Procesi “Medicus” mund të shtrihet edhe në Shqipëri

Hetimet për trafik organesh, nëpërmjet procesit “Medicus”, mund të shtrihen edhe në Shqipëri. Një paciente nga Patosi i Fierit ka akuzuar mjekun Kastriot Dautaj – nipi i ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Kadri Hazbiu (Dautaj) – për “vjedhje” të veshkës në sallën e operacionit, kur pacientja po operohej nga mjeku për gurë në veshka. Po ai mjek ishte akuzuar në vitin 2005 nga pacientja Zyra Ago për të njëjtën vepër penale, madje për trafik të veshkës në Kosovë, por Gjykata e Tiranës e kishte shpallur mjekun të pafajshëm për mungesë provash.
Në vitin 2002, Zyra Ago është paraqitur për të bërë incizim të veshkave në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës te mjeku specialist Kastriot Dautaj. Pas kësaj, Dautaj ka kërkuar prej pacientes që të bëjë një pirografi, e cila do të sqaronte funksionin e veshkave. Gjatë konsultës ai i ka thënë se gurët do t’i shkatërronte me goditje me aparaturë.
Kur Zyra Ago është paraqitur në datën e caktuar, ai nuk ka pranuar që t’i bënte goditjet e gurëve, por sipas mjekut duhej të bënte ndërhyrje kirurgjikale. Pacientja ka pranuar këshillën e mjekut duke u operuar me ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë pas operacionit mjeku Kastriot Dautaj nuk është interesuar fare për shëndetin e pacientes së cilës i kishin thënë se mjeku Dautaj kishte ikur në Kosovë menjëherë pas operacionit.
Në vitin 2005, Zyra Ago e çoi çështjen në prokurorinë e Tiranës, e cila kreu arrestimin e mjekut Kastriot Dautaj ku pacientja Zyra Ago do ta akuzonte mjekun e saj për trafik organesh në Kosovë. Ndonëse ndaj mjekut janë zhvilluar një sërë seancash gjyqësore për krimin e rëndë, Gjykata e Tiranës i dha pafajësinë.
Por ditët e fundit një tjetër skandal për trafik organesh ka dalë në dritë për kirurgun Kastriot Dautaj. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në vitin 1998, kur Sheqere Likaj, nga Patosi i Fierit, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për gurët në veshka. Operacioni është bërë nga Dautaj dhe 56-vjeçarja pretendon se veshka e saj është “vjedhur” në sallën e operacionit. Rasti është zbuluar vetëm muajt e fundit nga Likaj, e cila kishte shkuar në Greqi, për të bërë një vizitë pas shqetësimeve të përhershme që pacientja ka pasur edhe pas operacionit.
Mjekët grekë i kanë thënë se 56-vjeçares i mungonte njëra prej veshkave. Megjithatë pacientja nuk ka besuar duke menduar për gabim të mjekëve grekë. Por të njëjtën përgjigje i kanë thënë edhe mjekët shqiptarë të QSUT-së. 56-vjeçarja Likaj ka kërkuar kartelën e pacientit në QSUT, por përpjekjet e saj kanë qenë të kota, pasi kartela rezulton e zhdukur. “Kam tentuar që të kontaktoj me mjekun që bëri ndërhyrjen kirurgjikale, Kastriot Dautaj. Nuk e kam takuar asnjëherë dhe për pasojë nuk ia njoh as fytyrën. Në spital më kanë thënë se ai nuk punon më aty prej kohësh. E gjithë kjo histori është mbuluar me mister. Im shoq, Përparimi, ka firmosur për operacionin dhe ai nuk di të thotë asgjë për fatin e veshkës sime”, shprehet Sheqere Likaj, e cila është në kërkim të veshkës. Pas përpjekjeve për të zbardhur të vërtetën ajo i është drejtuar Policisë së Tiranës, për të paditur kirurgun. Thotë se kërkon që e vërteta të dalë në shesh dhe se policia duhet të zbardhë menjëherë ngjarjen e rëndë.
