Nëna dyshon për trupin e vajzës së vrarë nga serialkilleri

Gjykata urdhëroi prokurorinë të nisë hetimin për Herjona Sulejmanin që dyshohet se është vrarë në vitin 96 nga Mauricio Mingela
Prokuroria më parë kishte mbyllur hetimin, për mungesë të dosjes së hetuar në Itali dhe analizës së shtrenjtë të ADN- së
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendosi që prokuroria e Tiranës të rifillojë hetimet për zbardhjen e mënyrës së vdekjes së Herjona Sulejmanit, e përdhunuar, vrarë dhe djegur në vitin 1996 në Itali nga vrasësi në seri (serial killer) Mauricio Mingela (Maurizio Minghella).
Nëna e viktimës Sulejmani, në mars të vitit 2007 kallëzoi në polici "vrasjen" e vajzës së saj në Torino të Italisë në vitin 1996, ndërsa kërkonte zbardhjen e mënyrës së vdekjes së saj.
Po ashtu e ëma, dyshonte, kërkonte identifikimin e trupit të karbonizuar të sjellë në arkivol në Shqipëri, për të cilin ajo dyshonte se nuk ishte i vajzës së saj. Pas denoncimit, prokuroria e kryeqytetit e përfaqësuar nga Ervin Beqiri regjistroi procedimin penal dhe filloi hetimet për "vrasjen" e Heriona Sulejmanit. Prokuroria zhvarrosi trupin e varrosur në emër të Herjona Sulemanit duke marrë prej trupit, mostra për kryerjen e analizës së ADN-së për të krahasuar me atë të familjarëve të saj.
Pavarësisht këtij veprimi të prokurorisë, kjo analizë nuk u realizua asnjëherë për shkak të mungesës së fondeve nga Prokuroria e Përgjithshme.
Gjithashtu, prokurori i çështjes Beqiri, bazuar në këtë procedim penal iu kërkoi autoriteteve italiane nëpërmjet një letër-porosie dosjen e vrasjes së Sulejmanit në vitin 1996.
Autoritet italiane, pas gati dy viteve sollën vetëm vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm të Maurizio Mingjella, që ishte dënuar për vrasjen e 16 femrave të ndryshme në Itali. Mes tyre ishte edhe vajza shqiptare Herjona Sulejmani.
Më tej prokurori i çështjes, veç vendimit të dënimit të "serial killerit" Mingela iu kërkoi autoriteteve italiane dosjen e plotë për rastin e vajzës shqiptare. Kjo kërkesë mbeti pa përgjigje për disa kohë, çka e beri prokurorin Beqiri të pushojë hetimin për rastin në fjalë, për shkak të mos mbërritjes së letër-porosisë dhe mos kryerjes së analizave të ADN-së.
Vendimi i pushimit të hetimit u kundërshtua nga nëna e vajzës në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Gjyqtari Ibrahim Hoxha, pasi shqyrtoi kundërshtimin e ankueses, vendosi ta pranojë atë duke "urdhëruar" organin e akuzës të vazhdojë hetimet për "vrasjen" e Sulejmanit.
"Gjykata pasi, studioi materialet e procedimit penal me nr.1136, viti 2007, si dhe i administroi ato, del me përfundimin, se do të duhen në këtë çështje të bëhen edhe veprime të tjera hetimore, si kryerja e analizës së ADN-së së vajzës së zhvarrosur dhe përsëritja e kërkesës drejtuar autoriteteve italiane për sjelljen e dosjes së vrasjes së Herjona Sulejmanit.
Veprime këto që do të plotësonin kuadrin e një hetimi të plote dhe të gjithanshëm në lidhje me faktet, e pretenduara në këtë kallëzim penal dhe për më tepër këto veprime kanë filluar dhe nuk kanë përfunduar.
Në këto kushte, Gjykata çmon se Prokuroria duhet të filloje hetimet për procedimin penal, me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore të mësipërme"-thuhet në vendimin e gjyqtarit Hoxha.