E Martë, 3 Nëntor 2026

Procedim penal për Adriatik Alimadhin, kundërshtoi punonjësit e policisë

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin Adriatik Alimadhi, 61 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.

Në një njoftim për shtyp të Policisë bëhet e ditur se ky shtetas dyshohet se, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në rrugën e “Dibrës”, me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë.

Në njoftimin e policisë thuhet se ai i ka kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka nisur veprimet verifikuese, bazuar në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dhe pretendimet e paraqitura nga shtetasi në fjalë.

Në një reagim në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Demokratike, njëherazi Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Flamur Noka e konsideroi rastin “skandal policor, dhunë dhe rrëmbim live”.

“Personi në video që tërhiqet forcërisht nga Policia e Shtetit është Adriatik Alimadhi, kryetar i Ballit Kombëtar. Alimadhi ndodhej në kafenenë e vëllait të tij kur kërkoi të mësonte nga policia arsyen e hyrjes dhunshëm e kërcënueshëm në një ambient privat, e mbi të gjitha pa mandat”, u shpreh Noka, ndërsa publikoi edhe pamje nga rasti në fjalë.

Alimadhi: Ishim duke planifikuar fushatë, jo duke vënë loto

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, kreu i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi ka hedhur poshtë pretendimet e policisë, duke u shprehur se në lokalin e të vëllait ka qenë me qëllim organizimin e planeve për fushatën zgjedhore, jo për të vënë baste.

“Dje rreth orës 19 të mbrëmjes si zakonisht mbërrita te kafja e vëllait, në tavolinën tonë që ulemi me vëllezërit dhe me një mikun tonë të përditshëm duke bërë planet tona për fushatën zgjedhore për ditët në vazhdim. Unë bëj për të dalë jashtë, por një polic po më pengonte dhe nuk më lejonte të dilja”, u shpreh ai.

“Ashtu siç e keni parë edhe nëpërmjet pamjeve filmike më kanë tërhequr zvarrë duke më vendosur duart mbrapa kokës duke më goditur me grushte sikur të isha kriminel dhe duke kryer krim në kushtet e flagrancës”, tha Alimadhi.

Alimadhi tha se ka bërë kallëzim edhe tek dy punonjës të Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore.

“Më vonë më çuan në komisariatin Nr.4 dhe më lanë aty, rreth orës 01 e 30 minuta vijnë dy punonjës të Autoritetit të Mbikqyrjes së Policisë dhe u prezantuan si të tillë. Më morën kallëzimin dhe u larguan më vonë më thanë vazhdo je i lirë rreth orës 3 ndaj mëngjesit”, shkruan Alimadhi.
“E lexova komunikatën e policisë, ndjej keqardhje, si mundet të shpifin për personin tim, nuk kam lozur kurrë loto, nuk di sesi luhet, por as në lokalin e tim vëllait nuk u konstatua kjo”, shkruan Alimadhi.

/m.m//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›