E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prizreni, si kult kombëtar

Dje, në Muzeun Historik Kombëtar u hap ekspozita fotografike në kujtim të 130-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Një ceremoni modeste, ku munguan personalitetet politike dhe ministri i Kulturës. Një ngjarje për shqiptarët që përcillet thjesht si moment datimi, dhe jo kombëtar për mbarë trevat shqiptare. Një refleksion të tillë bën në shkrimin e mëposhtëm historiani Kasem Biçoku

Prizreni, si kult kombëtar

Kuvendi i Prizrenit është mbajtur si institucion i traditës kombëtare shqiptare.

Kuvendi historikisht gjithnjë ka qenë organi më i lartë vendimmarrës për çështje shoqërore e politike. Ai ka vepruar që nga njësitë territoriale më të vogla dhe deri në kuvendet e shkallës më të lartë, kombëtare. Nëpërmjet kuvendeve është realizuar bashkëpunimi dhe bashkimi i shqiptarëve. Në kuvend të gjithë pjesëmarrësit ishin të barabartë, pavarësisht nga pozita ekonomike, kulturore e politike. Në të miratohej zgjidhja më e argumentuar e më bindëse dhe nuk kishte rëndësi pozita e atij që shprehte mendimin e pranuar.

Kuvendi përmendet vazhdimisht në burimet historike mesjetare e të shekujve më të vonshëm. Ai ka qenë i lidhur ngushtë me të drejtën dokësore shqiptare dhe ishte institucioni më i lartë për zbatimin e saj, si edhe për ndryshimin e përshtatjen me kohën të disa normave të së drejtës dokësore.

E drejta dokësore gjithnjë ka qenë vendimtare për ruajtjen e njësisë kombëtare të shqiptarëve dhe çmohej mbi besimet fetare. “Këto ligje janë të njëjtë për të gjithë: ndryshimi i fesë nuk ndryshon gjë”, - ka shkruar ideologu i Lidhjes Kombëtare të Prizrenit, Pashko Vasa. Së drejtës dokësore i nënshtrohej edhe e drejta kishtare. Për këtë Edit Durham ka shkruar: “Ndër shqiptarë shprehja “Kështu ka thënë Leka” ka më tepër forcë sesa dhjetë porositë e Biblës. Mësimet e Islamit e të Krishterimit, ligji i Sheriatit dhe i Kishës, të gjitha duhet t’i nënshtrohen Kanunit të Lekës”.

Kur kuvendet mblidheshin për çështje politike, atëherë vepronte institucioni i besës, i cili për shqiptarët është kult kombëtar. Disa lidhje a bashkime politike ose organizata politike janë njohur ose janë vetëemëruar me fjalën besë, si “Besëlidhja e Lezhës” në 1444, “Besa-Besë” në 1889 për Lidhjen e Pejës etj.

E drejta dokësore, kuvendi dhe besa kanë bashkëvepruar fuqishëm në mendësinë e shqiptarëve, në jetën shoqërore e politike tyre dhe pa njohjen e këtyre institucioneve nuk mund të kuptohen mirë veçoritë e ngjarjeve politike dhe të historisë kombëtare shqiptare.

Pas “Kuvendit të Përgjithshëm” të Skënderbeut, që krijoi “Besëlidhjen e Lezhës” më 2 mars të vitit 1444, Kuvendi që u mbajt më 10 qershor të vitit 1878 në qytetin e Prizrenit, nën drejtimin e Iljaz pashë Dibrës, është Kuvendi i dytë Kombëtar për nga rëndësia historike e tij. Ai krijoi Lidhjen Kombëtare (10 qershor 1878 - 23 prill 1881) që është bashkimi politik dhe ushtarak më i madh në historinë e re të shqiptarëve. Lidhja Kombëtare e Prizrenit u krijua në kohë të rënda për kombin shqiptar.

