Prodhimi i energjisë, në ndjekje të direktivave të BE-së
Shqipëria po punon që të kombinojë politikat e eficencës së energjisë dhe energjive të rinovueshme, duke i bërë ato pjesë të një strategjie të tërë për energjinë, bazuar në direktivat e Bashkimit Europian. Aktualisht, Strategjia Kombëtare e Energjisë (2007-2020) ka të përfshirë jo vetëm strategjinë e zhvillimit të burimeve klasike (fosile), por edhe strategjitë për energjinë e rinovueshme dhe të eficencës së energjisë. Përfshirja e tyre në Strategjinë e Energjisë është e shoqëruar dhe me parashikimin e të gjitha hapave që duhet të ndërmerren për aplikimin e tyre. Qëllimi i përfshirjes së të gjitha burimeve energjetike në planifikimin e nevojave për energji lidhet ngushtë jo vetëm me shfrytëzimin e burimeve alternative, por dhe me objektivat që ka sistemi energjetik shqiptar për zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë. Shqipëria ka ratifikuar dhe nënshkruar disa marrëveshje që lidhen ngushtë me shfrytëzimin e burimeve alternative dhe të pastra nga pikëpamja mjedisore dhe po punon për hartimin e kuadrit ligjor të nevojshëm për nxitjen e këtyre burimeve. Integrimi i tyre në politikat energjetike është edhe obligim i qeverisë shqiptare në kuadër të MSA për harmonizimin e kuadrit ligjor me atë të Bashkimit Europian, për përfitime praktike dhe të mundësive shumë të mira të integrimit. Rritja e sigurisë së furnizimit me energji dhe rritja e kontributit të burimeve të rinovueshme, janë faktorë udhëzues energjetikë të rëndësishëm në politikat energjetike, të cilat reflektohen në rolet gjithmonë e në rritje të eficencës së energjisë dhe të burimeve të rinovueshme. Të gjithë këta objektiva, të cilët janë përshkruar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë (2007-2020), janë mbështetur në Bilancin Energjetik të vendit, të prirjeve në vite që kane paraqitur burimet energjetike dhe konsumet e tyre sipas sektorëve. Parashikimi i nevojave për energji është bazuar në koston më të ulët dhe me impaktin më të vogël në mjedis.