“Privatizimi, proces me rëndësi në reformën ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit”
Në mbledhjen e qeverisë starton faza finale e privatizimeve të aseteve shtetërore në kompanitë e mëdha e me interes strategjik për ekonominë
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave se përmes privatizimeve, i jepet jetë reformës ekonomike në vend, si dhe njëherazi është një masë ndëshkimore ndaj fenomenit të korrupsionit. Sipas kreut të qeverisë, pronësia dhe menaxhimi privat, mbeten një kusht themelor në luftën antikorrupsion. “Çështje kryesore në këtë mbledhje është çështja e privatizimit. Procesi i privatizimit është një proces jetik ne reformën ekonomike të një vendi, është një proces me rëndësi të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit pasi e faktuan se pronësia dhe menaxhimi privat përben një kusht themelor të luftës kundër korrupsionit dhe të zvogëlimit të këtij fenomeni me pasoja të rënda. Sot, Shqipëria është vendi me sektorin publik më të vogël në Evropë dhe ndoshta më të vegjlit në botë, vendi që në tërësi, prodhimi i brendshëm ndofta në masën 83-84 për qind vjen nga sektori privat. Realisht sektori publik përveç energjisë elektrike nuk ka ndonjë prodhim tjetër. Ky sektor kontribuon ne prodhimin e brendshëm me buxhetin e vet, i cili është shumë herë më modest se sa buxheti tërësor i sektorit privat të Shqipërisë. Por qëllimi i privatizimit është njëkohësisht rritje e madhe e efiçencës së menaxhimit. Kjo është e vërtetë për çdo vend, por kjo e vërtetë është më e madhe se çdo vend tjetër,për Shqipërinë, e cila ka trashëguar, kapacitetet publike menaxhuese të pa-lakmueshme, ndaj dhe ne këtë kontekst për të kapur një nivel të ri menaxhimi është e domosdoshme të procedohet me shpejtësi drejt privatizimit. Theksoj dhe njëherë nuk ka asnjë vend tjetre qe te këtë sektor publik më të vogël se Shqipëria, nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë bërë privatizime më te mëdha dhe më të thella se Shqipëria. Por prapë ne duhet ta finalizojmë këtë proces”, u shpreh Berisha.
Kryeministri specifikoi se pronë publike do të jenë; shkollat, spitalet, digat dhe pronat pa pronar. Berisha u propozoi ministrave të kabinetit që të përshpejtojnë me këtë proces deri në mbylljen përfundimtare të tij.
“Çdo ditë të bëni bilancin e përpjekjeve e proceseve e punës agjencive dhe vartësve për shpejtimin e këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ky përbën njërin nga proceset themelore të një ekonomie të lirisë së tregut. Të shqyrtohen termat, të përshtaten me situatën e realitetit dhe të procedohet me privatizimin e INSIG-ut, i cili për shkak të furtunës financiare botërore pati problematikën e vet. Janë ndërkohë edhe 1280 objekte të tjera, të cilat janë në proces e sipër. Të gjitha këto objekte në rast se kanë pronar, do të respektohet e drejta e parablerjes nga pronari. Por këto objekte do të privatizohen në përputhje me rregullat dhe me transparencë të plotë”, tha Berisha.
Ai kërkoi që gjysma e dytë e këtij viti, të konsiderohet si vendimtare në kompletimin e procesit të privatizimit.
“Shqipëria do të ketë si pronë publike digat e mëdha, shkollat e spitalet, parqet kombëtare dhe tokat pa pronarë. Të tjerat do të jenë tërësisht në administrim dhe menaxhim të sektorit privat”, tha Berisha, duke shprehur besimin se kjo do ta bëjë ekonominë shqiptare shumë konkurruese.
Kryeministri në dukje se një nga shkaqet që Shqipëria i rezistoi krizës financiare botërore ishte fakti se ngarkesa publike është sa gjysma e çdo vendi tjetër përreth.
“Duke kompletuar privatizimin, kjo ngarkesë bëhet edhe më e vogël, taksat e qytetarëve dhe biznesmenëve nuk do të shkojnë për rroga, por për shkolla, për rrugë, për spitale dhe shërbime për të realizuar objektivin tonë madhor, Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017”, deklaroi kryeministri, ndërsa vijoi se procesi i privatizimeve, është një proces themelor për ekonominë e tregut të lirë.
Berisha kërkoi që të shikohet mundësia e dhënies së çdo shërbimi për menaxhim nga sektori privat.
“Zoti Ministër i Punëve Publike, në 4 vjeçarin që shkoi u ndërtua vepra më e madhe publike në historinë e këtij vendi. Ne e ndërtuam atë, por atë e ndërtoi Bechtel, Enka. Ky vend nuk ka kapacitete publike për mirëmbajtjen e tij. Unë e di se ju keni kontratuar dhe ministria juaj po punoj me IFC, për ta dhënë për menaxhim sa më shpejt.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky proces të ecë, por unë mendoj se duhet të konsiderohet në këtë aspekt edhe akse të tjera rrugore. Sapo të përfundojë segmenti Shkëmbi i Kavajës – Rrogozhinë atëherë dhe autostrada, Tiranë – Fier, Tiranë – Durrës, të shqyrtohet, të jepet për menaxhim. Këto janë vepra të mëdha. Drejtoria e përgjithshme e rrugëve nuk disponon kapacitetet njerëzore dhe materiale për mirëmbajtjen e tyre. Mirëmbajtja e tyre është një proces shumë i ndërlikuar. Vende të tjera të mëdha, ndër më të mëdhatë e Evropës, nuk marrin përsipër mirëmbajtjen, por ia japin kompanive të mëdha për ti mirëmbajtur. Këtij procesi duhet ti drejtohemi dhe ne është e domosdoshme të nxisim, të shqyrtojmë mundësinë e aplikimit, përdorimit, të partneritetit publik, privat. Në qoftë se koncesionet në fushën e energjisë kanë njohur zhvillimet më të fuqishme ndofta se në asnjë vend tjetër partneriteti publik, privat ka potenciale të mëdha, të pashfrytëzuara , potenciale të mëdha për autoritet vendore dhe unë mendoj që duhet të bëhet një seminar, me te zgjedhurit e rinj, në mënyrë që ata si autoritet kontrator, që i përcakton ligji të mund të shfrytëzojnë për zhvillim të gjitha burimet e mëdha që kanë në territorin e komunave të tyre”, u shpreh më tej kryeministri Berisha, duke deklaruar se përparësi do t’i jepet partneritetit, publik privat si një nga objektivat më kryesorë të zhvillimit.