Që në vitin 1844 midis qeverive serbe dhe greke ishte arritur marrëveshja që të mos lejohej krijimi i një shteti shqiptar dhe trojet shqiptare të copëtoheshin midis tyre, duke pasur lumin Shkumbin si vijë ndarëse të përbashkët. Në zbatim të këtyre synimeve dhe duke shfrytëzuar disfatën e rëndë ushtarake që trupat ruse i shkaktuan Perandorisë Osmane në vitin 1877, ushtritë serbe pushtuan trojet shqiptare të Sanxhakut të Nishit. Që nga Guri i Shpuem, në veri të qytetit të Nishit e në jug të tij, në Kurshumli etj., që ishin troje të banuara kryesisht prej shqiptarëve, këta u masakruan prej ushtrisë serbe dhe u shpërngulën masivisht, një pjesë e të cilëve u vendosën në krahinën e Lipjanit.

Sipas traktatit të Shën-Stefanit, që u nënshkrua në mars të vitit 1878 midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane, u vendos që trojet e Shqipërisë së Epërme e të Mesme të kalonin nën pushtetin serb, bullgar e malazias. Ky traktat u hodh poshtë nga fuqitë e mëdha evropiane dhe u vendos që kryetarët e shteteve të tyre të mblidheshin, në qershor të vitit 1878, në një kongres për të vendosur për fatin e Perandorisë Osmane, pra edhe të trojeve shqiptare, duke përfshirë edhe Shqipërinë e Poshtme.

Shqiptarët reaguan energjikisht. Në kryeqendrat e Shqipërisë së Epërme dhe të Poshtme, Shkodër dhe Janinë, atdhetarë të njohur krijuan Komitetet e Fshehta për organizimin e qëndresës shqiptare. Pas disa muajsh, në dhjetor të vitit 1877, u mblodhën në Stamboll personalitetet më të shquara të Lëvizjes Kombëtare, si Pashko Vaso, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Zija Prishtina, Hasan Tahsini, Jani Vreto, Ahmet Koronica, Koto Hoxhi etj., të cilët formuan “Komitetin Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar”. Komiteti Qendror u krijua si qendër politike për të organizuar dhe drejtuar lëvizjen mbarëkombëtarë të shqiptarëve. Për të shprehur unitetin kombëtar e fetar të të gjithë kombit tonë, themeluesit dhe anëtarët e Komitetit Qendror ishin përfaqësues të trevave të Shqipërisë së Epërme e të Poshtme dhe të tre besimeve fetare të shqiptarëve. Pas dy vjetësh (më 12 tetor të vitit 1879) krijuan “Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip” dhe, po në Stamboll, botuan në mijëra ekzemplarë “Alfabetaren e gjuhës shqipe”, që ishte njëherazi edhe një antologji me njohuri për historinë e Shqipërisë etj.

Këta burra mendjendritur, që ishin pjesë e elitës kulturore e politike të Perandorisë Osmane, njihnin mirë historinë dhe realitetin evropian të kohës. Perandoritë shumëkombëshe ishin në krizë, po shpërbeheshin. Por shtetet e reja evropiane që po dilnin nga gërmadhat e këtyre perandorive, ishin në radhë të parë krijesa të mbështetjes dhe të interesave të fuqive të mëdha evropiane të kohës.

Drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare ishin njohës të shkëlqyer të synimeve politike të shteteve ballkanike e evropianë për shkatërrimin e Perandorisë Osmane, synime këto që propagandoheshin në atë kohë me frymën e vjetër fetare mesjetare si “luftë e krishterimit kundër myslimanizmit”.

