Ditari i Ana Frankut si aplikacion në celular

Menaxheri i medias digjitale, Ita Amahorseija thotë se qëllimi i aplikacionit është të tregojë historinë e Ana Frank-ut për ata që sot jetojnë në Amsterdam.
“Ajo që ne donim ishte të vendosnim një lidhje mes të shkuarës dhe të tashmes. Kështu kur ata qëndrojnë përpara stacionit qendror ose afër shtëpisë së tyre dhe më pas shohin në aplikacionin do të kuptojnë se çfarë ka ndodhur atëherë,” thotë Amahorseija.
Ana Frank ishte një nga miliona viktimat e Holokaustit. Ajo shkroi ditarin e saj të famshëm kur fshihej së bashku me familjen e saj në një shtëpi në Amsterdam gjatë kohës së pushtimit nazist në Holandë. Vetëm babai dhe ditari i saj i mbijetuan Holokaustit.
Aplikacioni i Anës ka qëllim të krijojë një lidhje të historisë së shkuar të kryeqytetit holandez me të tashmen, veçanërisht me fotografi të bëra në kohën e luftës. Me anë të një GPS, përdoruesit navigojnë në Amsterdam në 30 pika të rëndësishme që kanë lidhje me historinë e Ana Frank. Vendi ku ajo jetonte, shkolla, aneksi ku u fsheh bashkë me familjen nga nazistët dhe libraria e famshme, ku i ati bleu ditarin e famshëm.
Përdoruesit mund të marrin informacione multimediale për secilin nga këto vende. Për shembull përballë muzeut aplikacioni të tregon vendin ku Jan Gies, një mik i familjes Frank, pa se si ata u arrestuan nga nazistët. Përdoruesit mund të dëgjojnë një intervistë të Jan Gies, i cili flet për ngjarjen, ndërkohë që ata ndodhen në vendin ku ka ndodhur ngjarja.
Pjesa më e madhe e vendeve për t'u vizituar janë afër shtëpisë së Ana Frank dhe nëse e bën këtë tur në mënyrën tradicionale holandeze, me biçikletë, atëherë do t'iu duhen dy orë e gjysmë. Më larg ndodhet shtëpia, ku Ana jetoi me familjen e saj para se të fshihej në qendër të Amsterdamit. Shtëpia ndodhet në Amsterdamin jugor. Harald Krämer, eksperti i komunikimit në muze dhe lektor në Shkollën e Artit në Zyrih, thotë se aplikacioni është shumë efektiv dhe i bën njerëzit të vizitojnë edhe vendet e tjera historike.
“Nuk është thjesht navigim për të të çuar nga një pikë në tjetrën. Është një histori personale që tregon se çfarë ka ndodhur në gjithë qytetin,” thotë ai.
Aplikacioni mund të shkarkohet falas në muze, por ai është më i përshtatshëm për banorët lokalë sepse turistët e huaj duhet të paguajnë tarifat roaming.
Muzeu i Ana Frank i bashkohet një numri të madh muzesh në botë që i gjen edhe në formën e aplikacioneve. Ndër muzetë që e kanë bërë këtë janë ai i Artit Modern në Nju Jork, Luvre në Paris dhe Galeria Kombëtare në Londër. Sidoqoftë Krämer, thotë se përdorimi i aplikacionit nuk mund të të zëvendësojë prekjen nga afër të këtyre vendeve historike. Ai shprehet se vizitorët duhet të shikojnë gjerat origjinale të Anës në muze dhe të mos mjaftohen me virtualitetin. Aplikacioni Anne Amsterdam ofrohet në tri gjuhë anglisht, holandisht dhe gjermanisht. Organizatat LBi dhe Repudo ishin ato që krijuan dhe ia dhuruan aplikacionin muzeut.