Bashkëshorti i Sheqeres, Përparim Likaj, pretendon se ditën e operacionit të 56-vjeçares, në të njëjtën sallë ka hyrë një vajzë e re, e cila ka qenë e afërme e mjekut. Sipas tij, dyshohet se mbartësja e veshkës së gruas nga Patosi të jetë e afërmja e kirurgut. Tashmë, edhe Sheqere Likaj dyshohet se ka rënë “viktimë” e mjekut, i cili i ka thënë se kishte gurë në veshka dhe se duhej të bëhej operacion. E njëjta metodë është ndjekur edhe me rastin e vitit 2002, nga Zyra Ago.
Në tetor të vitit 2011 në Gjykatën e Qarkut në Prishtine filloi procesi gjyqësor ndaj shtatë personave të akuzuar në rastin e njohur si “Medicus“, shkruan Koha Ditore. Procesi gjyqësor ka të bëjë me transplantimet e organeve në klinikën “Medicus”, me ç’rast me organet e drejtësisë po ballafaqohen të akuzuarit, kirurgu Lutfi Dervishi, Driton Jilta, po ashtu kirurg, Ilir Rrecaj ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, anesteziologët Sokol Hajdini, Sylejman Dulla dhe Islam Bytyçi, si dhe Arban Dervishi, drejtor i klinikës “Medicus”. Në lidhje me këtë rast akuzohet edhe mjeku turk Jusuf Somnez dhe Moshe Harel, shtetas nga Izraeli.
Të gjithë këta të dyshuar përballen me akuza të trafikimit të personave me qëllim të heqjes së organeve, krimit të organizuar, ushtrimit të paligjshëm të veprimtarive mjekësore dhe shpërdorimit të pozitës zyrtare. Sipas akuzës së paraqitur vitin 2010 nga prokurorët e EULEX-it, e cila është konfirmuar në maj të vitit 2011, të akuzuarit kanë qenë të përfshirë në rekrutimin e 20 shtetasve të huaj nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë.
Të gjithë të pandehurit thonë para trupit gjykues se nuk ndihen fajtorë, me përjashtim të mjekut Driton Jilta, i cili ka pranuar se duke punuar në këtë klinikë ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe ka kryer veprën penale të ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, por pa treguar për atë që ka ndodhur në klinikën “Medicus”. Akuzat për trafikimin e organeve kanë të bëjnë me zhvillimet në një klinike private në Prishtinë në vitin 2008.
Një transplantim i paligjshëm i një veshke që ishte kryer në atë klinikë private atë vit kishte çuar në arrestimin e tre udhëheqësve të klinikës si dhe në pezullimin nga puna të një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë. Hetimet e policisë asokohe kishin zbuluar se një shtetas turk kishte dhuruar një veshkë e cila ishte pranuar nga një shtetas izraelit. Me pas të arrestuarit ishin liruar, ndërsa hetimet kishin vazhduar nga EULEX-i. Ligjet në Kosovë ndalojnë çdo veprimtari të transplantimit të organeve nëpër klinikat private.
Ndërkohë një tjetër hetim për trafik organesh po zhvillohet në Kosovë, Shqipëri e Serbi, pas raportit të eurodeputetit zviceran Dick Marty, i cili akuzoi ish-krerët e UÇK-së, për trafik organesh, që sipas tij zhvilloheshin nga dy baza të UÇK-së në Shqipëri. Këto akuza u hodhën poshtë nga Prishtina dhe Tirana, ndërsa autoritetet shqiptare u treguan të gatshme të bashkëpunojnë në një hetim ndërkombëtar për këtë çështje. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar më 10 maj të vitit kaluar një ligj të veçantë për të lejuar grupin hetimor të EULEX-it për të hetuar në Shqipëri në lidhje me akuzat e ish-senatorit Dick Marty për trafik organesh.
Miratimi i ligjit të posaçëm është bërë me kërkesën e kryeprokurorit të Task Forcës Speciale hetimore të BE-së, ambasadorit John Clint Williamson, i cili drejton hetimet e EULEX-it në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martit. Misioni i Williamson bazohet në Rezolutën e 25 janarit 2011 të KiE-së me objekt “Hetimin e akuzave për trajtim çnjerëzor dhe trafikun e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”./Indeksonline/