E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionistët, detyrim marrja e urdhrit

12/10/2009  Projekti i qeverisë përcakton fazat për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të rregulluar

Aktualët i “shpëtojnë” provimit të shtetit. Kush përjashtohet nga praktika

Kryerja e praktikës profesionale, provimi i shtetit për formim profesional dhe regjistrimi i profesionistit në urdhrin profesional janë etapat që do të ndjekin punonjësit e sistemit të shëndetësisë, arkitektët apo inxhinierët për të ushtruar profesionin e tyre. Projektligji i qeverisë “Për profesionet e rregulluara në Republikës e Shqipërisë” synon të përcaktojë kritere të qarta për ushtrimin e këtyre profesioneve, por parashikon edhe përjashtimet e veta. Një prej tyre është edhe përjashtimi nga provimi i shtetit i të gjithë atyre që e ushtrojnë një profesion të rregulluar para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Por çdo profesionist për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, duhet të regjistrohet në regjistrin e urdhrit profesional përkatës. Kriteri tjetër i rëndësishëm për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar është përcaktimi i rregullave për domosdoshmërinë e kryerjes së praktikës profesionale për t’u përshtatur me një profesion të rregulluar. Megjithatë, projektligji përjashton nga detyrimi për të kryer praktikën profesionale kandidatin që provon se për një periudhë të caktuar ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, ku ka fituar një përvojë të mjaftueshme. Është autoriteti kompetent që në bashkëpunim me Urdhrin Profesional përkatës përcakton kriteret që përdoren për të vlerësuar nëse përvoja profesionale e kandidatit është e mjaftueshme për ta përjashtuar nga detyrimi për të kryer praktikën profesionale. Përjashtim i kandidatit nga kryerja e praktikës profesionale mund të reduktojë ndjeshëm periudhën e parapunësimit, duke pasur parasysh faktin se kohëzgjatja e praktikës është e ndryshme për profesione të ndryshme. Nëse për disa profesione kjo praktikë mund të zgjasë 6 muaj, për profesione të tjera mund të zgjasë të paktën tre vjet (siç parashikohet në ligjin “Për auditimin ligjor, organizmin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”). Projekti në fjalë parashikon edhe një shpërblim për praktikantin, të cilit gjatë zhvillimit të praktikës profesionale i jepet një pagesë prej jo më pak se 50 për qind të rrogës bazë. Pagesa apo shpërblimi vlerësues bëhet nga profesionisti që drejton praktikën profesionale. Profesionisti zgjidhet nga Urdhri Profesional përkatës. Ai duhet të ushtrojë profesionin prej jo më pak se tre vjetësh dhe duhet të japë garanci të mjaftueshme për përgatitjen teoriko-praktike të praktikantit. Në një perspektivë më të largët, njëra nga objektivat kryesore të projektligjit është hapja e rrugës për njohjen profesionale në përputhje me kërkesat e BE-së.

Profesionet e rregulluara dhe përjashtimet

Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë janë: profesioni i mjekut, mjekut të specializuar, dentistit, dentistit të specializuar, farmacistit, infermierit, mamisë, veterinerit, arkitektit, inxhinierit.

Profesione të rregulluara janë edhe profesionet e përcaktuara si të tilla me ligje të tjera të veçanta.

Përjashtohen nga ky ligj veprimtaritë e ushtruara në profesionin e rregulluar që lidhet me kryerjen e funksioneve në autoritetet gjyqësore dhe për profesione që sipas legjislacionit në fuqi kanë kërkesa të veçanta, por jo domosdoshmërisht të karakterit të formimit apo kualifikimit të kërkuar për profesionet e rregulluara.

Provimi i shtetit

Etapat për ushtrimin e një profesioni të rregulluar

Personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë në përputhej me legjislacionin në fuqi. Për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar çdo kandidat duhet të japë provimin e shtetit, të kryejë praktikën profesionale dhe të regjistrohet në urdhrin profesional përkatës. Etapat që ndjek kandidati përcaktohen nga UP-ja sipas veçorive të çdo profesioni të rregulluar. Provimi i shtetit organizohet dhe zhvillohet nga ministria që mbulon fushën e arsimit në bashkëpunim me autoritetin kompetent në fushën përkatëse. Me urdhër të ministrit të Arsimit dhe autoritetit kompetent përkatës ngrihet Komisioni Kombëtar i Vlerësimit, i cili funksionon sipas rregullave që përcakton ministri i Arsimit.

Përgjegjësitë e tyre

Detyrim “reklamimi”i profesionistëve para klientëve

Profesionisti ka detyrim të bëjë të njohur për publikun titullin profesional të tij, të kujdeset për përditësimin e aftësive të veta profesionale, të vërë në dijeni urdhrin profesional përkatës për situata të mundshme të konfliktit të interesit lidhur me shërbimin e kërkuar. Po ashtu ai ka për detyrë t’i bëjë të ditur përfituesit të shërbimit në çastin që pranon detyrën, kufirin e dëmshpërblimit për dëmet e shkaktuara si pasojë e riskut profesional, rastet dhe kushtet që përcaktohen në statutin e UP-së, të vërë në dijeni përfituesin e shërbimit për anëtarësinë e tij në UP-në përkatëse dhe të japë të dhëna për përvojën e tij profesionale, si dhe për situata e mundshme të konfliktit të interesit lidhur me shërbimin e kërkuar. Dy ose më shumë profesionistë të një profesioni mund të bashkohen dhe formojnë në këtë mënyrë shoqërinë profesionale. Kjo shoqëri përgjigjen për dëmet që profesionistët u shkaktojnë të tretëve.

.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›