Banorët, peticion për zgjerimin e rrugës
GJIROKASTËR/ Rreth 20 familje në lagjen "Dunavat i Dytë" kërkojnë shtrimin e rrugës para shtëpive
Një nga familjarët rrëfen se në raste vdekjesh u është dashur ta lëvizin arkivolin në krahë
GJIROKASTËR- Të jetosh në ditët e sotme mund të jetë e vështirë, por edhe të vdesësh mund të përbëjë një problem, sidomos nëse je një banor i lagjes "Dunavat i Dytë" në qytetin e Gjirokastrës.
Kjo, sepse në raste fatkeqësish, është e pamundur që automjetet të ngjiten deri tek këto banesa për shkak të terrenit dhe ngushtësisë. Për më tepër, të kalosh në këto rrugë në gjendje të amortizuar është thuajse e pamundur. Mungesa e investimeve ka bërë që rreth 20 familje në lagjen "Dunavat i Dytë" të përballen me një gjendje të tillë prej më shumë se dy dekadash.
Rruga
Një segment tejet i ngushtë, vende-vende i shtruar me gurë të rrallë e në disa pjesë i pashtruar. Kjo është njëra prej rrugëve lidhëse në lagjen "Dunavat i Dytë" që lidh banesat e 20 familjeve, me një numër të madh personash të moshuar, të cilët janë të detyruar ta përshkojnë këtë rrugë disa herë në ditë për të përfunduar punët e tyre. Megjithë kërkesat dhe ankesat e vazhdueshme për të bërë ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, asgjë nuk ka ndryshuar.
Banorët shprehen se nuk kërkojnë asgjë tjetër, përveçse një rruge që do të mundësonte mbërritjen e ambulancës, zjarrfikëses dhe makinës së funeralit, të cilat për momentin as që mendohet se mund të shkojnë aty.
"Këtë rrugë e kemi hapur ne vetë si banorë rreth 20 vjet më parë. Kemi punuar të gjithë dhe e kemi sjellë në këtë gjendje, por asnjëherë nuk është investuar në të.
Është e pamundur të kalohet natën dhe në ditët me ngrica e dëborë. I jemi drejtuar shumë herë bashkisë, por asgjë nuk është bërë", shprehet Lefteria, banore e kësaj zone. "Gjendja e rrugës është skandaloze, por askush nuk është kujtuar ta përmirësojë. Këtu jetojnë edhe shumë të moshuar.
Para disa ditësh vdiq një grua dhe mezi kemi nxjerrë arkivolin në krahë, sepse rruga është shumë e keqe dhe e ngushtë. Po nëse kemi ndonjë sëmundje, duhet ta nxjerrim me barelë e nëse bie ndonjë zjarr, duhet të digjemi, sepse zjarrfikësja nuk iu afrohet dot shtëpive", -shprehet Ymeri, një tjetër banor i lagjes Dunavat.
Peticioni
Mungesa e infrastrukturës në këtë zonë nga njëra anë dhe mungesa e vëmendjes ndaj saj kanë bërë që së fundmi 20 familjet të nënshkruajnë një peticion, që ia kanë dërguar Institucionit të Prefektit. Mbërritja e ambulancës, zjarrfikëses dhe makinës së funeralit janë kërkesat kryesore për të cilat parashtrohet ky peticion.
Ndërkaq, informacionet e marra pranë bashkisë së qytetit në lidhje me këtë çështje pohojnë se banorët kanë të drejtë dhe specialistë do të shkojnë në vend për të parë problematikën e për ta bërë këtë aks pjesë të investimeve që do të kryhen gjatë vitit të ardhshëm. Deri atëherë, banorët duhet të luten që asgjë të mos iu ndodhë.