Këto mendësi evropiane të kohës dhe shpërthimi i konflikteve të armatosura në Ballkan, brengosën së tepërmi ideologët dhe veprimtarët e shquar të Lëvizjes sonë Kombëtare për fatet e kombit shqiptar, sepse, si komb me shumicë myslimane, nuk kishte mbështetje nga jashtë për krijimin e shtetit shqiptar. Prandaj ata u treguan të kujdesshëm në marrëdhëniet e tyre me pushtetin qendror të Perandorisë Osmane. Këtë qëndrim e ka sintetizuar në mënyrë brilante Pashko Vasa në përgjigje të propozimit të sulltan Abdyl Hamitit për t’u bërë vali i Kosovës: “Madhëri, jam një funksionar i Perandorisë dhe do të përpiqem që t’i shërbej me zell të çiltër; veç jam shqiptar dhe, nëse Madhëria juaj më detyron që të shkoj në Kosovë si vali, më shtrëngon të bëj tradhti: ose do të tradhtoj Perandorinë, ose do të tradhtoj atdheun tim!”.

Në rrethana kur vendet ballkanike dhe evropiane përdornin flamurët fetarë, ideologët dhe veprimtarët e Lëvizjes sonë Kombëtare i kushtuan vëmendje të veçantë ruajtjes dhe forcimit të harmonisë dhe bashkëpunimit të ngushtë midis shqiptarëve të të tre besimeve fetare për të shpëtuar trojet shqiptare prej copëtimit.

Në atë kohë ideologu i shquar i Lëvizjes Kombëtare, Pashko Vasa, shkroi poezinë “Moj Shqypni e mjera Shqypni”. Vargu lapidar i saj “Feja e shqyptarëve asht shqyptaria”, sintetizoi harmoninë shekullore ndërfetare midis shqiptareve dhe u bë motoja e gjithë Lëvizjes Kombëtare shqiptare. Fryma apo ideologjia e Lëvizjes sonë Kombëtare dhe synimet e saj për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare e krijimin e shtetit kombëtar kanë qenë shumë më të përparuar e largpamëse se ato të vendeve fqinjë, që u zhvilluan me parulla fetare mesjetare e synime aneksioniste, të cilat bënë që Ballkani të emërtohen “Fuçi baruti” dhe të shndërrohej herë pas here në arenë luftërash të përgjakshme e shkatërrimtare, që kanë vijuar deri në ditët tona.

Pas themelimit në Stamboll të Komitetit Qendror, disa anëtarë të tij u nisën në drejtim të Shqipërisë Epërme dhe të Poshtme për organizimin e qëndresës për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Më 10 qershor të vitit 1878, tri ditë para Kongresit të Berlinit, jo rastësisht u mbajt në Prizren Kuvendi i përfaqësuesve të krahinave kryesore të Shqipërisë së Epërme, të Mesme dhe, pas pak, në të morën pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë së Poshtme.

Prizreni ishte vend-kryqëzim rrugësh të drejtpërdrejta që lidhnin trevat kryesore të Shqipërisë së Epërme e të Mesme, kryeqendra e vilajetit të Kosovës që nga krijimi i tij dhe deri në vitin 1875. Ishte qyteti më i madh i Kosovës dhe me arsim të zhvilluar. Në prag të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar ai ka pasur 46 mijë banorë, 17 shkolla për djem dhe 9 për vajza në gjuhen turke, 1 shkollë ushtarake dhe 1 shkollë për shqiptarët katolikë. Në vitin 1871 kishte filluar botimi në gjuhën turke i gazetës vendore “Prizren”.

Kjo shtresë njerëzish të arsimuar ishte e pranishme kudo nëpër qytetet e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, e cila ka ndikuar shumë në përhapjen e rritjen e frymës atdhetare tek të gjithë shqiptarët. Kur u botua abetarja e Stambollit, në vitin 1879, më shumë se kudo ajo u përhap në Kosovë; mijëra e mijëra ekzemplarë të saj u shpërndanë nëpër të gjithë Kosovën.

