Procesi kundër Mubarakut, përleshje jashtë gjykatës
Procesi kundër ish- presidentit të Egjiptit, Hosni Mubarak, ka vijuar sot në Kajro. Hosni Mubarak, i cili sundoi Egjiptin për 30- vite, është i akuzuar për korrupsion dhe bashkëpunim në vrasjen e qindra protestuesve gjatë kryengritjes, e cila çoi në përmbysjen e tij nga posti i presidentit, në muajin shkurt.
Ai ka thënë se është i pafajshëm. Në dallim nga seancat e mëparshme gjyqësore, ajo e sotmja nuk u transmetua drejtpërdrejt në televizion.
Një numër i mbështetësve dhe i kundërshtarëve të ish presidentit, më herët gjatë ditës, u përleshën jashtë Akademisë Policore, në një lagje të Kajros, ku po mbahet procesi.