E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kimi e daja, me ushtri

Pas vdekjes së Kim Jong Il, Koreja Veriore do të transformohet nga diktatura e një njeriu në diktaturë kolektive, edhe pse sugari i tij, Kim Jong Un, do të jetë i pari në hierarki.

Sipas një burimi të afërt me pushtetet në Pyongyang dhe në Pekin, ushtria verikoreane, e cila aktualisht po mundohet të zhvillojë arsenalin e armatimit bërthamor, i ka premtuar besnikëri diktatorit në ardhje Kim Jong Un, gjegjësisht trashëgimtarit të dinastisë familjare që me Korenë Veriore sundon që nga themelimi i këtij shteti, pas Luftës së Dytë Botërore.

Këto pohime paraqesin konfirmimin e asaj që shumë analistë e parashikonin, se pas vdekjes së Kim Jong Ill, që prej themelimit të saj, në vitin 1948, Koreja Veriore do të udhëhiqet për herë të parë nga një grup njerëzish.

Kim Jong Il dhe babai i tij, Kim Il Sung, ishin sundues autoritarë të shtetit më të izoluar botëror. Ndërkohë që tani, pasi që ushtria shprehu mbështetjen e saj ndaj Kim Jong Un, situata në Korenë e Veriut është stabile, pohon burimi i agjencisë Reuters.

Në lidershipin e ri kolektiv të Koresë Veriore do të gjendet edhe daja i Kim Jong Un, dhe përfaqësuesit e ushtrisë. Jang Song Taek, dhëndër i Kim Jong Il, dhe daja i të birit të tij, Kim, konsiderohet se do të jetë sundimtari i ri nga hija, natyrisht, bashkë me gruan e tij, Kim Kyong Hui, që është motra e diktatorit të vdekur.

Kim Kyong Hui (64) është anëtare e lartë e Partisë Punëtore të Koresë, dhe ajo mban gradën e gjeneralit të Ushtrisë së Koresë Veriore. Hui, siç thuhet, kishte raporte tejet të afërta me të vëllanë. E, burri i saj, Jang Song Taek (64), ishte zëvendës i kryesuesit Kim Jong Il në Komisionin Shtetëror për Mbrojtje, por edhe anëtar i Komisionit Ushtarak. Besohet se ai dhe Kim Kyong Hui u vendosën në pozita kyçe me qëllim që të sigurohej se transferimi i përgjegjësive mbi Kim Jong Un do të kalonte pa asnjë pengesë.

Gjithashtu, pjesë e grupit të ri sundues do të jetë edhe Ri Yong Ho, “ylli” i ushtrisë verikoreane dhe njeriu me gradën më të lartë ushtarake në vend. Trashëgimtari i ri i diktaturës, i cili ende s’i ka mbushur 30 vjet, pas vetes ka edhe njerëz që e mbështesin, megjithëse ende nuk është aq i fuqishëm sa të konsolidoj vetë pushtetin, mendojnë analistët.

“E dimë se ai është i aftë për të ndërtuar një grup përkrahësish përreth, të cilët janë pak a shumë gjeneratë e tij”, thotë Koh Yu Huan, kryetar i Asociacionit Korean për Studime Verikoreane, në Seul.

“Kështu që, nuk është se atë e përkrahin vetëm kuadrot e vjetra, por së shpejti do të shfaqen edhe kuadro të reja”.

Koh thotë se sistemi i ri i pushtetit në fakt ishte emëruar nga vetë Kim Jong Il, para se të vdiste.

“Një qetësi relative që është parë këtyre ditëve, në fakt tregon se sistemi është efikas. Nëse gjërat nuk do të shkonin aq lehtë, atëherë do të kishim parë një periudhë më të gjatë ‘të sundimit të mumies’, gjegjësisht të falsifikimit të vdekjes së Jong Il”.

Analisti jugkorean thotë se, tash për tash, duket se Kim ka pranuar që ta ndajë pushtetin.

“Por, duke marrë parasysh traditën e pushtetit diktatorial të babait dhe gjyshit të tij, gjërat do të zhvillohen në mënyrë të favorshme për të”, thekson ai.

Nga ana tjetër, burimi i agjencisë Reuters thotë se, shprehjen e një rakete të hënën Korea Veriore për të paralajmëruar SHBA’të që të mos ndërmarrë kurrfarë hapash kundër saj. Pyongyangu s’ka plane të afërta për prova tjera shtesë të raketave, përveç nëse vije deri te eskalimi i tensioneve.

Programi bërthamore i Koresë Veriore paraqet një burim konstant të tensioneve me bashkësinë ndërkombëtare. Pyongyangu ka kryer dy prova bërthamore, më 2006 dhe më 2009, dhe pastaj ka braktisur negociatat me gjashtëpalëshe – me Korenë e Jugut, SHBA, Kinën, Rusinë dhe Japoninë – për braktisjen e programit të saj bërthamor në shkëmbim të ndihmës më të theksuar ekonomike dhe të njohjes së saj ndërkombëtare.

Muajve të fundit Pyongyangu ka kërkuar vazhdimin e negociatave, por pa kushtet paraprake që i kishin vendosur Washingtoni dhe Seuli. Dy Koretë janë të ndara për decenie të tëra, dhe ato formalisht ende janë në luftë, sepse ajo u ndërpre me arritjen e një armëpushimi në vitin 1953, por kurrë nuk u nënshkrua një marrëveshje paqeje mes këtyre dy shteteve. SHBA’të e mbështesin Korenë Jugore, ndërsa Kina atë Veriore. Ndërkohë, Pyongyangu është i bindur që SHBA’të kanë armatim bërthamor në Korenë e Jugut, kështu që nga Washingtoni kërkon largimin e tij, nënvizon burimi i Reuters.

Ndryshe, Koreja Veriore, e cila që nga viti 1953 është ende në gjendje lufte me Korenë Jugore, është shtet i izoluar ndërkombëtarisht për shkak të programit të saj kontrovers bërthamor.

Ekonomia e vendit është gjunjëzuar për shkak të sanksioneve të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa popullata e saj vuan nga uria. Paralelisht, opozita e këtij vendi komunist - që ka një ushtri tejet të fuqishme dhe të armatosur mirë - është përndjekur ashpër dhe në vazhdimësi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›