Në Kuvendin Kombëtar të Prizrenit u vendos që të krijohej një Lidhje e fuqishme mbarëshqiptare për të mbrojtur interesat kombëtare të shqiptarëve përballë rrezikut të copëtimit të trojeve amtare. Si organe drejtuese qendrore të Lidhjes Kombëtare u zgjodhën: Komiteti Kombëtar dhe Kryetari, kurse si organe vendore degët, të cilat në shumë raste vepronin si pushtet paralel me atë të Perandorisë Osmane. Lidhja krijoi degët a saj në shumicën e qyteteve ku banonin shqiptarë, duke e shtrirë kështu veprimtarinë e vet kudo në trevat shqiptare. Degët e Lidhjes Kombëtare u ngritën në Prishtinë, Mitrovicë, Pazari i Ri, Ulqin, Shkodër etj., në Shqipërinë e Epërme. Në Shqipërinë e Poshtme ato u shtrinë në Janinë, Artë, Prevezë, Pargë etj. Degë të fuqishme Lidhja krijoi në qytete e trevave lindore, si në Shkup, Manastir, Kumanovë, Shtip, Ohër, Kostur, Follorinë etj.

Pas vendimit të Kongresit të Berlinit për kalimin e një pjese të Shqipërisë së Epërme nën pushtimin e Malit të Zi, drejtuesit e Lidhjes Kombëtare, të kryesuar në fillim prej Iljaz Pashë Dibrës dhe më pas (që nga muaji tetor i vitit 1879) prej Ymer Prizrenit, organizuan qëndresën e armatosur për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1879 forcat vullnetare shqiptare, të komanduara nga Ali pashë Gucia, shpartalluan ushtrinë e Malit të Zi dhe mbrojtën Plavën e Gucinë. Në prill të vitit 1880 vullnetarët shqiptarë, të besimit katolik e mysliman, u bashkuan nën komandën e Hodo Sokolit dhe i thyen sërish ushtritë e Malit të Zi, duke mbrojtur krahinat e Hotit dhe të Grudës, të cilat banoheshin kryesisht nga katolikë shqiptarë. Gjatë vjeshtës së vitit 1880 u bënë luftime të ashpra për mbrojtjen e Ulqinit kundër ushtrive të bashkuara malaziase, osmane dhe flotës evropiane, në të cilat forcat vullnetare shqiptare të komanduara nga Isuf Sokoli, Haxhi Mehmet Beci, Mehmet Gjyli etj., luftuan me heroizëm të pashoq dhe shumë prej tyre ranë në fushën e betejës me një vetëmohim, që i shtangu armiqtë e tyre shumëfish në numër e armatim. Në Shqipërinë e Poshtme u mbajtën kuvende në Gjirokastër e Prevezë për të organizuar mbrojtjen e trevave jugore, veçanërisht të Çamërisë, ku u shqua veprimtaria atdhetare e Abedin Pashë Dinos. Në Shqipërinë e Poshtme u mbajtën kuvende në Gjirokastër e Prevezë për të organizuar mbrojtjen e trevave jugore, veçanërisht të Çamërisë, ku u shqua veprimtaria atdhetare e Abedin Pashë Dinos.

Lufta heroike e shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve amtare shërbeu për ndërkombëtarizimin e kërkesës themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të kohës, që ishte bashkimi i të katër vilajeteve shqiptare (i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe i Janinës) në një njësi administrative më vete, fillimisht autonome në kuadrin e Perandorisë Osmane. Ky ishte në atë kohë hapi vendimtar dhe më realist për shmangien e copëtimit të trojeve shqiptare prej vendeve fqinjë dhe për krijimin më pas të shtetit të pavarur kombëtar, ku të përfshiheshin të gjitha trevat shqiptare.

