E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi, qeveria zvarrit qëllimisht shpërndarjen e fondit

Ndregjoni: Politika nuk është zhveshur ende nga mentaliteti komunist. Vonesat në shpërndarje, jo nga mungesa e parave, por e vullnetit politik

Të përndjekurit:

Të përndjekurit politik nuk do ta përfitojnë edhe këtë vit dëmshpërblimin financiar. Megjithëse duhet të kishte filluar shpërndarja, jemi në muajin e fundit të vitit 2009-të dhe krahas vonesave në shpërndarjen e fondit, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, është shprehur se për një pjesë të tyre, siç janë të internuarit dhe të ekzekutuarit ende nuk ekziston një ligj ku të parashikohet dëmshpërblimi.


Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, komenton në një intervistë për "Shekulli"-n se si është pritur nga kjo shtresë zvarritja e dhënies së parave, sorollatjet për plotësimin e dokumentacionit, si dhe hartimi i një ligji të paplotë për dëmshpërblimin. Sipas tij, e gjithë kjo është e qëllimshme për shkak se qeveritarët e sotëm karakterizohen ende nga një mendësi komuniste.


Z. Ndregjoni, prej disa vitesh që qeveria ndan fonde për dëmshpërblimin financiar të ish të përndjekurve, që në pjesën më të madhe nuk janë shpërndarë, cila është arsyeja, sipas jush, që ju bën të mos i përfitoni në kohë ato para?


Ligji i dëmshpërblimit parashikon kompensimin e vetëm një pjese të ish të përndjekurve, pra ata që janë dënuar me burgim dhe jo për pjesën tjetër që janë ekzekutuar apo internuar. Por, edhe këta po hasin ç'do ditë vështirësi të mëdha të një burokracie shtetërore që unë do ta cilësoja të qëllimshme.


Ndodhemi përpara një handikapi ligjor. Në sistemin demokratik është e detyrueshme që qeveria të zbatojë ligjet ndaj qytetarëve dhe kur nuk zbatohen kemi të bëjmë më një handikap.


Për sa i përket ligjit për të përndjekurit politik, që për miratimin e tij u desh një luftë 18-vjeçare e të përndjekurve, duke u përballur me pushtetet, nga moszbatimi i tij dalim në përfundimin se megjithëse themi që jemi në një sistem demokratik, këtu punohet sipas një modeli komunist.


Doni të thoni që megjithëse ka ndryshuar sistemi, ju ende vazhdoni të "ndiheni" si në periudhën e komunizmit?


Dua të them që me ligjet e miratuara me subjekt të përndjekurit, cenohet statusi ynë, i cili është në linjë dhe në funksion të drejtpërdrejtë të Kushtetutës. Për shembull, ai cenohet rëndë në ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë.


Ne pranuam këtë ligj, pasi kishim 18 vite që prisnim nga politika që të zbatonte konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ku parashikohet dëmshpërblimi. Por, pushtetet në Shqipëri ende vazhdojnë të kenë një mentalitet komunist ndaj kësaj shtrese dhe na trajtojnë jo si qytetarë të fjalës së lirë, por ashtu siç trajtoheshim në periudhën e komunizmit.


Siç thatë më lart, ligji për kompensimin e ish të përndjekurve nuk ishte i plotë, pra në të nuk përfshihej edhe dëmshpërblimi i atyre që janë dënuar me ekzekutim, internim apo mënyra të tjera përveç burgut, pse e pranuat ligjin në një formë të tillë?


Pranuam një ligj të cenuar, pasi nuk mund të prisnim siç kemi bërë gjatë këtyre viteve nga politika që të na jepte të drejtën ligjore. Vetë ministri Nishani ka deklaruar disa ditë më parë që nuk ka ligj që parashikon kompensimin financiar për të ekzekutuarit apo të internuarit. Dua të pyes zotin ministër se nëse është kështu, pra nuk ka bazë ligjore për këtë çështje, po persekutimi ynë mbi bazën e cilit ligj trajtohet?

Me këtë doni të thoni që ekziston baza ligjore, ku përfshihet kompensimi edhe i personave që janë ekzekutuar apo internuar?

Është statusi i të përndjekurit politik, mbi bazën e të cilit janë dhënë edhe letrat me vlerë për të përndjekurit politikë, për punën e papaguar që është kryer nga të dënuarit gjatë periudhës së komunizmit. Është neni 7 i këtij statusi, i cili është në përputhje me Kushtetutën ku përcaktohet dëmshpërblimi, ndërsa këta duan të hartojnë një ligj të ri në kundërshtim me statusin.


Në vitin 2007-të është hartuar ligji për përcaktimin e përfituesve të dëmshpërblimit nga ish-ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmajli, me motiv politik, kundër të përndjekurve dhe në kundërshtim me statusin e Kushtetutën.


