Procedurat për t’u siguruar në Shqipëri 420 mijë emigrantët që janë në Itali
Jonida Tashi
Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali do të kenë mundësi që të njiheni me të gjithë informacionin e nevojshëm për pagesat e sigurimeve vullnetare në Shqipëri dhe për sigurimet shoqërore. Ata do të informohen për përfitimet që kanë në rast se paguajnë për të plotësuar periudhat e munguara me qëllim për të mos humbur vitet e punës në Shqipëri. Kjo do të thotë se nëse një shtetas shqiptar që ka derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore për një periudhë të caktuar kohore, ai mund të informohet pranë zonës ku jeton në Itali për periudhën tjetër kohore që i nevojitet për të plotësuar vitet e nevojshme që të përfitojë pension. INAS, Instituti i Mbrojtjes (Patronati) i CISL-it dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore promovuan në Romë pak ditë më parë Protokollin e Bashkëpunimit për konsulencën ndaj emigrantëve lidhur me pagesat e kontributeve vullnetare në Shqipëri për Sigurimet Shoqërore. Protokolli u promovua nga presidenti i INAS-CISL, Antonio Sorgi dhe drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi. Në nisje të këtij promovimi foli ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, i cili e konsideroi arritjen e këtij protokolli si një hap të rëndësishëm në informimin e shtetasve shqiptarë lidhur me të drejtat e tyre në sigurimet shoqërore në Shqipëri.
Protokolli
Në bazë të këtij protokolli, INAS merr përsipër që të asistojë falas në dhënien e informacionit për 420 mijë emigrantë legalë që ndodhen sot në territorin italian përmes 800 zyrave të saj në të gjithë vendin. Një fletëpalosje e përgatitur në dy gjuhë, italisht dhe shqip, përmban të dhënat thelbësore të pagesave në mënyrë vullnetare. “Dua të garantoj se çdokush që ka pasur një histori marrëdhëniesh kontributive në Shqipëri, mund të konfirmojë zyrtarisht informacionin mbi këtë periudhë dhe mund të bëjë plotësimet e nevojshme, të kërkuara nga ligji, nëpërmjet derdhjes së kontributeve, për të përfituar mbrojtje sociale në moshën e tretë”, - u shpreh drejtoresha ISSH-së. Gjithashtu, ajo ka siguruar të gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali se është detyrë jo vetëm administrative dhe ligjore, por edhe sociale, për të garantuar çdo qindarkë të derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri dhe, se përmes plotësimit të viteve të munguara, do t’u bëhet e mundur plotësimi i kontributeve të nevojshme për të pasur një garanci sociale në çdo kohë edhe në vendlindjen e tyre. Evelina Koldashi ka shpjeguar edhe formën në të cilën do të vijojë njohja e emigrantëve me këto pagesa.
Bashkëpunimi
Ky bashkëpunim midis dy vendeve u jep mundësinë qytetarëve dhe punonjësve shqiptarë që t’i njohin, integrojnë e t’i gëzojnë sa më mirë të drejtat e tyre për pension në atdhe. Ligji shqiptar, nëpërmjet ISSH-së, u ofron emigrantëve mundësinë e rindërtimit të historikut kontributiv në Shqipëri përmes sigurimit shoqëror vullnetar, si një mundësi më shumë për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Kjo do të thotë se nëse një shtetas shqiptar ka derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore për një periudhë të caktuar kohore, ai mund të informohet pranë zonës ku jeton në Itali për periudhën tjetër kohore që i nevojitet për të plotësuar vitet e nevojshme që të përfitojë pension. Nëndrejtori i ISSH-së, Astrit Hado dhe drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku, kanë shpjeguar mënyrën e pagesës së kontributit vullnetar. “Ne do t’u ofrojmë mundësinë emigrantëve që brenda një afati pesëmujor të mund të informohen për çdo kërkesë që ka të bëjë me historikun e tyre të kontributeve në Shqipëri, me qëllim që çdokush të përcaktojë edhe interesat në pagesën e këtyre kontributeve”, - tha Hado. Një panoramë të situatës së emigrantëve shqiptarë në Itali e dhanë edhe ekspertja e emigracionit në Ministrinë e Punës dhe Solidaritetit Social në Itali, Anila Husha dhe koordinatori i INAS CISL-FAI CISL, sociologu Rando Devole. Për zëvendëspresidentin e INAS CISL-it, Sante Marzotto dhe përgjegjësin e Politikës së Emigracionit në CISL, Oberdan Ciuçi, ky protokoll është një hap i rëndësishëm për t’u ofruar emigrantëve shqiptarë të dhënat e nevojshme për mbrojtjen sociale në vendin e tyre.
