Probleme jo dhe aq teknike me 'Bastardët e Palavdishëm'
Filmi i regjisorit amerikan Quentin Tarantino "Inglourious Basterds", i programuar për t'u shfaqur dy net përpara në Festivalin e Filmit në Tiranë, shtyhet për gabime teknike.
Probleme teknike, ndryshime në program, vonesa, konferenca shtypi që nuk bëhen dhe asnjë njoftim. A është ky haraçi që publiku duhet të paguajë për të parë filma falas?
Të hënën, ora 20.30, salla e madhe rreth pesëqindvendëshe e Teatrit Kombëtar, ishte e mbushur në masën 80 përqind, po ashtu edhe llozhat, një rast që kjo sallë ka fatin ta ketë vetëm për premiera.
Të pranishmit kishin zgjedhur të ndiqnin "Programin Special" të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë (TIFF), i cili atë mbrëmje shfaqte filmin "Inglourious Basterds" (Bastardët e Palavdishëm, 2009) të regjisorit amerikan Quentin Tarantino. Realizmi i Tarantinos, edhe pse është futur në kalendarin e festivalit, është një film i cili ka kohë që shfaqet në ekranet e dy kinemave të kryeqytetit.
Pasi të spektatorët ishin rehatuar dhe prisnin projeksionin në bezen e bardhë, u njoftua për një shtyrje 10 minutëshe, e cila më pas u bë 30. Thanë se po ndodhte për arsye teknike. Të rinjtë, asnjëherë refuzues kur bëhet fjalë për pauzën e një kaféje, u larguan të parët.
Kurse më të vjetrit, figura të njohura të teatrit dhe kinemasë, reaguan me një nervozizëm të natyrshëm, i cili i shoqëroi edhe një orë e ca më pas, deri më 21.20 kur dikush lajmëroi fillimisht në anglisht e më pas në shqip se "Për arsye teknike, filmi do të shfaqet nesër, do t'ju njoftojmë për orën".
Gjë e cila nuk ndodhi as një ditë më vonë. Nuk është hera e parë që në TIFF, orari nuk respektohet, të papriturat janë bërë të zakonshme dhe nga organizatorët merr vetëm përgjigje bishtnuese dhe asnjë shpjegim.
Kjo gjë ndodh edhe në konferencat për shtyp.
Konferenca e parë nisi mbi 30 minuta me vonesë, e dyta nuk u bë fare, e treta ku pritej të prezantoheshin anëtarët e jurisë ndërkombëtare, u shty një orë. Askush nuk thotë gjë.
Mungesa e kalendarit të shfaqjes së filmave në ditën e parë, na shtyu të mendojmë se puna e vërtetë e stafit organizues ishte përqendruar në cilësinë e filmave dhe tek çështjet teknike të projeksionit që në çdo edicion nuk kanë kaluar pa probleme.
Por, filmi i datës 30 nëntor provoi të kundërtën.
Në takimin e dytë me mediat, ku do të prezantohej juria ndërkombëtare e përbërë nga Ben Rivers (regjisor), Bujar Alimani (regjisor), Joshua Jacob Marston (regjisor), Michele Levieux (kritike filmash) dhe Nick Holdsëorth (gazetar) i pranishëm ishte vetëm Bujar Alimani i cili shpjegoi se për arsye shëndetësore anëtarët e tjerë nuk mund të ishin pjesëmarrës.
Por më vonë, aty në oborrin e Teatrit Kombëtar ku qarkullojnë të vërtetat që duhet të thuhen në skenë, u tha se anëtarët e jurisë as që ishin njoftuar për takimin dhe prezantimin me median.
Në krahun e djathtë të Alimanit ishte organizatori Genc Përmeti, kurse në majtin regjisori Ernest Meholli, konkurrues me filmin e shkurtër "Iliriana" dhe producenti Chris Dehne, të cilët nuk u prezantuan nga askush dhe anglishtja e këtij të fundit, ngeli e papërkthyer.
Në këtë takim, Genc Përmeti, i vetmi pjesëmarrës prej organizatorëve, foli për frekuentimin e publikut gjatë dy ditëve të para, e cila ishte e "kënaqshme dhe pritej të rritej në numër".
Më pas ai përmendi edhe filmat e shfaqur për publikun, "Muajt e Mjaltit" dhe për "obligimin që ky festival i kishte publikut", groteskun që ngjall sot kinemaja kineze e 70-tës, duke marrë këtu shembullin e filmit "Lindja është e kuqe" dhe në fund lajmëroi shfaqjen e filmit "Lindje-Perëndim-Lindje".
Pas këtyre fjalëve, Përmeti u largua.
Gabime teknike, ndryshime në program, vonesa dhe asnjë lajmërim. A është ky haraçi që publiku duhet të paguajë për të parë filma falas?
Dëgjohet shpesh të thuhet "ta afrojmë publikun me kinemanë", "të rritim interesin për filmin", "të bëjmë për vete edhe më indiferentët".
Por ç'ndodh, kur publiku është në sallë dhe lodhet me vonesa, me të papritura, ndihet i paftuar dhe del me mendimet "edhe këtë herë mungoi organizimi" ose shkurt dhe shqip "çfarë bëhet këtu mor' vëlla".
Këto dëgjoje para dy netësh në ambientet jashtë Teatrit nga pjesëmarrësit vërtet të interesuar.
Së fundi, i kërkojmë ndjesë lexuesit që nuk mund t'i shërbejmë programin e çdo dite, pasi edhe pas shpërndarjes së një kalendari nuk dihet nëse do të respektohet orari i paracaktuar. Vetëm një gjë është e sigurt, sado vonë të jesh për të parë një film, për një film në "TIFF" nuk je kurrë vonë.