E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stina e Minarollit



Kjo është stina e duhur për regjisorin Artan Minarolli. Dje sapo ka hedhur në shesh xhirim aktorët, duke nisur projektin filmik “Gjallë”, një rast që duhet përmendur se filmimet e para po bëhen në shtëpinë e kineastit, Gëzim Erebara. Ndërsa të enjten në kinema “Imperial”, projektohet premiera e filmit me metrazh të shkurtër “Shkallët”, ku Minarolli mban pjesën e skenaristit, me regji të Ilir Harxhit. "Shkallet" 30 min, kolor, me financimin e QKK, producent: Ilir Harxhi, shtëpia filmike "Idea", muzika: Miron Kotani, drejtor fotografie: Clarck Betzl Interpretojnë: Margarita Xhepa (Artiste e popullit), Gentian Zenelaj, Genc Fuga, Agnjesa Vuthaj, Ledio Lako, Kliton Rama, Naun Shundi. Filmi tregon historinë e një ndërtuesi të pangopur, i cili për të fituar sa më shumë arrin deri aty sa edhe pallatin ku banon vetë e ndërton jashtë standardeve, duke ngushtuar shkallët, të cilat i sjellin atij edhe fundin tragjik. Është një histori tragjikomike, me situata groteske e me nota humori.

Ndërsa, dje, shtëpia e regjisorit të ndjerë Gëzim Erebara zgjidhet si vendi i parë i xhirimeve, për filmin “Gjallë” të Artan Minarollit. Filmi i ri është një bashkëprodhim shqiptaro-austriako-francez. “Është një skenar që tregon me anë të një gjuhe kinematografike pasojat që ka lënë gjakmarrja në realitetin tonë. Në këtë film bëhet fjalë për një student të ri, me origjinë nga Veriu, i cili papritur e gjen veten në një hakmarrje të vjetër. Ai nuk mund ta vazhdojë shkollën dhe fshihet në një fshat, për të qenë më i sigurt. Më vonë kemi përballjen e tij, kur kthehet sërish në shkollë. Rikthimi i këtij studenti në shkollë nuk është si një student i thjeshtë, por si një njeri që fshihet vazhdimisht. Fati i tij komplikohet dhe është shumë e vështirë që të realizojë ëndrrën e tij”, - ka thënë regjisori.

Filmi “Gjallë” financohet nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe “Albafilm studio”. Aktori kryesor është aktori i ri Nik Xhelilaj, i cili u bë i njohur me filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”, dhe aktorë të tjerë janë: Reshat Arbana, Niada Saliasi, Tinka Kurti, Xhevdet Ferri, Luljeta Bitri etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›