E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët: Është fundi, edhe Shqipëria na kaloi në FIFA

Duket se kësaj radhengjitja e Shqipërisë në futboll më shumë është komentuar në mediet e huaja sesa në shtypin shqiptar. Dhe kjo më tepër është komentuar në Serbi dhe në Kosovë. Kanë qenë pikërisht analistët dhe opinionistët sportivë të Kosovës, që duke thumbuar Serbinë, në komentet e tyre nuk përmendnin thjesht ngjitjen e Kombëtares shqiptare të futbollit, duke vendosur rekorde të reja, por e ironizonin me faktin që Serbia ishte më poshtë, kur kujtojmë që kjo kombëtare vite më parë ishte shumë e fortë. Por kjo ka qenë vetëm njëra anë e medaljes, pasi vetëm serbët kanë kritikuar ecurinë skandaloze të kombëtares së tyre, ndërsa gazetarët sportivë thuajse në të gjithë titujt përmendin faktin që edhe Shqipëria ua kishte kaluar në renditjen e FIFA-s.
SHTYPI SERB
Përfaqësuesja e Serbisë ishte katër vende më poshtë se Shqipëria në renditjen e FIFA-s. Kuqezinjtë ishin të 37-ët, ndërsa serbët të 41-ët. Serbia ka humbur pesë pozicione në dallim nga muaji i shkuar, qershor dhe gjendet si kurrë më poshtë. Këtë ngritje të Shqipërisë mbi Serbinë, mediat serbe e konsiderojnë turp për futbollin serb. Pas kësaj, mediat serbe kanë marrë edhe më shumë shkas për të sulmuar trajnerin Mihajloviç, që nuk po kalon momente të mira. “E kemi prekur fundin, edhe Shqipëria ka kaluar Serbinë në ranglistën e FIFA-s”, ishte titulli i portalit “Telegraf.Rs”. Gati në tërësi mediat online të Serbisë, raportimin për ranglistën e FIFA-s e kanë lidhur që në titull me hovin e Shqipërisë. “Serbia pas Shqipërisë” ishte titulli i portalit “B92”. “Edhe shqiponjat shqiptare para kolibrave” ishte titulli i “Smedia.Rs”.
RIVALËT
Zvicra, kryesuesja e Grupit E kualifikues për Botërorin 2014, ku bën pjesë Shqipëria, ka humbur dy pozicione, nga vendi i 14-të, ka rënë në të 16-in, edhe pse ndeshjen e fundit ndaj Qipros e ka fituar. Ndërsa Norvegjia, kundërshtarja ynë në dy ndeshjet e fundit eliminatore, pas barazimit 1-1 në Tiranë duket se ka fituar pikë, pasi nga vendi i 29-të renditet e 25-ta, duke fituar 4 pozicione. Sllovenia, e pesta në renditjen e Grupit E, ka fituar më shumë vende se të tjerat e grupit tonë. Sllovenët, nga të 55-ët në renditjen e FIFA-s, janë ngjitur 10 shkallë menjëherë, duke u renditur të 45-ët. Kjo, nga fitorja e fundit në Islandë. Ndërsa vetë islandezët, jo vetëm që kanë humbur vendin e dytë në grupin ku bëjmë pjesë edhe ne, por kanë zbritur plot 12 shkallë, nga vendi 61-të tashmë ata janë të 73-ët. Ndërsa e fundit e Grupit E, Qipro, vijon rënien në ranglistën e FIFA-s, tashmë gjendet e 25-ta, duke humbur edhe 3 pozicione të tjera. Për muajin korrik nuk priten ndryshime.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›