E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritje nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës

Përvjetori i parë i Pavarësisë së Kosovës mblodhi ditën e 17 Shkurtit përfaqësues të vendeve të ndryshme të akredituara pranë Mbretërisë së Belgjikës, pranë organizmave të Bashkimit Europian dhe të NATO-s, si edhe shumë bashkatdhetarë nga emigracioni shqiptar i këtushëm, i vjetër e i ri. Në Conrad Hotel, miqtë e shumtë u pritën nga i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, zoti Ilir Dugolli, sekretari i Parë, zoti Skënder Durmishi dhe përfaqësues të tjerë të Ambasadës.
    Mes personaliteteve të larta që nderuan përvjetorin e parë të shtetit më të ri të Ballkanit, ra në sy prania e zonjës Doris Pack, e europarlamentarit Bart Staes, ithtar i paepur i çështjes kosovare, si edhe e përfaqësuesve të trupit diplomatik nga shumë Vende Arabe që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Ndër ta, do të përmendja përfaqësuesin e Arabisë Saudite, një ndër vendet më me peshë të Lindjes së Mesme. Nuk munguan as përfaqësuesit e shteteve ballkanike, si ata të Shqipërisë, në krye me ambasadoren Mimoza Halimi, të Malit të zi, të Maqedonisë etj.
    Në kulmin e ceremonisë, zoti Ilir Dugolli përshëndeti me një fjalë të shkurtër në gjuhën angleze. Pasi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në festimet e këtij përvjetor të parë, ai e vuri theksin në rëndësinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. 17 Shkurti i vitit 2008, jo vetë që realizoi ëndrrën qindravjeçare të popullit kosovar, tha ai, por “solli edhe një realitet të ri, që ka të bëjë drejt për drejt me paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit”.
    Fjala e zotit Dugolli u prit me vëmendje nga ana e të pranishmëve dhe u përcoll me duartrokitje.
    Më pas, vazhduan urimet, thelbi i të cilave përmblidhej në shprehjet: “Ta gëzojmë!” “Të gjithë bashkë!”
    Ajo çka ra në sy gjatë gjithë pritjes, ishte atmosfera sa solemne, aq edhe festive që përjetuan mjediset luksoze të hotelit të Avenue Louise, 71, një nga hotelet më të njohura të Brukselit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›