E Diel, 1 Nëntor 2026

The New York Times: “Aheng në Radio Tirana ditën e vdekjes së Mehmetit”

Zyrtarët amerikanë besojnë se kryeministri komunist nuk u vetëvra. Gazeta citon revistën e Beogradit “NIN”. Ja si u komentua ngjarja

David Binder

UASHINGTON – Zyrtarë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara besojnë se kryeministri i Shqipërisë është vrarë muajin e kaluar dhe nuk pranojnë vetëvrasjen, siç e trajton radioja shtetërore shqiptare këtë kohë. Amerikanët thonë se kanë marrë me rezerva informacionet e shtypit jugosllav dhe se kryeministri Mehmet Shehu ishte vrarë gjatë një takimi të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Megjithatë, ata thonë se nuk kishin parë ndonjë fakt për një informacion të tillë. Çështja kryesore e kësaj jave në revistën “NIN” të Beogradit fliste rreth “dyshimeve” se zoti Shehu, udhëheqësi i dytë shqiptar për nga rëndësia pas Enver Hoxhës, i cili është kryetar partie, ka rënë viktimë e “skemave të lojës së nivelit të lartë”.
Duke cituar burime Perëndimore të paidentifikuara, “NIN” thotë se takimi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës ka qenë thirrur mbrëmjen e 17 dhjetorit dhe se atje kishte pasur një konflikt midis zotit Hoxha dhe zotit Shehu gjatë zhvillimit të punimeve.
Fijet Perëndimore raportuan çështjen
Revista thotë se sesioni ishte mbajtur për të diskutuar për përfshirjen më të madhe të shqiptarëve në tregtinë me Perëndimin. Zoti Shehu, si kryetar i qeverisë, ishte shprehur në favor të lidhjeve më të ngushta me Perëndimin, ndërsa thuhet se Enver Hoxha e kishte kundërshtuar. “NIN” thotë se zoti Shehu ishte takuar me delegacione tregtare të Greqisë dhe Rumanisë, si dhe me disa ambasadorë të vendeve Perëndimore një javë përpara vdekjes së tij. Ajo që del në përfundim është se ai “ishte i detyruar të kryente vetëvrasjen, ose për ndryshe do ta vrisnin”.
Zyrtarë amerikanë thonë se janë të sigurt se 68-vjeçari Shehu ka qenë viktimë e lojës së ndyrë, gjë që bazohet në atë që ata e interpretojnë prej “shtjellimit të përmbajtur të vdekjes së tij nga Radio Tirana. Gazetat shqiptare po raportonin se ngjarja nuk është marrë vesh akoma nga Perëndimi.
Citohet “kriza nervore”
Në orën 7 të pasdites së 18 dhjetorit, partia dhe qeveria shqiptare njoftuan përmes Televizionit se “që pa zbardhur mëngjesi i 18 dhjetorit të vitit 1981, në një momente krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, vrau veten”. Kjo u ndoq me një nekrologji të shkurtër. “Dhe që kjo ishte ajo” (trajtimi shërben si argument për skemën e vrasjes, - shën. red.), - thotë një analist. Një tjetër thekson se në kundërshtim me praktikën e zakonshme të vendeve komuniste nuk ishte thënë asnjë fjalë lavdëruese në nekrologjinë e përgatitur për zotin Shehu.
“NIN” thotë se Radio Tirana “nuk transmetoi më asnjë lajm tjetër në lidhje me këtë ngjarje” dhe se më pas vazhduan të jepeshin programet muzikore si çdo ditë.
Jugosllavët dhe amerikanët thonë se atje nuk kishte pasur të dhëna të mëparshme të një çarjeje midis zotit Shehu dhe zotit Hoxha. Ata kujtojnë se në Kongresin e Partisë, të mbajtur në nëntor, zoti Shehu mbajti një fjalim të gjatë fill pas fjalës së hapjes nga zoti Enver Hoxha.
Shenjat e kaluara flasin për tension
Por, amerikanët thonë se ata kishin konstatuar në shtypin shqiptar shenja tensioni në radhët e udhëheqjes për planin e ri 5-vjeçar, i cili ishte miratuar pas zgjatjes së konsiderueshme në Kongresin e Partisë, i cili u mbajt në nëntor. Gjithashtu, ata citojnë në një artikull të shkruar në numrin e tetorit të gazetës partiake “Rruga e Partisë” kritikën për politikën e izolimit. Por amerikanët thonë se nuk kishin të dhëna se zoti Shehu dhe zoti Hoxha kishin pikëpamje të kundërta rreth kësaj çështjeje.
Vdekja e zotit Shehu shtroi çështjen e pasardhësit jo vetëm për postin e kryeministrit, por përfundimisht, edhe të asaj se kush do të jetë Sekretar i Parë i Partisë. Kjo për shkak se zoti Hoxha, i cili është 73 vjeç, vuan nga sëmundja.
Zyrtarët amerikanë thonë se logjikisht, pasardhës i zotit Shehu në detyrën e kryetarit të qeverisë mund të jetë Adil Çarçani, një ekspert ekonomie, i cili ka qenë që prej vitit 1974 në postin e zëvendëskryeministrit. “NIN” gjithashtu përmend edhe Ramiz Alinë, ish-udhëheqësi i rinisë komuniste dhe ministër e Arsimit, që ka qenë zyrtar i nivelit të dytë në Sekretariatin e Partisë. Parlamenti ka planifikuar të mblidhet më 14 janar dhe pikërisht në atë kohë pritet të bëhen edhe ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 3 janar 1982
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “U.S aides suspect albanian premier was killed”
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e ardhëm do të lexoni
Si u zgjodh Adil Çarçani në vendin e Mehmet Shehut

Gazeta “The New York Times” i rikthehet pas dy javësh vdekjes misterioze të kryeministrit shqiptar

Debatet që rrodhën për zëvendësimin e kreut të qeverisë komuniste dhe dalja në dritë e Çarçanit

Skemat që çuan në largimin nga posti i ministrit të Mbrojtjes të Mehmet Shehut dhe thashethemet për sëmundjen e tij

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

10 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›