E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesional apo emocional

Pse-të e memorialit kushtuar Nënë Terezës me autor ark. Marin Biçoku. Asnjë administrator i qytetit në prezantimin projektit që kërkon ndërhyrje në një zonë historike. Në të njëjtën ditë, në të njëjtin vend, Bashkia e Tiranës shpall konkursin për përtëritjen e Sheshit "Nënë Tereza"


Data e lindjes së Nënë Terezës u festua nga patronë politikë të përçarë. Koncert në Kalanë Rozafa, meshë në Vaun e Dejës, kurora në statuja të gruas, kurora në vendet që mbajnë emrin e saj. Kryeministri, bashkëshortja e tij, kryetarja e kuvendit dhe ministri i Kulturës udhëtonin sa në njërin aktivitet në tjetrin, nga Veriu në Shqipërinë e Mesme, brenda ditës.


Tirana pati përqendrimin më të madh të fjalëve dhe nismave për projekte të ardhme që i kushtohen misionares bamirëse, nobelistes për Paqe.


Tirana zyrtare e quajti "investim të kombit shqiptar", "dëshmia se në çfarë lartësie morale mund të ngrihet njeriu shqiptar", "grua që bartte në vetvete virtytet dhe temperamentin shqiptar".


Është një posedim së brendshmi që i bëhet figurës së Nënë Terezës. Mentalitet i njohur. Mentaliteti i identifikimit të kombit me 2-3 individë, të individëve me simbole, të simboleve me besimin në vlera që njeriut bashkëkohës i mungojnë, pastaj i identifikimit të mungesave me utopitë, dhe të vendeve virtualisht të arritshme me fetishe.


Së jashtmi, posedimi nga politika u pa në afishe dhe banderola që lajmëronin marrjen nën kujdestari nga kryeministri të koncerteve, recitimeve dhe gjithçkaje të programuar për festime nga institucionet.


Përçarja u duk qartë dje. Në të njëjtën ditë, në të njëjtin vend, në Hotel Sheraton, u paraqitën dy projekte. Njëri që nuk e përfillte tjetrin.


Drejtuesja e fondacionit "Nënë Tereza", Liri Berisha, me ministrin e Kulturës dhe kryetaren e Kuvendit përkrah, shpalli projektin e memorialit që do të mbajë emrin e bamirëses.


Ndërsa Bashkia e Tiranës kishte prezantuar projektin e konkursit për përtëritjen e Sheshit "Nënë Tereza". Në vazhdim të kësaj, Rruga e Paqes drejt Parkut të Liqenit artificial. I kushtohet Nënë Terezës edhe ajo. Kryetari i Shtetit, Bamir Topi e prezantoi në Presidencë.


Bashkëshortja e kryeministrit shpjegoi se fondacioni që drejton e ka pasur objektiv ndërtimin e memorialit për dy arsye: për të vlerësuar figurën e Nënë Terezës dhe për t'i njohur brezat e rinj me vlerat e saj të vërteta.


"Njerëzit mbi lumenj ndërtojnë hidrocentrale për të prodhuar energji, mbi vlerat njerëzore ndërtohen shtëpi të kësaj natyre, që prodhojnë dritën e shpirtit, atë për të cilën ka nevojë njerëzimi në ditët e sotme", u shpreh ajo. Zonja Berisha përmendi gabimet që janë bërë në kohën e regjimit të kaluar me këtë "ambasadore të vërtetë të vlerave të kombit tonë në botë".


Dha pak informacion Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj. Ai tha që puna për ngritjen e memorialit nis në fillim të vitit 2011. Ndoshta për të hequr dyshimet në do të bëhet vërtet kjo punë, sepse shumë po bien daullet.
Gjithsekush me të vetën u përpoq të jepte një përkufizim se ç'mund të jetë ky memorial, ç'formë dhe ç'përmbajtje mund të ketë.


Vendi është ai i përcaktuar qysh në fillim kur Këshilli i Ministrave mori vendimin për ngritjen e objektit në hapësirën e kolonave ndërmjet Rektoratit të Tiranës dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike.


Arkitekti Marin Biçoku të cilit i ishte porositur projektimi i objektit nuk e fshehu dilemën: profesionale apo emocionale, ishte përfshirja e tij me këtë projekt.


Në një video-projektor shfaqeshin imazhe të modelit arkitekturor, përshkrimet për secilën hapësirë. Modestia e Biçokut u zbeh gjatë interpretimeve të tij. "Dilemat me memorialin kishin të bënin me njohjen e simbolikës së saj.


