E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progni & Co: Kukësi, në turin e dytë

Ndeshjet e para të Europa Ligës kanë pasur shumë surpriza në vetvete, ku natyrisht një rezultat i tillë deri diku mund të quhet edhe ai që mori Kukësi ndaj Flora Talinit në Estoni. Dy ditë para ndeshjes ishte faqja zyrtare e UEFA-s, ajo që shkruante se si një “meteor” vinte në ndeshjet e Ligës së Europës, nga një ekip i Kategorisë së Dytë në kampionatin shqiptar të futbollit, në prezantimin e futbollit shqiptar si vendi i dytë në Kategorinë Superiore. Por duket se “meteori” vijon rrugën e tij pozitive, duke bërë që në debutim një rezultat të mirë, premtues për të kaluar edhe turin e parë, që do të ishte unike në gjithë Europën sa i përket kësaj ngjitjeje.
PROGNI
Ka qenë minuta e 79-të e ndeshjes, kur Progni, në hyrje të zonës shmanget bukur, edhe pse paksa prerazi me portën, lëshon një “predhë” dhe shtang stadiumin. Protagonisti kërkon të mbetet modest, por në rrjetin social të tijin “Facebook” ka marrë urimet e mijërave tifozëve kuksianë dhe jo vetëm, ndërsa vetë Gerhard Progni thotë pak fjalë, edhe ato më shumë falënderimi: “Së pari, falënderoj të gjithë tifozët kuksianë, por edhe ata shqiptarë që besuan te Kukësi. Vërtet Kukësi nuk ka shumë histori, por grupi ka qenë përherë i bashkuar, presidenca gjithashtu, duke u treguar korrekte me në krye Safet Gjicin. Tani nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm të shohim për nga ndeshja e kthimit, duke kërkuar të kalojmë në turin e dytë. Besoj se e përligjim ta kërkojmë kualifikimin, nuk e themi vetëm me fjalë, pasi sërish do të jemi në fushë. I kemi kapacitetet për ta mundur Florën dhe do ta bëjmë realitet”. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe futbollistët e tjerë, duke filluar me Alikajn, Hallaçin, Brahjen, për të përfunduar deri te mjekët e skuadrës, Perli e Pertef Rusi.
TIFOZËT
Mijëra tifozë të Kukësit dhe jo vetëm e kanë ndjekur ndeshjen e skuadrës së zemrës nëpërmjet internetit, që fatmirësisht ka qenë një ndeshje me cilësi sa i përket transmetimit. Kjo edhe për faktin se Laçi luante në Shqipëri dhe asnjë nuk kishte mundësi ta ndiqte. Menjëherë pas golit të Gerhard Prognit, kanë vërshuar komentet dhe urimet, edhe pse kishte minuta të tjera për të mbaruar ndeshja. Ndërsa dje sërish kryefjalë e tyre ishte ekipi i Kukësit, madje disa prej tyre janë interesuar se ku mund të gjejnë një biletë për ndjekur direkt në “Qemal Stafa” ndeshjen e kthimit. Qytetarë kuksianë, kudo që janë ndodhur, madje edhe nga SHBA, kanë përgëzuar ekipin e tyre, pasi arritën të futeshin në histori, duke shkruar me të arta emrin “Kukës”, edhe pse ishte ekip debutues si në Superligë, ashtu edhe në Europë.
KUNDËRSHTARI
Mediet estoneze nuk është se kanë kritikuar shumë Flora Talinin, kjo edhe për faktin tjetër se më shumë janë marrë me kombëtaren që ishte ngjitur tri vende në renditjen e FIFA-s, por edhe me humbjen e dy skuadrave të tjera pjesëmarrëse në Ligën e Europës. Eksponentë të klubit të Florës, duke përfshirë edhe trajnerin, kanë deklaruar se çdo gjë mbetet e hapur, sepse ashtu siç shënoi Kukësi në Talin, ashtu mund të shënojë edhe Flora në Tiranë. Gjithsesi, kundërshtari e ka pranuar që tashmë favoritë nuk është ai, por ekipi shqiptar i Kukësit, aq më tepër që do të luhet në temperatura të larta. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›