E Diel, 1 Nëntor 2026

Profesor Lambeley: Ka ekzistuar një shkollë e artit në Apoloni

Zbulohet tjetër objekt, një këmbë bronzi e shek. II-III pas Krishtit


Pas gjetjes së bustit të një atleti romak, ekspedita shqiptaro-frënge në Butrint po ndesh të papritura të tjera. Dje ka dalë në dritë një këmbë prej bronzi që mendohet se i përket shtatores së një legjionari romak.


Këmba, siç shihet nga fotot, në gjendje shumë të mirë, është zbuluar në një nga kanalet anësore të vilave romake të qytetit antik. Këmba paraqitet e veshur me sandale, është e zbukuruar në pjesën e përparme dhe të prapme të saj ku duken qartë edhe lidhëset.
Arkeologët janë të mendimit se ky objekt, ashtu si dhe busti, daton në shek. II - III pas Krishtit.


Kjo këmbë e bukur është i pari zbulim i këtij lloji, i "kategorisë së gjymtyrëve", nga nëntoka arkeologjike e Shqipërisë. Një nga dy drejtuesit e ekspeditës, profesori dhe arkeologu frëng Jean-Luc Lambeley e quan "gjetje të rrallë arkeologjike" që po t'i shtohet zbulimit tjetër të para pak ditëve, vërtetojnë se në qytetin antik të Apolonisë ka ekzistuar një shkollë për skulpturat e llojit të tillë. "Ajo është gjetur në të njëjtin kanal ku është zbuluar edhe busti i atletit romak. Është këmba e djathtë e një statujë dhe është e një kualiteti të shkëlqyer", është shprehur drejtuesi i ekspeditës, prof.


Lambeley, "kjo falë edhe restauruesit, i cili e ka pastruar profesionalisht. Shpresojmë që të gjejmë këmbën tjetër ose fragmente të tjera të statujës. Këmba e bronzit mund t'i përkasë një legjionari romak që ka patur një trup normal, të gjatë 170-180cm."


Me interes priten rezultatet në vazhdim të ekspeditës e cila që në ditën e katërt të saj, javën që shkoi, zbuloi bustin e antikitetit të vonë romak. Ky objekt u zhvendos dje në Tiranë, në Institutin Arkeologjik pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, për t'iu nënshtruar restaurimit dhe studimit të mëtejshëm dhe për të zënë vend përfundimisht në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë që do të hapet në vjeshtë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›