E Diel, 1 Nëntor 2026

Seferi: Shërbimi i ri i kujdesit alternativ për fëmijët jashtë kujdesit prindëror dhe ata në risk

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, sot u shqyrtuan dy projektligje, ai “Për shërbimet e përkujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për kujdesin alternativ në familje”.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi u shpreh lidhur me projektligjin “Për kujdesin alternativ në familje”, se ligji mbron të drejtat e fëmijëve pa kujdes prindëror ose në rrezik për ta humbur atë, duke i vendosur ata në një mjedis familjar të sigurt, mbështetës dhe gjithëpërfshirës, gjithmonë në përputhje me parimin e interesit më të lartë të fëmijës.

Ligji i ri për Kujdesin Alternativ, sipas MSHMS është një prej shtyllave kryesore të reformës së deinstitucionalizimit dhe një angazhim kyç në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Deputetja nismëtare e këtij projektlijgi, Enriketa Jaho u shpreh se e prezantoi këtë qasje nisur nga përvoja personale në pavionet e spitaleve.

“Kjo nismë nuk lindi në zyrë, ajo lindi në sallat e operacionit, në korridoret e spitaleve.  Kam parë fëmijë që në spital nuk u rrinin prindërit, po hallat, tezet, kushërinj sepse prindërit mungonin për arsye të dhimbshme dhe të pashpjegueshme. Kam parë fëmijë të zgjohen nga narkoza, pa pasur prindërit aty”, u shpreh ajo.

“Nisma ime synon të ndryshojë mënyrën sesi shteti ynë i qaset kujdesit për fëmijët pa mbështetje prindërore, vendos kujdesin në familje si alternativë prioritare para kujdesit institucional, përcakton kategoritë përfituese, si fëmijët e braktisur, fëmijë të prindërve me aftësi të kufizuara, fëmijë të ndarë për shkak të emergjencave, viktima të trafikimit, dhunës etj.”, tha Jaho.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi tha se ky ligj e ngre kujdesin alternativ për fëmijët në një nivel të ri.

“Ne kemi ardhur për të treguar që kujdestaria dhe kujdesi alternativ ka një histori të gjatë në Shqipëri. Por, duke parë ndryshimet, ky ligj në mënyrë specifike parashikon vetëm ndryshime apo ngritje të shërbimit të ri të kujdesit alternativ për fëmijët jashtë kujdesit prindëror, por edhe për fëmijë që janë në risk. Arsyeja pse të dy këto dy nisma janë bashkuar në një është sepse miratimi i një ligji të ri nuk është vetëm një përmirësim i kuadrit ekzistues, por është një seri procedurash për mbrojtjen e fëmijëve, duke harmonizuar edhe kuadrin ligjor. Ky projektligj lidhet edhe me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2022-2030 dhe strategji të tjera ndërsektoriale”, tha Seferi.

“Ky projektligji parashikuar edhe në angazhimet që janë marrë sipas marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2009, rregullon kornizën ligjore të mbrojtjes së fëmijëve dhe kujdesin e fëmijëve dhe sistemin e drejtësisë. Projektligji reflekton të gjitha standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë në zbatimin e të drejtave të fëmijëve. Kemi parashikuar këto forma të kujdestarisë alternative, si ajo familjare e profesionalizuar dhe kujdestari vullnetare”, vijoi Seferi.

Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u shpreh se do të ngrihet një grup personash që do të jenë të certifikuar dhe të trajnuar për t’i vendosur këta fëmijë në gjirin familjar dhe do të jenë gjithmonë aty në një listë të posaçme të Pushtetit Vendor.

“Përgjegjësi të drejtpërdrejtë në monitorimin e këtyre proceseve do të mbajë Shërbimi Social Shtetëror, i cili forcon rolin e tij teknik. Por, do të shkojmë dhe tek Inspektorati i Shërbimeve Shoqërore që gjithashtu do të bëjnë inspektim të këtij shërbimi. Çdo familje profesioniste do të marrë një pagesë të caktuar që do vendoset nga Këshilli i Ministrave për çdo fëmijë të vendosur në familjen kujdestare”, tha Seferi.

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri u shpreh se në rrugët e Tiranës sot ka plot fëmijë të komunitetit rom që vijnë si një histori fatkeqe e shoqërisë shqiptare.

Kapri tha se një ligj i ngjashëm në Rumani ka sjellë pasoja të rënda, pasi është kthyer në burim trafikimi për fëmijët.

Seferi iu përgjigj deputetit Kapri, duke thënë se do të ketë kritere për përzgjedhjen e familjeve, ndërsa njëherësh do të ketë edhe monitorim për të shmangur abuzimet.

“Do të ketë monitorim çdo dy javë kur fëmija vendoset në familjen kujdestare, me kontroll nga shërbimi social shtetëror, kontroll në terren dhe më pas edhe me inspektoratin, pra 3-fish monitorim sa i përket vendosjes së fëmijës në familje kujdestare”, tha Seferi.

Të dy projektligjet u miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi me shumicë votash pro.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, njoftoi gjithashtu se kryesia e komisionit ka vendosur për shtyrjen e afatit për mbështetjen e kandidatëve për pozicionin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi deri më 12.01.2026.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, foto: Andrin Hoxha 1 nga 10

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›