Producentja Mokini: Filmi i Kadaresë nis këtë vit
Tashmë historia është gati. “Sorkadhet e trembura” po marrin formë në skenarin filmik të Juri Arabov, i cili është edhe skenarist në filmin “Faust”, të regjisorit Aleksandr Sokurov, që fitoi “Luanin e Artë” në Venecia këtë fund gushti në edicionin e 68-të, të këtij kompeticioni botëror. Në fakt Arabov, ka marrë gjithashtu çmimin “Skenaristi më i mirë” në festivalin e Kanës për filmin “Molok”, po me regjisorin Sokurov.
I impresionuar nga historia dhe i dashuruar pas veprës së Kadaresë, Arabov po bën aktualisht edhe adaptimin e dytë filmik të skenarit të Kadaresë. E madje, filmi ruso-shqiptar do të nis këtë vit.
Producentja shqiptare Loreta Mokini tregon për gazetën “Mapo” se “enkas për filmin me skenar te Kadarese, Juri ka qenë dy herë në Shqipëri, ka bërë versionin e parë të adaptimit pasi është njohur me vendet, ku ka ndodhur kjo ngjarje e shëmtuar, si dhe pasi ka marrë kontakt me historiane dhe ish-oficerë të sigurimit të shtetit. Ai do të vijë përsëri këtë fund nëntori për të vijuar punën në Tiranë.
“Mund t’u tregoj se Juri është i dashuruar pas veprës së Kadaresë dhe pas skenarit të filmit”, tregon producentja Mokini. Ai ka qendruar me orë të tëra, në biseda të gjata mbi filmin me Kadarenë në Paris. Eshtë shumë kurioz, serioz në pune dhe ka humor të hollë”.
Skenari i filmit mbështetet në ngjarjet historike të viteve ’60, në prishjen e marrdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, dhe rrëfen fatin e grave sovjetike, që u martuan me burra shqiptarë. Vetë Kadarenë e ka prekur shumë kjo ngjarje, sepse ishte një fat më tepër se tragjik për çdo fermër të re sovjetike që guxoi të dashurohej, të martohej dhe të vinte për të jetuar në Shqipërinë komuniste.
“Skenari i Kadaresë zë fill në vitet '60, kur pas vdekjes së Stalinit, shumë çifte shqiptaro-ruse përfunduan në martesë dhe nisën jetën në Shqipëri. Kadare sjell në skenar mënyra sjelljeje dhe argëtimi shumë të bukura të këtyre vajzave studente në Moskë: libri, poezia, muzika, piktura, vallëzimet dhe dashuritë e tyre të lira. Kjo ishte jeta e tyre. Por, menjëherë e kupton se sa larg ishin ato femra nga situata që do të gjenin në Shqipërinë që i kish larë dhe po lante hesapet me inteligjencën e formuar në perëndim. Ato ishin në avangardë për kushtet e Shqipërisë së kohës. Erdhën me diploma të shkëlqyera në profesione të ndryshme dhe sollën me vete entuziazem, modë, sharmë femëror, klasikët e mëdhenj të letërsisë, muzikës dhe pikturës ruse. Këto janë detaje të vogla në film por kanë rëndësinë e tyre krahasuese, sepse na japin një tablo ndryshe nga ajo që do të gjenin në atdheun e dytë”, rrëfen Mokini.
Kur erdhi për herë të parë në Tiranë, pasi ishte takuar me emocion te madh, 2 -3 herë me Kadarenë në apartamentin e tij në Paris, Juri mori kontakt me Natalia Pengilin (ish-përkthyese) dhe disa gra ruse që sot jetojnë në Shqipëri. Gjithashtu ka parë dhe studiuar të gjithë arkivën e arshivuar nga producentja dhe ka marrë kontakte edhe me ish-sigurimsa apo ish-punonjës të ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe.
Xhirimet e filmit do të realizohen pjesën më të madhe në Shqipëri, e një pjesë në Moskë. Loreta Mokini është producentja shqiptare, ndërsa nga pala ruse bashkëproducent është Konstantin Smirnof. “Në fillim të projektit, ne kishim propozim për regjisorin Sokurov, por më pas, producenti rushoqi dorë prej tij , pasi Sokurov kishte në dorë filmin “Faust-”, dhe kështu angazhuam nje tjetër regjisor te madh, por më të ri ne moshe, Kirill Serebrenikov, i cili ka fituar çmimin e madh të festivalit të Romës, në vitin 2010”.