Pasi, ai ishte një ligj selektiv, i cili përjashtoi të pushkatuarit dhe të internuarit, duke lenë vetëm të burgosurit. Me hartimin e tij, pushteti priti që ne ta dërgonim në kushtetuese për të shtyrë edhe më tej zbatimin e tij, por ne nuk e bëmë, e pranuam atë dhe fillimin e dëmshpërblimit, ndërsa më pas do t'i drejtoheshim gjykatës.


Në bazë të dhënave tuaja, sa është numri i përfituesve, të cilët kanë marrë këstet e para deri më tani, që nga fillimi i zbatimit të ligjit për dëmshpërblimin financiar?


Deri më tani janë rreth 4 mijë qytetarë që kanë marrë këto këste. Por, gjithnjë ka një ngadalësim dhe sorollatje e qëllimshme nga qeveria ndaj të përndjekurve.


Pse thoni që këto vonesa janë të qëllimshme?


Mendoj se pushteti politik në Shqipëri nuk është zhveshur ende nga mentaliteti komunist ndaj të përndjekurve politikë.


Sipas jush, kjo bëhet për çështje ideologjike, nga neglizhenca, apo për shkak të mungesës së parave në buxhetin e shtetit?


Është një zvarritje që vonesat bëhen për shkaqe ideologjike dhe jo nga mungesa e parave në buxhetin e shtetit.


Keni bërë ndonjë përllogaritje të përafërt, sa është shuma e parave që shteti duhet t'u japë në formë dëmshpërblimi të përndjekurve politikë?


Numri total i të dënuarve, të internuarve e të pushkatuarve është rreth 36 mijë dhe llogaritja është bërë në bazë të kodit penal që e përcakton dëmshpërblimin për ditë vuajtje.


Përllogaritet që shuma të jetë rreth 350-400 milionë dollarë. Por, ne nuk pretendojmë që ta marrim atë në mënyrë të menjëhershme, por në një formë që nuk cenon edhe ekonominë e vendit. Kemi kërkuar që kjo të bëhet brenda tetë viteve.


Jemi në fillim të muajit dhjetor dhe nga mazhoranca ka zëra skeptikë që shprehen se fondi i përcaktuar për 2009-ën nuk do të mund të shpërndahet brenda këtij viti, shpresoni në marrjen e parave në kohë?


Është e papranueshme për ne, pasi nuk shohim që mungon ana financiare, por motiv politik i qeverisë që neve na bën të sorollatemi. Kjo është një politikë urrejtëse ndaj shtresës sonë. Është turp që këta shtetarë vazhdojnë ende t'i sorollasin këto familje pa asnjë të drejtë.


Një nga çështjet më të prekura, kur bëhet fjalë për vonesat në dëmshpërblimin e të përndjekurve, është mungesa në dokumentacion. Mungojnë realisht të dhëna që vërtetojnë të kaluarën e një të përndjekuri?


Këto janë broçkulla të pushtetit. Shtetit diktatorial i ka pasur të gjitha të dhënat dhe arkivin e atij e ka gëzuar ky pushtet.


Por, këta duan të vonojnë qytetarin, që një i përndjekur të shkojë në arkivin e shtetit të marrë dokumentet, t'ia dërgojë përsëri atij dhe ky i fundit t'ia dërgojë ministrisë dhe më pas ministria t'ia dërgojë përsëri arkivit, dhe në fund të kontrollohet prapë nga ministria.


Kjo bëhet vetëm me qëllimin e vonesës së dëmshpërblimit për shtresën e të përndjekurve. Këta vazhdojnë të njëjtën rrugë, atë të urrejtjes. Paratë do të jepen se nuk ka rrugëdalje, ne do t'u përgjigjemi ligjërisht këtyre sorollatjeve, siç janë protestat, gjykatat, duke përfshirë edhe atë të të drejtave të njeriut.


Disa muaj me parë është bërë një ndryshim në ligjin për të përndjekurit, duke zgjeruar rrethin e familjarëve përfitues të dëmshpërblimit. Si e shihni këtë?


Hartuesit e ligjit për dëmshpërblimin në vitin 2007-të e kufizuan dëmshpërblimin vetëm te familja në kundërshtim me Kodin Civil. Natyrisht që do t'i bënin këto ndryshime dhe nuk kishte rrugë tjetër, pasi ata kishin shkelur ligjin.


Ndërsa, tani për ta përdorur për përfitime elektorale dalin dhe thonë që ne e zgjeruam rrethin e përfituesve. Ky ndryshim ishte një korrigjim i gabimit të bërë gjatë hartimit të ligjin në vitin 2007-të.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›