Paqja, qetësia, largpamësia e saj". Arkitekti tregonte ndërkaq një portret të Nënë Terezës. Por fotoja që i kish munguar "frymëzimit" të tij, ishte ajo e këmbëve të gruas, "këmbët e një njeriu të shkolluar që ka bërë arsimtaren dhe infermieren".


Në ekran herë pas here shfaqej kjo foto e këmbë të lodhura, të enjtura, të vrara.
Me këtë ndjesi dhembshurie Biçoku radhiti 5 objektivat që duhet të përmbushë memoriali: mesazhi i "ndjesës" për të gjitha gabimet që janë bërë kundrejt kësaj figure në kohën e regjimit komunist.


Pastaj me radhë vijnë çështjet sipas rëndësisë: përkujtimi i veprës së saj; promovimi i vlerave dhe figurës së saj, vlera që duhet transmetuar, duhen edukuar brezave në vazhdimësi.


Cili do të jetë funksioni? Funksioni bazë i memorialit është ekspozimi i përhershëm dhe i përkohshëm. Për këtë arsye do të ketë një bibliotekë dhe një mediatekë. Kjo e fundit, mendon arkitekti, vihet më lehtë në jetë, duke patur parasysh se materialet në audio dhe video janë më të gjindshme se objektet për figurën e Nënë Terezës, apo
dorëshkrimet, letrat që ajo ka shkruar. Biblioteka duhet të përmbajë botime të vetë Nënë Terezës, poezi, këngë dhe lutje, thënie të sajat dhe botimet të të tjerëve për të.


Po si është konceptuar hapësira brenda memorialit?


Biçoku shpjegoi se hapësira duhet të presë njerëz të të gjitha moshave dhe "t'i ftojë njerëzit të vijnë jo një herë". Do të ketë një sallë leximi, një sallë lutjesh, një sallë mikpritëse, një muzeu, një kopsht dhe një oborr.


Salla e mikpritjes është konceptuar si sallë muze, por edhe si minibibliotekë. Atyre që do vijnë ta vizitojnë memorialin do t'i vihen në dispozicion libra, dorëshkrime dhe dedikime që ka lënë Nënë Tereza. Mund të shfrytëzohen për momentin, me raste edhe të merren me vete. Ka një sallë të posaçme leximi, ku njerëzit mund ta bëjnë këtë. Në sallën e mikpritjes ka vend për një minidyqan të suvenireve, imitime të objekteve që kanë lidhje me aktivitetin e bamirësisë.


Po do të ketë edhe një kopsht për fëmijët, ku ata mund të vijnë në një kohë të caktuar të shoqëruar nga edukatorët etj. etj. Kurse në sallën e lutjeve do të jetë qilimi që Nënë Tereza ka përdorur në dhomën e saj. Objektin e ekspozuar dje pranë projektit të memorialit, e zotëron fondacioni "Nënë Tereza".


Dhoma e lutjeve e cila, sipas arkitektit do të shërbejë që njerëzit të luten për veten dhe për komunitetin. Forma e kësaj dhome të sjell ndërmend "kaushët" që përshkruajnë në kujtimet e tyre disa ish të burgosur politikë.


Këto detaje konfirmojnë qëllimin e arkitektit për një muze jo klasik që në këtë rast do të thotë se po shkohet drejt një muzeu emocional, patetik dhe jo neutral.


Kinemasë, sallave për tryezave të rrumbullakëta dhe konferenca, aktiviteteve kulturore, arkitekti i sheh vetëm në funksion të veprës së Nënë Terezës dhe që të kenë lidhje vetëm me të.


Por, arkitekti Artan Shkreli ndër të paktët profesionistë të pranishëm në këtë prezantim, tërhoqi vëmendjen se nuk duhet të biem në gabimin për të komentuar objektin i cili ngre disa pse të mëdha.


Sipas Shkrelit, së pari, kjo vepër parashikon ndërhyrjen në një kompleks të përfunduar nga arkitekti italian Gherardo Bosio në vitet '40. Hapësira ndërmjet Rektoratit dhe QSA-së është një zgjatim i Sheshit Italia dhe s'ka lidhje me Sheshin "Nënë Tereza".


