E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ariu” rus dhe “xhepi” turistik shqiptar

Fatos Çoçoli 

Ndikimi rus në vendet e Ballkanit dhe më gjerë në Evropë nëpërmjet “gazpolitikës” (Gjigandi monopolist shtetëror rus “GazProm” po blen kompani pas kompanish, madje edhe në tregjet franceze, angleze e italiane të kapitalit) po ndihet fuqishëm. Në vendet e Ballkanit, përsa i përket interesave të shqiptarëve, ai vërehet sidomos në turizëm. Bregdeti i mrekullueshëm dalmat (kryesisht i Kroacisë) po bëhet gradualisht pronë e parellinjve rusë. I njëjti fenomen po ndodh edhe në Mal të Zi Shtëpi dykatëshe në bregdet po blihen me nivele nga gjysmë milionë deri tre milionë euro. Turistë rusë blejnë qershi në tregun e Budvës edhe me 27 euro kilen! Lind pyetja: e ç’ndikim mund të ketë kjo tek ne shqiptarët? Ka që ç’ke me të. Katër vjet më parë, kur “invazioni” ekonomik rus ishte ende në pelena, shqiptarët mund të merrnin me qira dhoma për pushime në Budva edhe me vlerë 20 euro për natë. Dhe shkonin në këtë qytet të bukur turistik dhe në përgjithësi në gjithë bregdetin e Malit të Zi me dhjetëra mijëra shqiptarë për pushime. Tani, këtë vit në Budva nuk shihje këmbë shqiptari. Kjo, pse çmimet ishin trefishuar. Gjithçka e gllabëronin rusët. Fillimisht sipërmarrësit rusë që blinin hotelet dhe ambientet e tjera të pushimit, pastaj ishin ata vetë që sillnin me agjencitë e tyre turistike “myshterinj” nga vendi i tyre. Provuan megjithatë në vende të tjera të Malit të Zi edhe shqiptarët, por me një kosto të shtuar. Flitet pak, pse rrjedha është e madhe, por megjithatë edhe 35-40 mijë shqiptarët që shkuan për pushime këtë vit në Turqi provuan çmime më të rritura. Ose zgjodhën hotele “më të varfra” në shërbime, për ta mbajtur të njëjtin shpenzim si një apo dy vjet më parë, ose u detyruan të paguajnë më shumë. Afro 35 për qind më shumë. Hotele që tre vjet më parë kapeshin me një mijë euro çiftin për dhjetë ditë, tani ishin një mijë e treqind e pesëdhjetë euro e lart. Vendet evropianoperëndimore po ndjehen tejet të shqetësuara nga ky depërtim i “ariut” rus në harxhet e tyre turistike. Vetëm tek ne flitet pak ose asfare. Sigurisht që qeveria nuk mund të ndërhyjë haptazi, por diçka duhet bërë. Agjencitë turistike shqiptare gjetën një “parajsë” tjetër, ku rusët ende nuk po diktonin kushtet e tyre, “Sharm el Sheik” në Egjipt. Në Egjipt rusët ndihen paksa të ndrojtur për të investuar dhe aty u dyndën turistët e vendeve të tjera. Me ta edhe shqiptarët. Por vitin që vjen edhe “Sharm el Sheik” mund të ketë fatin e Antalias, apo bregdetit të Kroacisë dhe Malit të Zi. Pra, të provojë dyndjen ruse. Atëherë si do t’i vejë filli shpenzimeve për pushime verore, që tek ne në Shqipëri nuk janë pak, por kapin afro një miliard euro që shqiptarët konsumojnë jashtë vendit? Mund të thuhet pa frikë se për rreth pesëmbëdhjetë apo njëzet për qind (pra për njëqind e pesëdhjetë apo dyqind milionë euro) rritje çmimesh në tërësi, pra dhe më shumë para që ne shqiptarët po shpenzojmë këtë vit, “fajtorë” janë rusët. Prandaj dhe lypset një debat i hapur ekonomik, që të gjendet një zgjidhje dhe mundësitë e shqiptarëve për të shkuar për turizëm në vendet e pellgut të Mesdheut të mos kushtëzohen kaq humbshëm me praninë ruse. Zgjidhja për të parë oferta të tjera pushimesh të “paprishura” nga dyndja ruse (si për shembull Egjipti i Sharm el Sheik apo Tunizia) mund të jetë një mënyrë. Mund të gjenden mënyra të tjera. Për shembull, dihet që nëse në hotelet turke prenotohet nga vende si Holanda apo Belgjika, merret një çmim të paktën dyzet për qind më i ulët se sa nga prenotimi në Tiranë. Kjo ka të bëjë me sasinë e pushuesve nga vendet respektive, por agjencitë tona turistike mund të bashkojnë forcat dhe të hapin një zyrë në Holandë, për shembull, nga ku të bëjnë prenotimin për t’i nisur pastaj turistët shqiptarë si dhe bëjnë tani, nga Rinasi, me avion “Charter (taksi)” për periudhën qershor-shtator. Një gjë është e sigurt, ia vlen për interesat e mbarë ekonomisë sonë që shqiptarët të mos humbin kaq shumë para nga rritja e çmimeve të prenotimeve. Sigurisht që në këtë rritje përfitojnë vetë agjencitë që këtë vit ishin aq aktive me reklamat për pushimet në Turqi, por ama shteti dhe ministria e tij përkatëse mund të bëjë një sprovë pranë këtyre agjencive, që të mundësojnë prenotime më të lira nga vende që zakonisht dërgojnë flukse më të larta turistësh për në Turqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›