Prizren: Stop lëvizjeve të automjeteve në qendër gjatë fundjavës

Autoritetet komunale të Prizrenit kanë marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve gjatë fundjavave në qendër të qytetit dhe anën e majtë të rrjedhës së Lumëbardhit, respektivisht nga Ura e Arastës e deri te Marashi. Mjetet motorike do të kenë orar të kufizuar kur mund të lëvizin, me qëllim të furnizimit të bizneseve në këtë lokacion, ndërkohë që qarkullimi i tyre jashtë këtij kufizimi, tani e tutje do të sanksionohet nga organet përgjegjëse. Deri më tani, në këtë zonë, automjetet kanë lëvizur në bazë të një lejeje të posaçme të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, por pa ndonjë limit kohor. Vendimi që automjetet gjatë ditëve të vikendit të mos qarkullojnë në qendër nga ora 10:00 deri në orën 22:00 është aprovuar nga anëtarët e Kuvendit Komunal, me shumicë votash.
"Është e papranueshme që familjarët sa herë të dalin të dielave në një zonë këmbësorie, që për më tepër është një zonë historike, të ballafaqohen me automjete të ndryshme", ka thënë kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, gjatë arsyetimit të këtij vendimi. Ai ka pohuar se në këtë pjesë do të ndalet qarkullimi i çdo lloj automjeti, përpos i atyre të Emergjencës, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Madje ai ka shtuar se do të ketë konsulta me strukturat përgjegjëse për sigurinë në mënyrë që prania e automjeteve të tyre të jetë minimale dhe që ato të mos vendosen në pikat që tërheqin vëmendjen e vizitorëve të Prizrenit. Kryeziu është zotuar se me këtë vendim do të njoftohen edhe institucionet e sigurisë në mënyrë që fundjavat në qendër të qytetit të reflektojnë një atmosferë relaksuese dhe jo atë të viteve të pasluftës.
Për dallim prej tij, këshilltarja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fidan Jilta, ka kërkuar që ky orar i ndalim qarkullimit të automjeteve të aplikohet për çdo ditë dhe jo vetëm në vikende. "Kjo pjesë e qendrës së qytetit, edhe pse është e veçantë, aty ka prani të madhe të automjete, që e shfrytëzojnë këtë zonë edhe për vendparkim. Aty nuk është vendi për parkim dhe ndalesa me orar të caktuar duhet të vlejë gjatë tërë javës", ka thënë Jilta.
Mirëpo, kryesuesi i KK-së, Nijazi Kryeziu, ka pohuar se fundjavat janë më problematike për qarkullimin e këmbësorëve, derisa për ditët e tjera të javës ka theksuar se modalitetet përcaktohen me rregulloren për komunikacion, e cila edhe ashtu e përcakton këtë si zonë këmbësorie.
Ndërkohë drejtori komunal i Shërbimeve Publike, Hasan Hasani, ka rikujtuar se autoritetet lokale duhet të përkujdesen edhe për interesat e biznesit, prandaj dhe është lejuar që qarkullimi nga ora 22:00 deri në orën 10:00, gjatë së cilës kohë lokalet e ndryshme hoteliere, shërbyese por edhe tregtare do të mund të kryenin furnizimin, pa i penguar këmbësorët, që në ditët e fundjavës janë në numër të madh. "Unë e mbështes këtë vendim dhe ftoj organet përgjegjëse që ta zbatojnë me përpikëri", ka thënë Hasani.
Në anën tjetër, edhe dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit inkurajojnë pushtetin lokal që të promovojë mjetet jomotorike të transportit në këtë zonë të veçantë. Neni 12 i këtij Ligji autorizon "organin kompetent komunal për rregullimin e trafikut që të hartoj planin dhe regjimin e posaçëm të transportit automobilistik për Qendrën Historike të Prizrenit, me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lehtë dhe të vazhdueshme, duke promovuar mjetet jomotorike të transportit"./Indeksonline/