Së dyti ky është një investim që kërkon një identitet. Nëse Nënë Tereza është bamirësja e të varfërve, jetimëve, e fëmijëve le të ngrihet ky memorial në një terren të të margjinalizuarve, në një hapësirë më të bollshme. Së treti administratorët e qytetit, Bashkia e Tiranës, nuk është thirrur për këtë projekt. Nëse nuk ndiqet rruga e duhur, do të ndodhte një përplasje ligjore dhe institucionale.


"Kam respekt për arkitektin, z. Biçoku, por nëse ai objekt do të lejohet të bëhet aty, do kishim një binjakëzim me ndërtesën e bllokuar në anë të Sheshit "Italia"", tha për "Shekullin" Artan Shkreli. "Askush s'mund të miratojë një propozim të tillë pa vendimin e pushtetit vendor."


Kjo ndodhi dje kur Bashkia e Tiranës, në prani të Ambasadorit italian Saba d'Elia si dhe të Drejtorit të Zyrës së Kooperacionit Italian për Zhvillim, kishte prezantuar iniciativën e përbashkët për rehabilitimin e sheshit "Nënë Tereza".

Rehabilitimi i Sheshit "Nënë Tereza"


"Së bashku për Sheshin "Nënë Tereza" është një bashkëpunim i cili synon rehabilitimin e qendrës historike të kryeqytetit. Kryetari i bashkisë së Tiranës tha dje se sheshi "Nënë Tereza" përfaqëson simbolikën e një hapësirë ku ndërthuren vlera të shumanshme të një tradite urbane dhe arkitektonike të qytetit, nën ndikimin e kulturës italiane të projektimit të fillimeve të shekullit të shkuar, por edhe si një vend që falë emrit merr një tingull të veçantë.


"Ky shesh", tha ai, "shfaqet mbi trupin e kryeqytetit në vitet '20, në këmbët e një kodre që quhej "Kodra e Paqes" dhe vjen si embrion i asaj që ishte për kohën Tirana e Re, falë frymëzimit dhe vijave të para të hedhura nga një arkitekt roman Armando Brasini, i cili në fakt shkroi preludin e Tiranës që ne më pas trashëguam, por në fakt shënoi një pikë së cilës ne vijimësisht i referohemi, si një aks i pafundësisë, aksi i sotëm i bulevardit, i konceptuar njëkohësisht si një nisje drejt pafundësisë."


Në vitin 1941, me Planin e Përgjithshëm Rregullues të Tiranës, arkitekti Gherardo Bosio e vë këtë hapësirë në funksion të ndikimit politik dhe kulturor të kohës, ndikim politik dhe kulturor i mishëruar në një arkitekturë me një fizionomi të saj të përcaktuar dhe ky bëhet sheshi i Littorios, ndërsa në fakt në periudhën e diktaturës komuniste, ndonëse godinave të sheshit u hiqet një funksion partiak i kohës së fashizmit, përsëri sheshi trajtohet si një pikë reference për ideologjinë dhe lëvizjet e degradimit tërësor të asaj periudhe. Shfaqet shatërvani i cili është në fakt një "lule" abstrakte që i bën jehonë "yllit".


Në vitet '90 edhe ky shesh iu lëshua në dorë kaosit dhe rrëmujës.


Ligjëratën për transformimin e Sheshit "Nënë Tereza", në një hapësirë për qytetarët, me sa më pak makina dhe zhurmë, kryebashkiaku Rama e mbylli me shprehjen e një bindjeje "se ditë të shënuara, kur ne shqiptarët e kemi zakon të flasim nga mëngjesi deri në darkë për vlerat dhe parimet, duhet të shërbejnë njëkohësisht edhe si ditë kur ne do të kujtohemi se në ditë të zakonshme, shpesh herë i harrojmë vlerat dhe parimet dhe së fundmi ditët e shënuara janë vërtet të shënuara, kur kujtojmë të kaluarën, por kur gjejmë mënyrën për të bërë të lindë diçka që i vlen së ardhmes."


Rruga me gurë e Paqes


Kreu i shtetit Bamir Topi prezantoi dje një nismë tijën në bashkëpunim me Unionin për Paqen dhe Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e "Rrugës së Paqes". Do të jetë një rrugë për te Liqeni Artificial i Tiranës e ndërtuar me gurë që mbajnë firmën e shumë presidentëve nga bota, si simbolikë e vullnetit të tyre për paqen dhe tolerancën.


