Historia e 39-vjeçarit nga Kërcyri, që u rikthye për të investuar në bujqësi

Historia e 39-vjeçarit Spartak Kërcyri nga fshati Kërcyr i njësisë administrative Tregan të Elbasanit tregon forcën e një të riu, i cili pas një kalvari të gjatë vuajtjesh si emigrant në shtetin grek, vendosi të kthehet dhe të investojë në vendlindjen e tij.
“Më mirë në shtëpinë tënde se në kurbet. Kam qenë në Greqi që në moshën 20 vjeç. Investova lekët, bëra dy serra dhe u bëra pronar i vetes sime. Me pak lekë, por jam në shtëpinë time, me fëmijët e mi, me prindërit e mi, me vëllezërit e mi,” thotë fermeri.
Fillimet për 39-vjeçarin kanë qenë të vështira, por pasioni i madh për bujqësinë bëri që i riu të mos dorëzohet.
“Për momentin kam dy serra: tranguj, domate, kunguj…“
Fuqia punëtore mbetet një ndër pikat kyçe të bujqësisë në Shqipëri. Spartaku tregon se është munduar të ofrojë vende punë sezonale për bashkëfshatarët e tij.
Në bashkinë e Elbasanit, vitin e fundit ka një numër të konsiderueshëm të emigrantëve, që janë rikthyer në vendlindjen e tyre duke investuar. Më së shumti janë emigrantët në sektorin e bujqësisë.
/rtsh.al/