argjentinas mbushën pistën e aeroportit, për t'i uruar lojtarët për sulmin e treguar në Botëror dhe trajnerin për imazhin dhe konferencat e paharruara për shtyp.
Fansat e Argjentinës, gjatë gjithë kohës brohorisnin, 'Maradona të lutemi mos u largo'. Mirëpo, pavarësisht dëshirës së tifozëve që Maradona të mbesë në krye të kombëtares argjentinase, e ardhmja e tij mbetet e paqartë, pasi që vetë legjenda argjentinase ka thënë se po e shqyrton largimin, por se 'amaneti' i tij i fundit në rast se ai largohet, do të ishte që kushdo që do ta zëvendësonte, të vazhdonte me stilin e njëjtë të lojës sulmuese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›