Ekspozimi i projektit u bë në presidencë në prani të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, Kryetarit të Unionit për Paqen, Gianfranco Costa, personalitete të kulturës, anëtarë të kabinetit të Presidentit, etj. Kryetari i Unionit për Paqen, Gianfranco Costa e vlerësoi këtë projekt të jashtëzakonshëm.


Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama falënderoi Presidentin e Republikës, Unionin e Paqes dhe "të gjithë ata Presidentë dhe autoritete të larta jo vetëm shtetërore, por edhe morale, apo figura publike të kulturës së gjallë shqiptare, apo botërore që kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë të vënë emrin e tyre në këtë rrugë."


Projekti shqiptaro- italian nis zyrtarisht në 19 tetor të këtij viti, datë e lumturimit nga Vatikani të Nënë Terezës.

Kanë nisur ndërkaq të mbërrijnë pllakat e para nga shtete të ndryshme me emrin e Presidentit të vendit ose të një simboli të vendit. Italia p.sh ka shkruar "Michelangelo" në pllakën e saj.

Rruga e Paqes është nisma për një rrugë të formuar nga gurë të mbishkruar nga të gjithë ata që duan të firmosin me emrin, mbiemrin dhe qytetin e tyre. Kjo rrugë do të nisë nga sheshi Nënë Tereza dhe do të përshkojë kodrat e liqenit artificial të Tiranës.


Çdo gurë do të jetë i njëjtë për nga karakteristikat dhe përmasat me gjithë të tjerët (rreth 35cm x 50 cm) dhe që të gjithë së bashku do të formojnë Rrugën "Nënë Tereza". E gjithë rruga është parashikuar të mbulojë një gjatësi prej 2.7 km me një gjerësi mesatare prej 3 metrash.

Aktivitete dhe homazhe


Në Vaun e Dejës


Në katedralen "Nënë Tereza" në bashkinë e Vaut të Dejës është zhvilluar një meshë për nder të murgeshës nobeliste. Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë e parlamentit morën pjesë në meshën e celebruar në oborrin e katedrales e cila u ndoq nga dhjetëra besimtarë. Mesha u celebrua nga nunci apostolik i Vatikanit në Shqipëri, Ramiro Moliner Ingles.


Një pullë e përbashkët postare


Shërbimet postare të Shqipërisë, Maqedonisë dhe të Kosovës emetuan dje për herë të parë një pullë të njëjtë për tre shtetet me imazhin e bamirëses me famë botërore. Prezantimi u bë në Tiranë në prani të drejtuesve të shërbimit postar nga të tre vendet fqinjë.


Arqile Gorea, drejtor i Postës së Shqipërisë tha se nuk është hera e parë që të tri postat emetojnë pulla me imazhin e Nënë Terezës, por kësaj here imazhi është i përbashkët, është një përfaqësim. "Sepse Nënë Tereza na përket të gjithëve", tha Gorea. Për drejtuesit e postave të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës emetimi i pullës së Nënë Terezës veç qëllimit për ta nderuar e respektuar emrin dhe veprën e saj është dhe një hap konkret në ndërtimin e një tregu rajonal.


Meshë në Kalkutë


Në metropolin indian Kalkuta, qindra njerëz kanë përkujtuar me një meshë nobelisten Nënë Tereza, në ditën e 100 vjetorit të lindjes së saj. Mesha e drejtuar nga kardinali Telespone Placidus Toppo u zhvillua në selinë e Kongregatës së "Misionareve të Bamirësisë", të cilën Nënë Tereza e kishte themeluar në vitin 1950. Gjatë meshës është lexuar edhe një mesazh i Papa Benediktit të XVI-të, i cili çmon lart veprën e Nënës Terezë.


Një protestë në Nju Jork


Nju Jork - Empire State Bulding në Nju Jork nuk ka pranuar kërkesën për ndriçimin e kullës për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Iniciatori i kësaj proteste ishte Presidenti i lidhjes katolike për të drejtat fetare William Donohue, i cili ka gjetur mbështetjen e politikanëve lokalë dhe njerëzve me influencë në qytet, duke bllokuar trafikun për rreth 1 orë para grataç


elës, në emër të Nënë Terezës, lirisë fetare dhe në veçanti në emër të kishës katolike. Presidentit Anthony Malkin, i ishte kërkuar për këtë përvjetor ndriçimi i grataçelës me drita bardhë e blu. Por Malkin ka sqaruar që politikat e brendshme të Empire State Bulding nuk marrin në konsideratë kërkesa të tilla, për figura fetare e politike.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›