Emigrantët
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kontributeve, Naim Balluku, emigrantët mund të autorizojnë të afërmit e tyre për të lidhur marrëveshje me strukturat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në nënqarkun ku kanë banuar, ku mund të kenë të arkivuar dhe vjetërsi në punë nëpërmjet sigurimit të detyrueshëm. Aktualisht ISSH-ja ka një kontratë me Bankën Amerikane të Shqipërisë, që ka filiale në Greqi, e cila ka marrë përsipër sigurimin vullnetar të shtetasve shqiptarë duke u krijuar atyre të gjitha lehtësitë e këtij sigurimi. Kjo bankë ka marrë përsipër t’u japë informacion të interesuarve për sigurimin vullnetar, të lidhë marrëveshje në emër të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke vepruar në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore që veprojnë në këtë fushë. Për personin e interesuar për sigurimin vullnetar, si dokument identifikimi në mungesë të certifikatës personale të lindjes apo të pasaportës mund të pranohet dhe dokumenti i lëshuar nga autoritetet shtetërore greke, i konfirmuar nga konsullata shqiptare në Athinë. Banka Amerikane e Shqipërisë në Greqi plotëson në prezencë të klientit dhe në konsultim me të marrëveshjen e sigurimit vullnetar me të gjitha rubrikat e kërkuara. Për çdo pagesë të kryer nga secili, përpilohet mandat-arkëtimi, ku shënohet qartë identiteti i klientit, data e kryerjes së arkëtimit, shuma e arkëtuar në euro dhe kundërvlera në lekë që i përgjigjet masës ligjore për një sigurim të kërkuar nga i interesuari, sipas kursit të ditës së kësaj banke.
Kontributet vullnetare
Kontributet vullnetare paguhen për sigurimin vullnetar, që është pjesë përbërëse e skemës së Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri. Sigurimi vullnetar realizohet mbi bazën e një akt-marrëveshjeje midis personit të interesuar dhe agjencive rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Sigurimi vullnetar aplikohet për shtetasit shqiptarë që punojnë jashtë shtetit, për të papunët në vend mbi moshën 18 vjeç, por jo për të papunët në zonat rurale që kanë tokë. Sigurimi vullnetar njeh të drejtën: Për mbulimin vullnetar të periudhave të pambuluara nga skema e sigurimit të detyrueshëm. Për të përfituar një pension të plotë pleqërie duhen 35 vjet sigurim. Ato mund të sigurohen duke paguar kontributet në skemën vullnetare, duke filluar nga tetori i vitit 1993 e në vazhdim. Kjo e drejtë i njihet çdo personi përpara lindjes së të drejtës për përfitime nga sistemi i Sigurimeve Shoqërore. Për të vazhduar sigurimin e mëparshëm të detyrueshëm në kushtet e ndërprerjes së veprimtarisë ekonomike. Kjo e drejtë u njihet vetëm personave që sapo ndërpresin sigurimin e detyrueshëm dhe brenda një muaji ata nënshkruajnë marrëveshjen me agjencitë rajonale të Sigurimeve Shoqërore që ta vazhdojnë sigurimin në skemën vullnetare. Në këtë rast personat e siguruar në skemën vullnetare vazhdojnë sigurimin për të gjitha llojet e përfitimeve që u siguronte skema e detyrueshme; Për të vazhduar, krahas sigurimit minimal të detyrueshëm, edhe sigurimin vullnetar me qëllim përfitimi dyfishin e pensionit minimal të pleqërisë, invaliditetit apo atij familjar. Sigurim vullnetar për maksimumin e përfitimeve në rast pensioni pleqërie, familjar dhe invaliditeti, mund ta bëjnë të vetëpunësuarit, punëdhënësit si dhe të gjithë personat me moshë mbi 18 vjeç që sigurohen për herë të parë; Për zgjerimin vullnetar të sigurimit, për të siguruar përfitime që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm, si në rast aksidenti në punë dhe sëmundje. Kjo e drejtë njihet për të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit, por vetëm pasi të kenë kontribuar një vit në skemën e detyrueshme dhe përpara lindjes së të drejtës për përfitime.
Në protokoll INAS-i dhe ISSH-ja kanë rënë dakord që:
1. Veprimtaritë institucionale përkatëse në fushën e emigracionit të kryhen në bashkëpunim, duke shkëmbyer informacione, dije, njohje teknike dhe ekspertë
2. Të realizohen fushata mbi mbrojtjet dhe asistencën shoqërore, të parashikuara nga kuadri ligjor italian dhe shqiptar, në favor të shtetasve shqiptarë në Itali dhe shtetasve italianë në Shqipëri, edhe nëpërmjet organizimit të veprimtarive specifike midis shtetasve emigrantë dhe familjeve të tyre për njohjen dhe përdorimin e enteve dhe të shërbimeve që jep CISL dhe ISSH
3. Për këto qëllime, të programohet bashkërisht dhe çdo vit një plan për formimin e operatorëve të sporteleve të INAS dhe të ISSH-së që ka si qëllim njohjen e procedurave lidhur me praninë e ligjshme, me ushtrimin e të drejtave civile dhe sociale, me njohjen dhe përdorimin e shërbimeve të mbrojtjes duke respektuar gjithë sa parashikohet nga kuadri ligjor në fuqi për këto çështje
4. Të krijohen bashkërisht materiale informuese dhe mbështetje formuese specifike
12 Maj 2008