E Shtunë, 31 Tetor 2026

Potenciali energjetik 70% i pashfrytëzuar

Shqipëria ka një potencial të madh hidroenergjie nga i cili vetëm 30% është shfrytëzuar deri tani. Kapaciteti hidroenergjetik i instaluar deri në vitin 2002 është 1446 MW. Prodhimi mesatar nga hidroenergjia është 4162 GWh. Elektroenergjia që prodhohet nga energjia hidrike dhe gjatë përfitimit të saj nuk çlirohen gaze si gjatë përfitimit të energjisë nga djegia e lëndëve djegëse. Leverdishmëria e shfrytëzimit të burimeve hidroenergjetike kushtëzohet nga kushtet gjeologjike, topografike për ndërtimin e digave dhe sidomos nga kushtet topografike për të pakësuar sa të jetë e mundur përmbytjen e tokave. Gjithashtu ndërtimi i tyre varet edhe nga investimet fillestare të mëdha njësi, si dhe nga mundësia për të bërë rregullimin e rrjedhjes në shkallë të lartë me anën e krijimit të rezervuarit akumulues. HEC-et tashmë janë një teknologji shumë e avancuar dhe pothuajse janë zhvilluar në të gjitha vendet e botës. Megjithatë, shfrytëzimi i hidroenergjisë për prodhimin e energjisë elektrike sjell shumë probleme ekonomike, shoqërore dhe mjedisore. Potenciali teorik hidroenergjetik zvogëlohet ndjeshëm po të marrim parasysh gjithë problemet që lindin me ndërtimin e tyre. Nga ndërtimi i HEC-eve, sipërfaqe të tëra toke përmbyten, për pasojë në shumicën e rasteve kjo shoqërohet me shpërnguljen e popullsisë që jeton në ato zona. Ndërtimi i digave të reja krijon probleme të mëdha ndërmjet zonave rurale në afërsi të lumit, kompanive energjetike, kompanive turistike dhe atyre të furnizimit me ujë, sepse secila nga këto kërkon të mbrojë interesat e saj, që pothuajse janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën. Krahas HEC-eve të reja që do të ndërtohen, dy mënyra më të vlefshme për rritjen e energjisë që mund të merret nga HEC-et janë: rritja e kapacitetit të HEC-eve ekzistuese nëpërmjet instalimit të turbinave të tjera, atje ku janë me leverdi ekonomike dhe instalimin e turbinave në digat që tashmë janë ndërtuar për kontrollin e rrymave ujore, në rezervuarët për vaditje dhe për furnizim me ujë të pijshëm. Aktualisht në vendin tonë janë në shfrytëzim tre lumenj të cilët shfrytëzohen në formë kaskade. HEC-et e ndërtuar në secilën kaskadë kanë këto parametra. Kaskada e lumit Drin, me një kapacitet total të instaluar prej 1350 MW, duke përfaqësuar në këtë mënyrë 90% të gjenerimit të vendit me tre hidrocentrale. Kaskada e lumit Mat me dy hidrocentrale, me një kapacitet total të instaluar prej 52 MW. Kaskada e lumit Bistricë me një kapacitet total të instaluar prej 28.5 MW. Gjithashtu duhet theksuar se janë në punë edhe disa HEC-e të vegjël me një kapacitet total prej 20 MW Selita/Lanabregas, Bogovë, Smokthinë, dhe Gjançi. Rezervat totale të hidroenergjisë vlerësohen rreth 3000 MW dhe potenciali vjetor i prodhimit mund të arrijë 10 TWh. Sipas gjendjes aktuale të sistemit, preferohen impiantet e rinj të prodhimit në pjesën jugore të vendit, sepse kjo do ta bëjë të mundur balancimin gjeografik të prodhimit me kërkesën. Mbështetur në punimet e institutit të Studimeve dhe Projektimeve Hidroteknike, është dhënë skema e plotë e shfrytëzimit të Drinit, Devollit dhe Vjosës. Interes paraqet edhe shfrytëzimi i energjisë ujore nëpërmjet hidrocentraleve të vegjël. Deri në vitin 1988 në Shqipëri ishin ndërtuar 83 hidrocentrale të vegjël, kapaciteti i të cilëve shkonte nga 5 deri 1200 kw dhe kapaciteti i përgjithshëm i tyre ishte 14 MW. Në fillim ndërtimi i këtyre hidrocentraleve ka pasur si qëllim furnizimin me energji elektrike të zonave të thella malore. Këto hidrocentrale janë kryesisht të tipit me derivacion dhe shfrytëzojnë burimet dhe rrjedhjet ujore pranë këtyre zonave dhe mosha mesatare e këtyre hidrocentraleve është 25-vjeçare. Zhvillimi i një programi për aktivizimin e këtyre hidrocentraleve është pjesë e politikës energjetike të Qeverisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›