Problemet e M. së Veriut- Kos: S’japim garanci nëse do të ketë pengesa për integrimin në BE

Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos ka deklaruar se askush nuk mund t’i japë garanci Maqedonisë së Veriut se edhe nëse e ndryshon Kushtetutën tani, nuk do të ketë më pengesa në rrugën evropiane.
Duke folur në një intervistë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), e dha këtë përgjigje kur u pyet nëse BE-ja dhe vendet anëtare mund të garantojnë se pas zbatimit të ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë bllokime të reja për shkak të çështjeve dypalëshe që lidhen me identitetin, gjuhën ose historinë.
“E kuptojmë që kjo nuk është një çështje e lehtë ndryshimi i Kushtetutës. Ne e kuptojmë, dhe është shumë njerëzore dhe e kuptueshme, që vendi juaj dëshiron të ketë garanci pas gjithçkaje që ka kaluar. Nuk mund të ketë garanci, por ajo që pres nga të gjitha shtetet anëtare kur ka çështje dypalëshe është që bisedimet të zhvillohen me mirëbesim dhe me vizion për të arritur një kompromis”, tha Kos.
Kos shprehu shpresën se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për të zhbllokuar procesin e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe se sapo të ndodhë kjo, negociatat në grupe mund të fillojnë pa kushte të reja.
“Kjo është arsyeja pse po themi, ju lutem kryeni reformat dhe jini gati për të hapur kapitullin e parë”, tha Komisionerja Europian për Zgjerimin.
/rtsh.al/