E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretendimet talebane të një PS-je që kujton se ka Monopolin e Drejtësisë

26-05-2011 / Redaksionale

Disa ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë vendimin për Bashkinë e Tiranës duke shpallur si fitues kandidatin e Partisë Demokratike Lulzim Basha; kurse beteja ligjore ka kaluar në Kolegjin Zgjedhor në Gjykatën e Apelit, pas ankimit të Partisë Socialiste. Sot nis edhe maratona e fundit e seancave gjyqësore nga ku me të goditurën e çekiçit nga dora e gjyqtarit, do të ligjërohet edhe fituesi për Bashkinë e Tiranës. Lulzim Basha është fitues në sytë e qytetarëve dhe sipas vendimit të KQZ-së, moralisht është në rregull, vetëm një stacion i fundit e ndan nga fillimi i punës. Ndërsa Edi Rama është në hall, i stresuar përderisa ka filluar edhe cigaren, dhe moralisht i humbur, pasi kuti-Hapësi 2 vjeçar u kthye në kuti-Mbyllësin më të shpejtë të historisë. Duhet reflektuar ca në këtë pikë sepse flakja e mundimeve (bojkot, protesta, greva urie, demonstrata, etj) për transparencë i ka sjellë këtij vendi jo shumë të mira. Është e çuditshme të shikosh sesi hapja e kutive ishte kauza e drejtë dhe lajtmotivi dy vjeçar i opozitës socialiste, ndërsa sot ajo kundërshton me forcën e rrugës dhe paditjen e ligjit hapjen e kutive. Një thagmë, që shoqërohet me një paradoks politik.
Ndërkaq Partia Socialiste direkt pas padisë ka filluar një fushatë kushtëzimi paraprak të opinionin publik, me qëllim kushtëzimin e vendimit përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor. Natyrisht këtë operacion presioni “specialistëve” - siç i quante “socialistët” i ndjeri Arbnori – është i rafinuar. Sepse çdo ditë socialistët flasim për mundësitë që ka pushteti i “kryeministri Berisha” për t’i bërë presion Kolegjit, ndonëse janë pikërisht ata që po mësyjnë, me gjithë shtinjakërinë e tyre ndaj gjyqtarëve, duke u bërë përditë biografinë nëpër media e tyre, me thirrjet publike, që të vendosin “Drejtësi”, çka për ta do të thotë një vendim në favor të Ramës, përndryshe ka “revolta popullore”. Shtypi atashuar pranë furrikut socialist i frymëzuar prej kultit të parasë shkruan se Kolegji është marrë peng nga kryeministri Berisha, e gjithfarë supozimesh të tjera me polica dhe hajdutë.
Sido që të jetë rikthimi i bojkotit Parlamentar, i bllokimit të rrugëve me “revolta popullore”, dhe kërcënimi se do ta lenë mandatin të gjithë të zgjedhurit socialistë ka veç një synim të përgatisë sa më mirë dhe më thellë terrenin  e konfliktit për të dy vitet e ardhshme. Burimi i Pushteti të Ramës vjen prej konfliktit. Ndryshe është e vështirë të kuptohet ajo çfarë tha Edi Rama para dy ditësh “nuk njohim vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë, dhe nuk do të njohë atë të Kolegjit Zgjedhor, nëse nuk i jepet fitorja Partisë Socialiste”. Ky qëndrim i Ramës për vendimet e drejtësisë do të thotë që ka drejtësi vetëm atëherë kur jepen në favor të tij, në të kundërt, nuk ka drejtësi dhe do të plasi “revolta popullore”. Është një paragjykim primitiv, të thuash se është drejtësi vetëm kur jepen në favor të kauzës personale. Kjo është thjesht absurde. Kjo është njëlloj si të thuash topin e kam unë, bilbilin e kam unë, penalltinë e jap unë, golin e bej po unë dhe fitorja është sigurisht  e imja. Kundërshtari s’më intereson fare. Dhe ky është një nga paradokset më të çuditshme të prodhuar nga kombinati socialist: “nëse drejtësia nuk bën drejtësi, nuk njohim rezultatin”.
Megjithatë vetëm fëmijët tremben nga shkreptimat e reve të zeza. Cilido që ka brenda guximin qytetar pret dhe respekton vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Institucione janë vënë në provë sërish, pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është radhë e Kolegjit Zgjedhor të vendosë mbi votën e qytetarëve të kryeqytetit, që kanë shprehur vullnetit e tyre të lirë dhe të pavarur, pavarësisht se disa vota janë hedhur në kutinë jo të duhur, por jo të pavlefshme. Është brenda logjikës demokratike të lexohen të gjitha votat, pasi pak rëndësi në cilën kuti gjenden, sepse procesi është kompleks.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›