Mbyten dy anijet amerikane, dhuratë për Shqipërinë

Nga ana e departamentit amerikan të shtetit janë dhuruar pesë anije për rojën bregdetare. Por vetëm tre kanë mbërritur në portin e Durrësit, teksa dy kanë përfunduar në fund të detit
DURRËS - Vjen e përgjysmuar dhurata amerikane për rojën bregdetare shqiptare. Nga 5 copë anije të dhuruara shtetit shqiptar, kanë mbërritur në destinacion në Portin e Durrësit vetëm 3. Njoftimi i paradokohshëm i Ministrisë së Mbrojtjes bënte fjalë për 5 anije që do të vinin së shpejti.
Anijet moderne amerikane kishin në to të stampuar fjalët "Albanian Navy" dhe numrat përkatës të cilët nuk ishin sipas radhës. Mjetet e ardhura ishin me numrat respektivë 1, 3 dhe 5. Në radhën rendore të mjeteve të zbarkuara nga anija transportit "Ascension" mungonin numrat 2 dhe 4 të "Albanian Navy", por rreth këtij fakti nuk u dha asnjë shpjegim.
Pas interesimit në personelin e rojës bregdetare që do të përdorë këto mjete, nga burime konfidenciale mësohet se dy anijet e tjera janë mbytur në det gjatë ardhjes në brigjet e Mauritanisë.
Mjetet detare kanë qenë të vendosura në kuvertën e anijes transportuese dhe gjatë rrugës, pas një fortunali të madh, nga lëkundjet ngarkesa ka rrëshqitur dhe kanë rënë mes dallgëve të detit 2 prej anijeve amerikane që kishin destinacion bankinat e portit të Durrësit.
Anijet arritën me numër mangët të inventarit dhe megjithëse pritej ardhja e tyre, për këtë nuk është bërë asnjë ceremoni zyrtare, madje nuk ka qenë i pranishëm as shtypi dhe mediat televizive, siç veprohet në raste të tilla kur jo vetëm dhurohen objekte të rëndësishme si këto mjete për rojen bregdetare, por është bërë njoftimi në orët e pasdites për shkarkimin e tre copë anijeve, si dhe mbi detyrat dhe destinacionin që kishin në të ardhmen në luftë kundër trafiqeve dhe terrorizmit.
Duke u nisur nga vlera e bërë publike se ato kushtonin 5,3 milionë dollarë del se gjatë transportit kanë përfunduar në fund të detit mbi 2 milionë dollarë, dhuratë nga shteti amerikan.
Anijet e arritura janë mjete të dhuruara rojës bregdetare shqiptare nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Njoftimi i bërë nga Marina luftarake shqiptare thekson se ato janë prodhime të tipit "Arc Angel" dhe se janë anije të reagimit të shpejtë. Kjo shumë është kontribut i fondit të koalicionit kundër terrorizmit të SHBA-së dhe sipas të dhënave, për këtë qëllim do të përdoren edhe në vendin tone.
Në njoftimin e bërë, sipas të dhënave taktiko-teknike të kantierit prodhues amerikan, tipi i anijes "Arc Angel" ka një gjatësi prej 13 metrash, gjerësi 4 metrash, lartesi 3.8 metra, peshkimi në ujëra i korpusit metalik nënujor, kalluna, shkon sipas ngarkesës nga 0.3 - 0.8 m, peshë 9.5 t, shpejtësi 35 - 40 nyje, shpejtësi ekonomike 30 nyje, starton në 13'' një shpejtësi 30 nyje dhe është e pajisur me 2 motorë 500 Kf, si dhe me aparatura të tjera moderne.
Komanda e Forcave Detare ka bërë me dije se "gjatë muajit gusht një ekip trajnues i rojës bregdetare amerikane do të zhvillojë në portin e Durrësit trajnimin e personelit shqiptar që do të përdorë këto anije, kryesisht në njohuritë teknike dhe praktike të ndërtimit të anijeve, instalimin dhe mirëmbajtjen e motorëve, sistemet elektronike dhe elektrike, pajisjet e komunikimit dhe lundrimit etj".
Mësohet se pas përfundimit të këtij kursi 2 anije do të shërbejnë në Flotiljen Detare të Jugut dhe 1 anije në Flotiljen Detare të Veriut duke rritur ndjeshëm kapacitetet operacionale të këtyre flotiljeve veçanërisht në operacionet antiterror dhe ato për zbatimin e ligjit në det. Anijet kanë arritur në port me datën 4 gusht dhe vazhdojnë që të jenë të stacionuara në bankinat e portit të Durrësit.
Njoftimi zyrtar
"Ditën e mërkurë, më 4 gusht 2010, mbërritën në portin e Durrësit tre anijet "Arc Angel", dhuratë e Departamentit Amerikan të Shtetit për Rojën tonë Bregdetare. Këto anije të reagimit të shpejtë me një vlerë 5,3 milionë dollarë, sipas Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Tiranë, jepen nga fond i koalicionit kundër terrorizmit të SHBA-së dhe do të përdoren po për këtë qëllim në vendin tonë. Anija e transportit "Ascension" mbas një lundrimi të gjatë në oqeane dhe dete bëri të mundur mbërritjen në portin e Durrësit të këtyre mjeteve, dhuratë e popullit dhe qeverisë amerikane..."