E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, mbyllet pika kufitare me Greqinë për 48 orë

Kapshticë Kufiri Shqipëri-Greqi 48 orë i bllokuar për mjetet, radhët e gjata shfaqen gjatë të dielës. Autoritetet greke në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë njoftuar mëngjesin e të dielës homologët shqiptarë, për një ndërprerje të punës për shkak të një greve dy ditore, që do të ndërmarrin nga ora 7.00 e mëngjesit të së hënës, doganierët e shtetit fqinj. Nisur nga kjo grevë, pala greke iu ka kërkuar përfaqësuesve shqiptarë të policisë të bëjnë njoftimet përkatëse për shtetasit shqiptarë që synojnë vendin fqinj për të parandaluar radhët kilometrike. Por situata duket se është përkeqësuar së tepërmi nga mesdita e në vazhdim e të dielës, në kufirin mes dy vendeve. Me qindra emigrantë shqiptarë, pas njoftimit kanë nxituar të udhëtojnë drejt Greqisë për të mos mbetur në Shqipëri. Por udhëtimi i papritur i tyre ka shtuar radhët në pikën kufitare të Kapshticës, duke krijuar kaos dhe shqetësim tek ata udhëtarë, që kanë pritur për disa orë në kufi. Më shumë se 200 automjete janë vënë në radhë në pritje të kryerjes së procedurave hyrëse për në tokën greke. Nga dyndja e menjëhershme në kufi janë krijuar radhë, teksa pala greke ka vijuar punën e saj me ritme tejet të ulëta edhe për shkak të personelit të pakët që është në punë gjatë fundjavës. Duke iu referuar burimeve nga policia kufitare shqiptare në Kapshticë mësohet se radha pritet të përfundojë deri në orët e vona të mbrëmjes të të dielës. Policia shqiptare ka shtuar masat e saj të sigurisë, ndërkohë që përpunimi i të dhënave nuk zgjat në anën shqiptare të kufirit por në vendin tjetër atë të Bashkimit Evropian. Ndërkaq, nga ora 7.00 e mëngjesit të të hënës deri të mërkurën në mëngjes në po këtë orë, udhëtimi i automjeteve të të gjitha llojeve nuk do të lejohen të përpunojnë të dhënat e tyre. Kjo do të ndodhë vetëm për këmbësorët, të cilët mund të lëviznin pa probleme. Ndërkaq bllokimi i kufirit do të sjellë pasoja dhe për mjetet e tonazhit të lartë të import-eksportit duke shkaktuar jo pak dëme edhe për ekonominë shqiptare. Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›