E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prizreni gati për panairin e librit

Nën organizimin e OJQ AKEA (Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim) sivjet, ashtu si edhe tri vitet e fundit, do të mbahet “Panairi i Librit Prizreni”. Edicioni i katërt i Panairit përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, përkatësisht Departamenti për Kulturë.

Në një komunikatë të dërguar nga organizatori, thuhet se edicionet e kaluara kanë dëshmuar për rritje të interesimit për librin, si nga ana e lexuesve prizrenas e më gjerë, po ashtu nga turistët, shtëpitë botuese, intelektualët etj.

Panairi do të mbahet prej datës 8 deri më 13 korrik në ambient të hapur tek ish-parkingu në qendër të qytetit, afër Shadërvanit.

Secilën mbrëmje, duke filluar nga ora 20:30, do të ketë program kulturor me mbrëmje letrare, promovime librash, autorësh dhe shtëpish botuese. Pjesëmarrës do të jenë personalitete të njohura të pendës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Hapja solemne e Panairit do të bëhet të dielën, duke filluar në ora 19:00, ku do të jenë prezentë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Kulturës, të Kuvendit Komunal të Prizrenit, personalitete nga jeta publike, intelektualë e qytetarë.

Në “Panairin e Librit Prizreni 2012” do të marrin pjesë shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Turqia.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›