Lufta e shndërroi çështjen shqiptare në një faktor të rëndësishëm politik ballkanik dhe evropian. Për ndërkombëtarizimin sa më shumë të çështjes shqiptare dhe të kërkesës për bashkimin e trevave shqiptare në një njësi administrative të veçantë, krahas dhjetëra memorandumeve, kërkesa dhe protesta që shqiptarët iu drejtuan Kongresit të Berlinit dhe Fuqive të Mëdha evropiane, rol të veçantë ka pasur botimi në gjuhët kryesore evropiane e me tirazh relativisht të madh (2.000 kopje në çdo gjuhë) i veprës së Pashko Vasës, “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Në pranverë të vitit 1879 vepra u botua dy herë frëngjisht (në Stamboll dhe në Paris), në maj të po atij viti vepra u botua anglisht në Londër e gjermanisht në Berlin, më pas u botua turqisht, arabisht e italisht. Vepra e Pashko Vasës ishte në atë kohë programi politik legal i Lidhjes së Prizrenit. “Autori në këtë vepër bëhet interpret i qëllimeve që përfshinte parashtresa e Lidhjes së Prizrenit për bashkimin e vilajeteve shqiptare në formë autonomie”, - ka shkruar për këtë vepër Mehdi Frashëri, historian brilant, një nga mendjet më të ndritura shqiptare të shek. XX. Pashko Vasën duhet ta vlerësojmë e nderojmë më shumë se deri tani.

Në të njëjtën kohë me botimin në kryeqytete e vendeve kryesore evropiane të librit të Pashko Vasës, dy përfaqësues të Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, në pranverë të vitit 1879, nisen me mision për të mbrojtur interesat kombëtare pranë qeverive të shteteve evropiane. Ata shkuan në Romë, Paris, Londër, Berlin, Vjenë dhe në Stamboll.

Ngjarjet rrodhën vrullshëm. Angazhimi i ushtrisë osmane në luftë kundër shqiptarëve dhe kalimi i Ulqinit nën pushtimin e Malit të Zi më 26 nëntor të vitit 1880 e detyroi Lidhjen e Prizrenit të vepronte energjikisht. Në dhjetor shqiptarët e Kosovës filluan aksionin për dëbimin e administratës vendore osmane dhe në fillim të vitit 1881 u mbajt Kuvendi i jashtëzakonshëm i Lidhjes, i cili vendosi shndërrimin e Komitetit Kombëtar në Qeveri të Përkohshme me kryetar Ymer Prizrenin. Repartet ushtarake vullnetare të qeverisë shqiptare, të komanduara nga Sulejman Vokshi, gjatë muajit janar çliruan qytetet e Kosovës së sotme, si edhe Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën etj., dhe ngritën kudo administratën e re vendore, e cila vendosi kudo rregullin publik dhe sigurinë e pronës e të jetës qytetare.

Në pranverë të vitit 1881 një ushtri shumë e fuqishme osmane, e pajisur me artileri të rëndë, sulmoi viset shqiptare të çliruara. Ushtria vullnetare e qeverisë së Ymer Prizrenit kundërveproi fuqishëm. Edhe pse në numër ishin disa herë më pak se ushtarët osmanë, edhe pse ishin të armatosur vetëm me pushkë, luftëtarët shqiptarë bënë qëndresë të fuqishme e heroike gjatë muajit prill të vitit 1881 dhe shumë prej tyre ranë me lavdi në betejat e Grykës së Kaçanikut, të Slivovës, të Shtimjes etj. Me epërsinë e madhe ushtarake, qeveria osmane arriti të rivendosë pushtetin mbi viset shqiptare dhe të arrestojë e ndëshkojë rëndë anëtarët e qeverisë së Ymer Prizrenit dhe drejtuesit e Lidhjes Kombëtare.

Qeveritë e shteteve fqinjë dhe evropiane, ushtritë osmane dhe qeveritarët dritëshkurtër të kësaj Perandorie nuk arritën të mposhtnin dot idealin e madh të Lidhjes së Prizrenit, krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Këtë kërkesë për herë të parë ajo e formuloi, e ndërkombëtarizoi dhe e bëri çështje kryesore të të gjithë kombit tonë. Prandaj Lidhja Kombëtare e Prizrenit është ngjarje madhore e historisë së shqiptarëve, e cila përjetësisht do përkujtohet prej tyre me nderim tepër të veçantë, sepse aty nisi rruga për pavarësinë e të dy shteteve që shqiptarët gëzojnë sot.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›