E Diel, 1 Nëntor 2026

Programet Erasmus, Dajana Martini tregon eksperiencën e saj në Poloni

Mes studentëve të Universitetit “Eqrem Çabej” që gjatë vitit 2025 kanë përfituar nga programet Erasmus+ është edhe Dajana Martini.

Studentja e vitit të dytë për Infermieri të Përgjithshme ndan për mikrofonin e RTSH eksperiencën e saj në Poloni, ku përveç anës profesionale ajo vë theksin edhe tek njohjet me bashkëmoshatarë nga vende të tjera të botës.

“Ishte hera ime e parë që shkova me programin Erasmus+ në Poloni. Ishte një eksperiencë shumë e bukur që ia ka vlejtur. Mendoj se u mësova atje me ambientin e punës dhe me miq e shokë të rinj nga vende të tjera,” tha për RTSH Dajana Martini, studente e Universitetit “Eqrem Çabej”.

Është një mundësi që nuk duhet humbur, shprehet 20-vjeçarja, ndërsa e pyesim nëse ka një mesazh për të përcjellë.

 “Nëse të rinjve u jepet një mundësi, ata të mos ngurojnë, të mos thonë kurrë jo. Të rinjtë do të zhvillohen më shumë për veten e tyre, jo vetëm në aspektin e profesionit ku ata po studiojnë, por në shumë aspekte.”

Programet Erasmus janë një mundësi që u jepet të rinjve për t’u njohur me jetën në universitetet europiane, përfitimet akademike dhe rritjen personale që sjell ky mobilitet.

Aktualisht, janë pjesë e këtij programi 5 studentë nga Universiteti i Gjirokastrës, ndërsa 10 të tjerë janë duke pritur nisjen për këtë udhëtim akademik.

Gazetar: Y. Ponde

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›