Programi “Art, Zeje dhe Sport” në shkolla, Rama: Ruajmë vlerat dhe traditat kombëtare

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Në gjimnazin “Abdulla Keta” në Tiranë, nxënësit prej tre muajsh angazhohen në programin “Art, Zeje dhe Sport”, në aktivitete sociale, kreative dhe sportive, duke pasuruar përvojat e tyre jashtë orarit mësimor dhe duke ruajtur vlerat e traditat tona kombëtare.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga vizita e ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në gjimnazin “Abdulla Keta”. Ai solli shembullin e Klajdit, një i ri që e ka trashëguar pasionin për punën me dru nga familja dhe që po e zhvillon tashmë në gjimnazin “Abdulla Keta”.
“Te shtëpia ime ka punuar gjyshi, babi e ka trashëguar nga gjyshi dhe unë nga babi”, u shpreh Klajdi.
Sipas Kryeministrit Rama, gjatë këtij viti do të zgjerohet ky program në 100 shkolla të tjera dhe deri në vitin 2027 do të përfshihen 400 shkolla.
Po ashtu, Kryeministri Rama u shpreh se “këtë vit do të pilotojmë edhe “Shkollën Verore” dhe “Programin Pas-shkollor”, për të siguruar që sa më shumë fëmijë të kenë akses në aktivitete krijuese që ndihmojnë zhvillimin e tyre”. /j.p/