E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria mban frymën, nis sot në Tiranë Europiani i Peshëngritjes 2013

Gazeta Shqip

Kampionati

Rreth 400 sportistë nga i gjithë kontinenti, nga të cilët 12 shqiptarë, në garë për medaljet

Presidenti Bujar Nishani dhe peshengritesit e ShqiperiseMë në fund gjithçka është gati. Shqipëria do të mbajë sot frymën për nisjen zyrtare të Kampionatit Europian të Peshëngritjes 2013 për të Rritur, i cili do të zhvillohet në Tiranë, në pallatin e sportit Asllan Rusi. Kjo ngjarje historike e sportit në Shqipëri, e kushtueshme jo pak, por 600 mijë euro, ka ngritur siparin që me 5 prill dhe mbyllet më 15 prill. Që nga e premtja e deri dje janë përfunduar të gjitha përgatitjet teknike dhe sot do të nisin zyrtarisht garat në pedanë. Plot 32 shtete të kontinentit, si: Kosova, Italia, Rumania, Azerbajxhani, Ukraina, Turqia, Spanja, Bullgaria, Franca, Rusia, Armenia, Polonia, Moldavia, Suedia, Greqia, Danimarka, Finlanda, Republika Çeke, Bjellorusia, Norvegjia, Kroacia, Sllovakia, Sllovenia, Gjermania, Bosnjë-Hercegovina, Estonia, Letonia, Gjeorgjia, Hungaria, Zvicra, Holanda së bashku me Shqipërinë, do të përfaqësohen në këtë eveniment të rëndësishëm me 400 sportistë. Ndërsa do të jenë 12 sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë europian, dy shtangiste femra e 10 meshkuj dhe shpresat për medalje janë të mëdha. Dy femrat e vetme janë nënkampionia e kontinentit, Romela Begaj, si dhe e rikthyera Fetije Kasaj. 26-vjeçarja Begaj vjen në këtë veprimtari duke synuar më shumë se kurrë titullin e kampiones së Europës, duke përfituar edhe nga fakti që do të konkurrojë në Tiranë, përballë publikut vendas. Por edhe 27-vjeçarja Kasaj ka treguar se po rikthehet gradualisht në nivele të larta edhe në arenën ndërkombëtare. Për meshkuj, në mungesë të Erkand Qerimajt dhe Hysen Pulakut (të pezulluar për shkak të dopingut), sportistët që premtojnë medalje janë Daniel Godelli, i cili ka shërbyer edhe si simbol i imazhit të Kampionatit Europian të Tiranës, dhe të rivalit të tij në të njëjtën peshë (69 kg), Briken Calja. 21-vjeçari Godelli, një herë fitues i titullit të Kampionit të Botës për të rinj dhe medalist në kampionatet të kësaj grupmoshe, por edhe të të rriturve, do të synojë ashtu si dhe Begaj, të përfitojë nga mbështetja e publikut të zjarrtë në Asllan Rusi. Për sa u përket të tjerëve, rezultat të mirë shpresohet edhe nga 29-vjeçari Isa Bala, 27-vjeçari Endri Haxhihyseni dhe 24-vjeçari Ervis Tabaku. Ndërsa për pjesën e mbetur të sportistëve të rinj shqiptarë, ky Europian do të jetë një përvojë e mirë për ta. Ora 12:00 e ditës shënon edhe startin zyrtar me garën e femrave në peshën 48 kg, ndërsa në orë 17:00 do të zhvillohet ceremonia e hapjes.

Sportistët shqiptarë

MESHKUJ

Briken Calja    69 kg

Daniel Godelli  69 kg

Krenar Shoraj   77 kg

Xhulio Prroni   85 kg

Endri Haxhihyseni    85 kg

Ervis Tabaku    94 kg

Isa Bala   +105 kg

Sportistët shqiptarë

FEMRA

Romela Begaj    58 kg

Fetije Kasaj    58 kg

MESHKUJ

Anxhelo Shabani 56 kg

Arbër Çerçizi   56 kg

Romario Avidraj 62 kg

Shqipëria mban frymën, nis sot në Tiranë Europiani i Peshëngritjes 2013 burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›